Për kishën e Efesit
1 «Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën mes shtatë shandanëve të artë: 2 i njoh veprat e tua, mundimin dhe durimin tënd. Di edhe se nuk i duron të këqijtë dhe i vure në provë ata që e quajnë veten apostuj, por që në të vërtetë nuk janë dhe që të dolën gënjeshtarë. 3 Ke bërë durim, ke vuajtur për emrin tim e nuk je lodhur.
4 Por, kam diçka kundër teje. Dashurinë tënde të parë e harrove. 5 Kujtohu, pra, sa poshtë ke rënë, pendohu dhe bëj veprat e para. Nëse nuk pendohesh, do të vij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi. 6 Por ti ke këtë të mirë, se i urren veprat e nikolaitëve që edhe unë i urrej.
7 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton, do t'i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Perëndisë».
Për kishën e Smirnës
8 «Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë: 9 e njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.
10 Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.
11 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë».
Për kishën e Pergamit
12 «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: 13 e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani.
14 Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t'u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t'i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. 15 Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve . 16 Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t'i luftoj me shpatën e gojës sime.
17 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t'i jap nga mana e fshehur. Do t'i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr».
Për kishën e Tiatirës
18 «Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: 19 i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. 20 Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. 21 I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj.
22 Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. 23 Bijtë e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshirat . Secilit prej jush do t'i jap sipas veprave të veta.
24 Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t'ju vë barrë tjetër, 25 por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë.
26 Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia,
do t'i jap pushtet mbi kombet,
27 të cilat ai do t'i udhëheqë me skeptër të hekurt
e do t'i thyejë si enë balte,
28 ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t'i jap edhe yllin e mëngjesit.
29 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».
KAPTINA II.
1 - Shkruei engjullit kishës’ Efesinë. Këto thot’ ai qi mba shtatë yjetë mbë të diathtët të vet, ai qi ecën ndë miedis të shtatë kandilevet arta:
2 I dij punët’ e tua, edhe mundiminë tat, edhe duriminë tat, edhe se s’munde me duruem të këqitë; edhe provove ata qi thonë se jan’ apostoj, edhe nukë janë, edhe i gjete rrenësa.
3 Edhe durove, edhe ke durim, edhe u mundove për emëninë t’em, edhe s’u lodhe.
4 Por di qish kam kundrë teje, sepse le dashuninë tate të parënë.
5 Kujtohu pra prei kah re poshtë, edhe pendohu, edhe ban punët’ e para, se ndë mos, vij shpeit te ti, edhe kam me lueitunë kandilenë tate prei vendit asai, ndë mos u pendofsh.
6 Por ke këte të mirë , se ke mëni punët’ e Nikolaitëvet, të cillat’ edhe un’ i kam mëni.
7 Ai qi ka vesh, le të ndëgjojë qish u thotë kishavet Shpirti: Ati qi mund do t’i ap me ngranë prei drushë jetësë, qi ashtë ndë miedis të paradisit Hyjit.
8 Edhe engjullit kishësë ndë Smyrnë shkruei: Këto thot’ i pari edhe i mbrapëni, ai qi qe i vdekun’ edhe rroi.
9 I dij punët’ e tua, edhe shtrëngiminë, edhe vobezinë (por je i pasunë), edhe të nemunit’ e atyneve qi thonë për vetëvetëhenë se janë Iudej, edhe nukë janë, por janë mbëledhëje e Satanait.
10 Mos u friko për sa ke me pësuem. Nje dialli te ka për me vumë disa prei jush ndë burk, qi të provohi, edhe keni me pasunë shtrëngim për dhetë ditt. Bahu besëtar qysh mbë vdekë, edhe kam me të dhanë kunorën’ e jetësë.
11 Ai qi ka vesh, le të ndëgjojë qish u thotë kishavet Shpirti: Ati qi mund s’do t’i bahetë keq prei vdekësë dytë.
12 Edhe engjullit kishësë ndë Pergamë shkruei: Këto thot’ ai qi ka shpatën’ e prefëtë me dy presëje.
13 I dij punët’ e tua, edhe ku e ke të ndenjunitë, atie ku ashtë shkambi i Satanait, edhe mba emëninë t’em, edhe nukë mohove besënë t’eme, edhe as nd’ato ditt qi ishte Andipa deshmitari em besëtari, i cilli u vra ndë ju, atie ku ka të ndenjunitë Satanai.
14 Por di qish kam pak gja kundrë teje, sepse ke atie disa vetë qi mbanë mësimin’ e Balaamit, i cilli mësonte Balakunë me vumë shkandullë përpara të bijvet Israelit, qi të hanë kurban idhujsh, edhe të kurvënojënë.
15 Kështu ke edhe ti disa vetë qi mbanë mësimin’ e Nikolaitëvet, qi e kam mëni.
16 Pendohu, se ndë mos, vij shpeit te ti, edhe kam me luftuem me ata me shpatën’ e gojësë s’eme.
17 Ai qi ka vesh, le të ndëgjojë qish u thotë kishavet Shpirti: Ati qi mund do t’i ap me ngranë prei manësë qi ashtë mpëshefëtë, edhe do t’i ap nji shenjë të bardhë, edhe mbi shenjët shkruem nji emënë të ri, të cillinë askushi s’e ngjef, veçse ai qi e merr.
18 Edhe engjullit kishësë ndë Thyaterë shkruei: Këto thot’ i Bir’ i Hyjit, ai qi ka syt’ e vet porsi flakë ziarrmi, edhe kambët’ e ati qi gjajënë porsi orihalk;
19 i dij punët’ e tua, edhe dashuninë, edhe shërbesënë qi ban, edhe besënë, edhe duriminë tat, edhe punët’ e tua, edhe të mbrapënatë se janë ma tepërë se të paratë.
20 Por di qish kam pak gja kundrë teje, se le gruen’ Iezabile, qi thotë për vetëvetëhenë se ashtë profeteshë, me mësuem edhe me gënjyem shërbëtorët’ e mi, të kurvënojënë edhe të hanë kurban idhujsh.
21 Edhe i dhashë kohë asai me u penduem prei kurvënisë vet, por nuk’ u pendue.
22 Nje unë tek e ve ndë shtrat, edhe ata qi kurvënojënë me ate ndë shtrëngim të math, ndë mos u pendofshinë prei punëvet veta.
23 Edhe të bijt’ e asai kam me i vramë me vdekë; edhe gjithë kishatë kanë me e ngjofunë, se unë jam ai qi shikoj veshnjet’ edhe zemëratë; edhe kam me i dhanë gjithë-se-cillit prei jush mbas punëvet tueja.
24 Edhe u thom juve, edhe të tierëvet qi janë ndë Thyaterë, se sa s’kanë këte mësim, edhe ata qi s’ngjofnë të thellat’ e Satanait, sikurse thonë. Nukë do të ve tietërë barrë mbë ju,
25 veç ate qi keni, mbania qysh sa të vij.
26 Edhe ati qi mund edhe qi ruen punët’ e mia qysh së mbrapëni, kam me i dhanë pushtet mbi kombet;
27 edhe “ka me i kullotunë me shkop të hekurtë; do të thyhenë porsi enët’ e tiegullarit”, sikurse edhe un’ e mora prei t’em-et;
28 edhe kam me i dhanë yllin’ e mëngjesëjesë.
29 Ai qi ka vesh, le të ndëgjojë qish u thotë kishavet Shpirti.