Zgjedhja e shtatë dhjakëve
1 Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, greqishtfolësit u ankuan ndaj hebraishtfolësve, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit.
2 Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve e thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë. 3 Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirt e me urti, që t'i ngarkojmë me këtë detyrë. 4 Ne, nga ana jonë, do t'i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës». 5 Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin e Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve . 6 Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta.
7 Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.
Padia kundër Stefanit
8 Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull. 9 Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë, bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të rragateshin me Stefanin. 10 Por ata nuk mundën t'i bënin ballë urtisë dhe Shpirtit që i ndriçonte mendjen kur fliste. 11 Atëherë vunë disa njerëz të thoshin se e kishin dëgjuar duke thënë fjalë fyese kundër Moisiut e Perëndisë.
12 Kështu, ngritën në këmbë popullin, pleqtë e shkruesit dhe iu afruan Stefanit, e kapën dhe e çuan para sinedrit. 13 Aty sollën disa dëshmitarë të rremë që thanë: «Ky njeri nuk ka reshtur së foluri kundër këtij vendi të shenjtë e kundër Ligjit. 14 Ne e kemi dëgjuar të thotë se ky Jezui i Nazaretit do ta shkatërrojë këtë vend e do t'i ndryshojë doket që na ka lënë Moisiu». 15 Të gjithë ata që ishin ulur në sinedër e panë me vëmendje dhe panë se fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli.
KAPTINA VI.
1 Edhe nd’ato ditt kur shumoheshinë dishepujtë, Greqishtarëtë murmurojinë kundrë Hebrevet, se nukë shikoheshinë grat’ e veja t’atyneve ndë shërbesë të përditëshime.
2 Atëherë të dy-mbë-dhetëtë thërritnë shumicën’ e dishepujvet, e thanë: Nuk’ asht’ e pëlqyeshime mbë ne me lanë mbë-nj-anë fjalën’ e Perëndisë, e me shërbyem ndëpër truvezat.
3 Vështroni pra, o vëllazën, e sgjithni prei jush shtatë burra qi të epetë deshmi e mirë për ata , plot me Shpirtinë Shenjt e me dituni, të cillëtë t’i vemë mbi këte nevojë.
4 Por na të presimë mbë të falunit, e mbë shërbesët të fjalësë.
5 Edhe u pëlqye fjala përpara gjithë shumicësë, edhe sgjothnë Stefaninë, qi ishte burr plot me besë e me Shpirtinë Shenjt, edhe Filippin’, edhe Prohorin’, edhe Nikanorin’, edhe Timonin’, edhe Parmenan’, edhe Nikolanë e këthyem Antioheasinë:
6 të cillët i nxuernë përpara apostujvet; edhe mbassi u falnë, vunë duertë përmbi ata.
7 Edhe fjala e Perëndisë shtohei, edhe numëri i dishepujvet shumohei fort ndë Ierusalem; edhe shumë gjindëje prei priftënish i ndëgjojinë besësë.
8 Edhe Stefani plot me besë e me fuqi, bante mërekullia e shenje të mëdha ndë popull.
9 Atëherë u ngritnë disa prei synagoget qi thohei i Libertinëvet, edhe Kyrenianëvet, edhe e Aleksandrianëvet, edhe prei atyneve qi ishinë kah Kylikia e kah Asia, edhe haheshinë me fjalë me Stefaninë.
10 Edhe s’mundeshinë me i dalë kundrë ditunisë edhe frymësë qi fliste.
11 Atëherë vunë pshefas nierës me thanë, se: Ndëgjuem ate tue folunë fjalë vlasfimie kundrë Moiseut edhe Perëndisë.
12 Edhe shtynë popullin’ e pleqt’ e shkruisit’, edhe u turrnë, edhe e rrëmbyenë, edhe e prunë ndë bashkë-ndejtiet,
13 edhe nxuernë përpara deshmitarë rrenësë, qi thoshinë, se : Kyi nieri nukë pushon tue folunë fjalë vlasfimie kundrë këti vendi shenjt, edhe kundrë ligjësë,
14 sepse ndëgjuem ate tue thanë, se: Kyi Iesu Nazoreasi ka me prishunë këte vend, edhe ka me ndërruem zakonetë qi na ka lanë Moiseu.
15 Edhe gjith’ ata qi kishinë ndenjunë ndë bashkë-ndejtiet kur shtinë sytë mb’ate, panë faqen’ e ati porsi faqe engjulli.