Drejtësia e vërtetë
1 Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. Unë nuk lodhem duke ju shkruar të njëjtat gjëra, por këtë e bëj, se është e dobishme për ju.
2 Ruhuni nga punëtorët e këqij të ungjillit, ruhuni nga ata qen! Ruhuni nga ata që ju shtyjnë të gjymtoheni me anë të rrethprerjes! 3 Sepse rrethprerja jemi ne, ne që i shërbejmë Perëndisë përmes Shpirtit të tij, që krenohemi falë Krishtit Jezu e që nuk i zëmë besë dobësisë njerëzore, 4 megjithëse unë kam përse t'i zë besë edhe dobësisë njerëzore. Nëse ndonjëri mendon se ka arsye t'i zërë besë dobësisë njerëzore, unë kam edhe më shumë: 5 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga populli i Izraelit, nga fisi i Benjaminit, hebre e bir hebreu dhe e zbatoja ligjin si farise. 6 Kam qenë aq i zellshëm saqë edhe e kam përndjekur kishën dhe kam qenë i paqortueshëm, sepse bëja një jetë të drejtë sipas ligjit.
7 Por këto gjëra që dikur kishin vlerë për mua, tani i quaj humbje për shkak të Krishtit. 8 E me të vërtetë unë i shoh të gjitha si humbje përballë epërsisë që vjen nga njohja e Krishtit Jezu, Zotit tim. Për shkak të tij unë i humba të gjitha këto dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin 9 dhe të jem me të, duke mos u bërë i drejtë përmes ligjit, por përmes besimit në Krishtin, domethënë të bëhem i drejtë nga Perëndia përmes besimit. 10 Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij e të bashkohem me të në vdekjen e tij, 11 me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve.
Drejt synimit
12 Nuk them se ia kam arritur fundit e as se jam bërë i përsosur, por ende vrapoj për të fituar çmimin, për të cilin edhe Krishti më fitoi mua. 13 Vëllezër, unë nuk mendoj për veten time se ia kam arritur, por di të them se i kam harruar ato që kam lënë pas dhe se po rend drejt atyre që kam përpara, 14 drejt synimit për të fituar çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë, përmes Krishtit Jezu. 15 Kështu le të mendojmë të gjithë ne që jemi të përsosur në besim. Nëse ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t'ju ndriçojë mendjen edhe për këtë gjë. 16 Pavarësisht se ku kemi arritur, le të vazhdojmë të ndjekim të njëjtën udhë .
17 Vëllezër, më shkërbeni mua dhe shikoni ata që ecin sipas shembullit tim. 18 Siç ju kam thënë shpesh e po jua them edhe tani me lot ndër sy, se ka shumë nga ata që jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit. 19 Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, ata mburren me gjëra për të cilat duhet të turpëroheshin. Ata e kanë mendjen në gjërat e kësaj bote, 20 ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht. 21 Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë duke e bërë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, me anë të fuqisë e pushtetit që do të nënshtrojë gjithçka nën sundimin e vet.
KAPTINA III.
1 Përandai, o vëllazënit’ e mi, gëzohi mbë Zotinë, për me u shkruem juve por ato fjalë , sa për mue, nukë randohem, por për ju ashtë mirë.
2 Ruhi prei qenvet, ruhi prei punëtorëvet këqi, ruhi prei rreth-presëjesë,
3 sepse na jemi rreth-presëja qi lusimë Perëndinë me shpirt edhe qi mburremi mbë Iesu Krishtinë,
4 edhe s’kemi shpëresë mbë misht, ndonëse edhe unë mundem me pasunë shpëresë mbë misht.
5 Ndë qoftë se kuiton ndonji tietër këte shpëresë mbë misht, unë duhetë me pasunë ma shumë: rreth-premë tetë ditsh, prei kombit Israelit, prei farësë Beniaminit, Hebre prei Hebresh, prei ligjësë Farise,
6 prei përvëlimit zemërësë ndiekësi i kishësë, prei dreitënisë qi ashtë prei ligjësë qeshë faqe-bardhë.
7 Por ato qi ishinë tek unë për dobi, këto i kuitova për dam për Krishtinë;
8 edhe për të vërtetë të gjitha i kuitoj se janë për dam për kapërcimin’ e së ngjofëmesë Iesu Krishtit Zotit t’em; për ate të gjitha i damova, edhe i kujtoj se janë plehë, qi të fitoj Krishtinë,
9 edhe të gjindem tek ai, pa mos pasunë dreitëninë t’eme qi ashtë prei ligjësë, por ate qi ashtë prei anësë besësë Krishtit, dreitëninë qi ashtë prei Perëndisë përmbi besët;
10 qi të ngjof ate, edhe fuqin’ e së ngjallëmes’ ati, edhe shoqënin’ e pësimevet ati ardhunë mbë nji formë me vdekën’ e ati,
11 druese do të ndief me ia mbërrimë të ngjallëmesë prei së vdekunish.
12 Jo se unë tashti mora bravurinë , a se jam bam’ i kullutë, por ecij mbrapa mos e marr, sepse për ate jam kapunë prei Iesu Krishtit.
13 O vëllazën, unë s’kuitoj për vetëhenë t’eme se e kam marrë, por nji punë punoj , harroj të mbrapënatë, edhe shtrihem me zan’ ato qi kam përpara,
14 ecij mbas shenjit përmbi bravurin’ e së thërritëmesë naltë prei Perëndisë mbë Iesu Krishtinë.
15 Sa jemi të kullutë pra, le të kemi ndër mend këte, edhe ndë paçi ndër mend tietërazi, edhe këte ka për me ua sbuluem juve Perëndia.
16 Por mb’ate qi e mbërrim, le t’ecimë mbas asai udhe, le të kemi ndër mend por ate.
17 O vëllazën, bani si baj unë, edhe vini ore ata qi ecinë kështu, sikurse keni shëmbëllëtyrë vetëhenë tuei.
18 Sepse shumë ecinë, për të cillët, u thoshiem juve shumë herë, edhe tashti thom tue qjamë, se janë anëmiqt’ e kryqit Krishtit;
19 atyneve e mbrapëna ashtë të hupunitë, atyneve perëndi ashtë barku, edhe lafti atyneve ashtë ndë turpëni t’atyneve, të cillëtë kanë ndër mend punët’ e dheut.
20 Por qyteti ynë ashtë ndë qijet, prei andej presim’ edhe shëlbuesinë Zotinë Iesu Krisht,
21 i cilli ka për me ndërruem korpin’ e së përungjëmesë t’onë, qi të bahetë nji formë me korpin’ e laftit ati, mbas së vepëruemesë qi ai mundei edhe t’i vejë ndënë vetëvetëhet të gjitha.