Pali në Maltë
1 Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë. 2 Vendasit treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë.
3 Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë që doli për shkak të të nxehtit. 4 Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë». 5 Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe. 6 Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.
7 Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë. 8 I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e lëbarke. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi.
9 Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan. 10 Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej.
Pali në Romë
11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve. 12 U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë. 13 Pastaj lundruam përgjatë bregut e mbërritëm në Regjio. Pas një dite filloi të frynte juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuol. 14 Aty gjetëm disa vëllezër, të cilët na u lutën të rrinim me ta shtatë ditë. Pastaj shkuam në Romë.
15 Vëllezërit që ishin atje, kur dëgjuan për ne, erdhën që nga Forumi i Apit e nga Tri Tavernat për të na takuar. Kur i pa, Pali falënderoi Perëndinë e mori zemër.
16 Pasi mbërritën në Romë , Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur.
Pali predikon në Romë
17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha: «Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve. 18 Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje. 19 Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj të gjykohem prej Cezarit. Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim. 20 Prandaj edhe kam kërkuar t'ju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli».
21 Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty. 22 Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti».
23 Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t'i bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve.
24 Disa u bindën prej gjërave që tha, ndërsa të tjerët nuk besuan. 25 Kështu ata nuk ranë në një mendje me njëri-tjetrin dhe kur po largoheshin, Pali u tha: «Mirë u foli Shpirti i shenjtë etërve tuaj me anë të profetit Isai, 26 kur tha:
shko te ky popull e thuaji:
kanë veshë për të dëgjuar,
por nuk kuptojnë,
kanë sy për të parë,
por nuk shikojnë.
27 Zemra e këtij populli
është bërë e pandjeshme
e u janë rënduar veshët.
I kanë mbyllur sytë
që të mos shohin me sy,
të mos dëgjojnë me veshë,
të mos kuptojnë me zemër,
që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
28-29 Dijeni, pra, se Perëndia ua dërgoi këtë shpëtim kombeve. Ato do të dëgjojnë ».
30 Pali qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira, ku edhe priste të gjithë ata që shkonin tek ai. 31 Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte të vërtetën e Zotit Jezu Krisht gjithë guxim e pa ngurruar.
KAPTINA XXVIII.
1 Edhe si shpëtuenë, atëherë e ngjofnë se ujdhësa quhetë Melitë.
2 Edhe barbarëtë na pritnë shumë nierëzisht, sepse ndesnë ziarrm, e na muernë përmbrenda të gjithë, prei shiut qi binte, e prei të ftofëtit.
3 Edhe Pauli kur mbëlodhi shumë krande, edhe i vuni ndë ziarrm, duel jashtë nji nepërkë prei të nxetit, e u ngjit mbas dorës’ ati.
4 Edhe barbarëtë kur panë nepërkënë varë prei dorës’ ati, i thoshinë njiani tietërit: Për të vërtet kyi nieri ashtë gjaksuer, edhe ndonëse shpëtoi prei detit, por gjyqi i Perëndisë nuk’ e la me rruem.
5 Por ai hodhi nepërkënë ndë ziarm, edhe nukë pësoi ndonji gja të keqe.
6 Edhe ata prisinë se kishte për me u ajtun’ ai, a për me ranë për dhe befas i vdekunë, por mbassi pritnë shumë kohë, edhe shifinë se s’iu ba ndonji gja e keqe, ndërruenë mendienë, e thoshinë se ashtë perëndi.
7 Edhe rreth ati vendi ishinë copa dheu të parit ujdhësit, qi quhei Publi, i cilli na priti, e na mbaiti ndë shtëpi miqësisht tri ditt.
8 Edhe i ati i Publiut kishte ranë sëmunë prei ethesh e prei barkut keq, tek i cilli Pauli hyni, edhe u fal, edhe vuni duertë mbi ate, edhe e shëndoshi.
9 Edhe si u ba këjo, edhe të tierëtë sa kishinë sëmunda ndë ujdhësë, vijinë tek ai edhe shëndosheshinë,
10 të cillëtë na nderuenë me shumë nderë; edhe kur kishim për me ikunë, na dhan’ ato qi kishim nevojë.
11 Edhe mbas tre muejsh ikëm me nji lundrë Aleksandrianë qi kishte dimënuem ndë ujdhësë, e cilla kishte shenjë Kastore e Polluke.
12 Edhe si e mbërrim ndë Syrakusë, mbetëm atie tri ditt.
13 Edhe prei andej tue ardhunë rreth, e mbërrim ndë Regi, edhe mbas nji ditë si fryni erë shiu, të dytënë ditë erdhëm ndë Puteolë;
14 atie gjetëm vëllazën, të cillëtë na u lutnë me mbetunë për-an’ atyneve shtatë ditt; edhe kështu erdhëm ndë Romë.
15 Edhe prei andej, vëllazënitë kur ndëgjuenë për ne, na duelnë përpara deri ndë Forë të Appiut, e ndë Tri Tavernat. Pauli kur pa ata, iu fal’ nders Perëndisë, edhe muer zemërë.
16 Edhe kur erdhëm ndë Romë, urdhën-qindësi dha të lidhunitë n’dorë të parit ushtrisë, por Paulin’ e la të rrijë veç bashkë me ushtëtorinë qi e ruente.
17 Edhe mbas tri ditsh Pauli thërriti të parët’ e Iudevet; edhe ata si u mbëlothnë, u thoshte atyne: O burra vëllazën, ndonëse unë s’kam bamë gja kundrë popullit, a kundrë zakonevet atënavet t’anë, më dhanë të lidhunë prei Ierusalemit ndë duert të Romanëvet.
18 Të cillëtë si më gjukuenë, deshnë me më lishuem, sepse s’gjetnë ndonji punë për vdekë tek unë.
19 Por Iudeitë mbassi flisinë kundrë, u shtrëngueshë të thërres mbë Kaisarinë, jo se kam gja për me përfolunë kombinë t’em.
20 Për këte punë pra u thirra juve qi të u shof, edhe të u flas, sepse për punë të shpëresësë Israelit jam lidhunë me këte vark hekurash.
21 Edhe ata i thanë: Na as letëra kemi marrë për tyi prei Iudesë, as ndonji prei vëllazënish erdhi e diftoi, a foli gja të keqe për tyi.
22 Por duemë me ndëgjuem prei teje, qish ke ndër mend, sepse na e dimë, se gjithë-kundi flitetë keq për këte eresi.
23 Edhe mbassi patnë vumë nji ditë për ate, erthnë shumë vetë tek ai atie ku kishte ranë; edhe ai u diftonte atyne mbëretënin’ e Perëndisë tue dhanë deshmi, edhe u mbushte mendien’ atyne për punët’ e Iesuit, prei ligjësë Moiseut edhe prei profetënash, çë ndë mëngjes e deri ndë mbramiet.
24 Edhe disave u mbushei mendia për ato qi thoshte, e disa nukë zejinë besë.
25 Edhe si nuk’ ishinë mbë nji fjalë njiani me tietrinë, ikinë, mbassi tha Pauli nji fjalë, se: Mirë foli Shpirti Shenjt me anë të profetit Isaisë tek atënit t’anë,
26 tue thanë - “Shko te kyi popull, edhe thuei: Me ndëgjim keni me ndëgjuem, por s’keni me marrë vesht; edhe tue pamë do të shifni, por s’keni me pamë,
27 sepse u trash zemëra e këti populli, edhe ndëgjuenë randë me veshët, edhe mbyllnë syt’ e vet, qi të mos shofinë ndonjiherë me syt, edhe të ndëgjojnë me veshët, edhe të marrinë vesht me zemërënë, edhe të këthehenë, qi t’i shëndosh”.
28 Le të bahet’ e ditunë pra mbë ju, se shpëtimi i Perëndisë u dërgue mbë kombet, edhe ata kanë me e ndëgjuem.
29 - Edhe si tha këto, Iudeitë iknë, tue u ngranë me shumë fjalë ndërmiet atyneve.
30 Edhe Pauli mbeti atie dy viet plot ndë shtëpi të vet qi e kishte zanë me pagë, edhe priste gjith’ ata qi vijinë tek ai,
31 tue predikuem mbëretënin’ e Perëndisë, edhe tue mësuem punët’ e Zotit Iesu-Krisht me çdo sy të çelë, e pa ndonji të ndalunë.