Këshilli i Jerusalemit
1 Disa veta erdhën nga Judeja dhe i mësonin vëllezërit kështu: «Nëse nuk rrethpriteni sipas dokeve të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni». 2 Atëherë pati një zënkë të fortë mes tyre dhe Palit e Barnabës, sepse nuk ishin në një mendje. Kështu u caktua që Pali, Barnaba dhe disa prej atyre që kishin ardhur nga Judeja, të shkonin në Jerusalem e të flisnin për këtë çështje me apostujt e me pleqtë e kishës. 3 Kisha i përcolli e u dha çfarë u nevojitej për udhëtim. Kur kaluan nëpër Fenikë e Samari, kudo ku shkonin, tregonin për kthimin në besim të kombeve. Të gjithë vëllezërit u gëzuan shumë.
4 Kur arritën në Jerusalem, kisha, apostujt e pleqtë i mirëpritën. Ata u treguan gjithçka që kishte bërë Perëndia përmes tyre. 5 Atëherë disa nga ata që i përkisnin sektit të farisenjve e që kishin besuar në Jezuin, u ngritën e thanë: «Të kthyerit në besim duhet të rrethpriten e të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut».
6 Apostujt e pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë çështje. 7 Pas një diskutimi të gjatë, Pjetri u ngrit e u tha: «Vëllezër, ju e dini se para disa kohësh, mes nesh, Perëndia më zgjodhi mua që nëpërmjet meje kombet të dëgjojnë fjalën e ungjillit e të besojnë. 8 Perëndia që i njeh zemrat e njerëzve dëshmoi se i pranon ata duke u dhënë Shpirtin e shenjtë, ashtu siç na e dha edhe neve. 9 Ai i pastroi zemrat e tyre me anë të besimit dhe kështu nuk bëri asnjë dallim ndërmjet nesh dhe atyre. 10 Tani, pra, pse po e vini në provë Perëndinë duke u vënë dishepujve në qafë një zgjedhë që nuk e kanë mbartur dot as etërit tanë e as ne? 11 Përkundrazi, ne besojmë se do të shpëtohemi përmes hirit të Zotit Jezu, sikurse do të shpëtohen edhe ata».
12 Ata heshtën të gjithë dhe dëgjonin Barnabën e Palin që tregonin për të gjitha shenjat e mrekullitë që Perëndia kishte bërë përmes tyre mes kombeve.
13 Pasi mbaruan së foluri këta, Jakobi tha: «Vëllezër, më dëgjoni. 14 Simon Pjetri na tregoi sesi për herë të parë Perëndia u përkujdes për të bërë nga kombet një popull që t'i përkasë atij. 15 Kjo përkon me fjalët e profetëve, sikurse është shkruar:
16 pas këtyre gjërave, unë do të kthehem
e do ta ringre tendën e Davidit që është rrëzuar.
Do ta ringre nga rrënojat e saj
e do ta lartësoj sërish,
17 kështu që, të gjithë njerëzit e tjerë
të mund ta kërkojnë Zotin
e po ashtu edhe të gjithë kombet
që janë bërë populli im.
Kështu thotë Zoti
që i bën këto gjëra
18 të njohura që nga amshimi.
19 Prandaj mendoj se nuk duhet t'u vëmë barrë kombeve që kthehen te Perëndia, 20 por duhet t'u shkruajmë që të heqin dorë nga mishi i ndotur që u është kushtuar idhujve, nga kurvëria, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga pirja e gjakut. 21 Urdhërimet e Moisiut njihen mirë, se që nga kohët e shkuara janë lexuar çdo të shtunë nga ata që i kanë predikuar në sinagogat e çdo qyteti».
Vendimi i këshillit
22 Atëherë apostujt e pleqtë, me pëlqimin e të gjithë kishës, menduan të zgjidhnin disa prej tyre për t'i dërguar në Antioki me Palin e Barnabën. Këta ishin Juda, që e quanin Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezërit. 23 Ata shkruan me dorën e tyre:
«Vëllezërit apostuj e pleqtë e kishës, u shkruajnë vëllezërve që vijnë nga kombet e që janë në Antioki, në Siri e në Kiliki: përshëndetje!
24 Meqë kemi dëgjuar se disa që kanë dalë prej nesh, por që nuk janë dërguar nga ne, ju kanë trazuar me fjalë që pështjellojnë shpirtin, 25 kemi vendosur me një mendje që të zgjedhim disa njerëz e t'i dërgojmë te ju së bashku me fort të dashurit tanë Barnabën e Palin 26 që kanë vënë jetën e tyre në rrezik për emrin e Zotit tonë Jezu Krisht. 27 Kemi dërguar Judën e Silën që do t'jua tregojnë vetë me gojën e tyre këto gjëra.
28 Shpirti i shenjtë dhe ne kemi menduar se nuk duhet t'ju ngarkojmë barrë të tjera përveç atyre që janë të nevojshme: 29 hiqni dorë nga flijimet që u kushtohen idhujve, nga pirja e gjakut, nga ngrënia e kafshëve të mbytura e nga kurvëria. Do të bëni mirë të ruheni nga këto gjëra.
Ju priftë e mbara!».
30 Atëherë ata u nisën e shkuan në Antioki, mblodhën popullin e u dorëzuan letrën. 31 Kur e lexuan letrën, u gëzuan me këtë porosi që i ngushëlloi. 32 Juda e Sila, që ishin vetë profetë, folën shumë për t'u dhënë zemër vëllezërve e për t'i forcuar.
33-34 Pasi kaluan disa kohë aty, vëllezërit i nisën në paqe tek ata që i kishin dërguar . 35 Por Pali e Barnaba qëndruan në Antioki dhe me shumë të tjerë mësonin njerëzit dhe shpallnin ungjillin e fjalën e Zotit.
Pali e Barnaba ndahen
36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: «Të kthehemi e të takojmë vëllezërit në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohim si i kanë punët». 37 Barnaba donte që të merrnin edhe Gjonin që quhej Mark, 38 por Pali nguli këmbë që të mos e merrnin me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili e nuk i kishte shoqëruar në veprën e tyre.
39 Ata u grindën aq shumë, saqë u ndanë nga njëri-tjetri dhe Barnaba mori Markun e lundroi për në Qipro. 40 Pali zgjodhi Silën e u nis pasi vëllezërit ia besuan Palin hirit të Zotit. 41 Ai shkoi nëpër Siri e Kiliki dhe i forconte kishat.
KAPTINA XV.
1 Edhe disa vetë qi sdrypnë prei Iudesë, mësojinë vëllazënitë, se ndë mos u rreth- prefshi mbas zakonit Moiseut, s’mundeni me u shpëtuem.
2 Por ata mbassi u hangrën mëjaft, edhe banë kërkime me fjalë me Paulin’ e me Barnabënë, së mbrapëni e këputnë fjalënë me hypunë Pauli edhe Barnaba, edhe disa të tierë prei atyneve te apostujt edhe te pleqt ndë Ierusalem për këte kërkim.
3 Ata pra si u përcuellnë prei kishësë, shkojinë ndëpër Fenikë e ndëpër Samari, tue diftuem të këthyemit’ e kombevet; edhe u epinë gëzim të math gjithë vëllazënavet.
4 Edhe si erthnë ndë Ierusalem, u pritnë prei kishës’ e prei apostujsh e prei pleqsh, edhe diftuenë gjithë sa bani Perëndia me anë t’atyneve.
5 Por u ngritnë disa prei eresisë Farisevet qi kishinë besuem, tue thanë, se: Duhetë me i rreth-premë, e me i porositunë të rueinë ligjën’ e Moiseut.
6 Edhe u mbëlothnë apostujt’ e pleqtë me vum’ ore për këte fjalë.
7 Edhe mbassi u ba shumë kërkim me fjalë , u ngrit Pietri, e u tha atyne: O burra vëllazën, ju e dini se çë ndë ditt të lashta Perëndia sgjodhi ndërmiet nesh, qi të ndëgjojnë kombetë fjalën’ e ungjillit me anë të gojësë s’eme, edhe të besojnë.
8 Edhe zemër-ngjofësi Perëndi deshmoi për ata, kur u dha Shpirtinë Shenjt, sikurse edhe neve.
9 Edhe s’bani ndonji të damë ndërmiet nesh e atyne, por qiroi zemërat’ e atyneve me anë të besësë.
10 Tashti pra përse ngitni Perëndinë, e kërkoni me vumë sgjedhë ndë qafë të dishepujvet, të cillën’ as atënitë t’anë, as na nukë muftëm me e bartunë?
11 Por besojmë se me anë të hirit Zotit Iesu Krisht kemi me u shpëtuem, sikurse edhe ata.
12 Edhe gjithë shumica pushoi, e ndëgjojinë Barnabën’ edhe Paulinë qi diftojinë sa shenje e mërekullia bani Perëndia ndër kombet me anë t’atyneve.
13 Edhe ata si pushuenë, u përgjeq Iakobi, tue thanë: O burra vëllazën, pa më ndëgjoni.
14 Symeoni diftoi si vështroi Perëndia kombetë herën’ e parë, qi të marri prei atyneve nji popull për emënin’ e vet,
15 Edhe fjalët’ e profetënavet janë si nji-nji me këte, sikurse ashtë shkruem:
16 “Mbaskëndai kam me u këthyem, e kam me ndërtuem për-së-ri tendën’ e Davidit qi ashtë rrëzuem; edhe kam me ndërtuem për-së-ri ato qi janë rëmuem prei asai,
17 edhe kam me e ngritunë mbë kambë, qi të kërkojnë Zotinë nierëzit’ e tierë, edhe gjithë kombetë, mbi të cillëtë thërritet’ emëni em, - thotë Zoti, qi ban këto të gjitha”.
18 Punët’ e veta janë ngjofunë te Perëndia çë përpara jetësë.
19 Përandai unë gjukoj me udhë të mos i ngasim’ ata qi këthehenë prei kombevet te Perëndia,
20 por t’u shkrueim’ atyne nji letër, të tërheqinë dorë prei ndynësinavet idhujvet, edhe prei kurvënisë, edhe prei kafshësë mbytëme, edhe prei gjakut.
21 Sepse Moiseu çë prei brezash lashta ka mbë çdo qytet ata qi predikojn’ ate, kur këndohetë ligja ndëpër syngagogat për çdo të shëtunë.
22 Atëherë u duk mirë apostujvet edhe pleqvet bashkë me gjithë kishënë, të sgjedhinë nierës prei atyneve, edhe të dërgojnë ndë Andiohi bashkë me Paulin’ e me Barnabënë, Iudenë qi quhei përmbi emënë Barsabë, edhe Silënë, nierës të parë ndër vëllazënit;
23 edhe shkruenë me anë të dorës’ atyneve këto: Apostujt’ edhe pleqt’ edhe vëllazënitë, mbë vëllazënit qi janë prei kombesh gjindunë ndëpër Andiohinë e ndëpër Syrinë e ndëpër Kilikinë, u falemi juve me shëndet .
24 Sepse ndëgjuem se erthnë disa vetë prei nesh, e u përzinë juve me fjalë, edhe prishinë shpirtënatë tuei, tue thanë: Të rreth-priteni e të rueni ligjënë; të cillëtë na s’i porositëm për këte ;
25 na u duk mirë neve qi jemi mbëledhunë gjithë bashkë me nji zemërë, të sgjedhimë nierës, e t’i dërgojmë te ju bashkë me të dashunit t’anë Barnabën’ edhe Paulinë,
26 nierës qi kanë dhanë jetat’ e veta për emënin’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit.
27 Dërguem pra Iudën’ edhe Silënë, për me u thanë juve edhe ata me gojë ato qi u kemi shkruem juve .
28 Sepse iu duk mirë Shpirtit Shenjt edhe neve, të mos u vemë juve tietër barrë ma, veç atyne qi janë të nevojëshime:
29 Të tërhiqni dorë prei kurbanevet idhujvet, edhe prei gjakut, edhe prei kafshësë mbytëme, edhe prei kurvënisë, prei të cillavet ndë rueitshi vetëvetëhenë, do të bani mirë. Qofshi me shëndet.
30 Këta pra si u lishuenë, erthnë ndë Andiohi, edhe mbëlothnë shumicënë, e u dhan’ atyne ndër duer letrënë.
31 Edhe ata kur e kënduenë, u gëzuenë për këte ngushullim.
32 Edhe Iuda edhe Sila, qi ishin’ edhe ata profetën, ngushulluenë vëllazënitë me shumë fjalë, e i forcuenë.
33 Edhe si ndejnë atie disa kohë, u dërguenë prap me paqtim prei vëllazënish tek apostujt.
34 Por Silës’ iu duk mirë me mbetun’ aty.
35 Edhe Pauli e Barnaba shkojinë kohënë ndë Andiohi, tue mësuem e tue predikuem fjalën’ e Zotit bashkë me shumë vetë të tierë.
36 Edhe mbas disa ditsh Pauli i tha Barnabësë: Le të këthehemi tashti me pamë vëllazënitë t’anë qytet mbë qytet, qi dham zanin’ e mirë për Zotinë ndër ato, pale si janë.
37 Edhe Barnaba donte me marrë bashkë me vetëhe Gjionninë qi quhei Mark.
38 Por Paulit s’iu duk mirë me marrë bashkë me vetëhe ate qi qe damë prei atyneve kah Pamfylia, edhe nuk’ erdhi bashkë me ata ndë punët.
39 Koditi pra nji qartë ndër ata , kaqi sa u danë njiani prei tietërit; edhe Barnaba muer me vetëhe Markunë, edhe lundroi për Kyprë.
40 Edhe Pauli sgjodhi Silën’, edhe iku, dhanë prei vëllazënish ndë hir të Perëndisë.
41 Edhe shkonte ndëpër Syrinë e ndëpër Kilikinë, tue forcuem kishatë.