Vula e shtatë
1 Kur Qengji theu vulën e shtatë, në qiell u bë heshtje për rreth gjysmë ore. 2 Pastaj pashë shtatë engjëjt që qëndronin para Perëndisë. Atyre iu dhanë shtatë trumbeta.
3 Erdhi edhe një engjëll tjetër dhe qëndroi para altarit duke mbajtur një temjanicë të artë. Atij iu dha shumë temjan, që ta kushtonte bashkë me lutjet e të gjithë të shenjtëve mbi altarin e artë që ndodhet përballë fronit. 4 Nga dora e engjëllit u ngjit drejt Perëndisë tymi i temjanit bashkë me lutjet e të shenjtëve.
5 Pastaj engjëlli mori temjanicën, e mbushi me zjarr nga altari dhe e hodhi mbi tokë. Atëherë shpërthyen bubullima, zëra, vetëtima e tërmete.
Trumbetat
6 Shtatë engjëjt, që mbanin shtatë trumbetat, i bënë gati për t'u rënë.
7 I ra trumbetës engjëlli i parë. Atëherë shpërtheu breshër e zjarr përzier me gjak e u lëshua mbi tokë. Një e treta e tokës u dogj bashkë me një të tretën e pemëve dhe me gjithë barin e gjelbër.
8 I ra trumbetës engjëlli i dytë. Atëherë diçka si shkëmb i madh që digjej zjarr u lëshua në det. Një e treta e detit u bë gjak, 9 një e treta e gjallesave të detit ngordhi dhe një e treta e anijeve u shkatërrua.
10 I ra trumbetës engjëlli i tretë. Atëherë një yll i madh që digjej si pishtar, ra nga qielli mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave. 11 Emri i yllit ishte Pelin. Një e treta e ujërave u bë e hidhur si pelini dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat e hidhur.
12 I ra trumbetës engjëlli i katërt. Atëherë u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta e tyre. Kështu dita humbi një të tretën e ndriçimit, po ashtu edhe nata.
13 Pastaj pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit duke thirrur me zë të lartë: «Mjerë! Mjerë! Mjerë banorët e tokës, kur të dëgjojnë tingullin e trumbetave të tjera, të cilave do t'u bien tre engjëjt!».
KAPTINA VIII.
1 Edhe kur çeli të shtatënë bulë u ba pushim ndë qiellt si ndo-nja gjymës ore.
2 Edhe pashë të shtat’ engjujtë, të cillëtë rrijshinë përpara Hyjit, edhe u dhan’ atyneve shtatë trumbeta.
3 Edhe erdhi nji tietër’ engjullë, edhe qindroi mbë therorenë, e mbante nji qemtar t’artë; edhe iu dhan’ ati shumë qemna, qi t’i bierë me të falunat e gjithë shenjtënavet mbë theroren’ e artë qi ashtë përpara shkambit.
4 Edhe hipi tymi i qemnavet me të falunat e shenjtënavet prei dorës’ engjullit përpara Hyjit.
5 Edhe engjulli muer qemtarinë, edhe e mbushi prei ziarrmit theroresë, edhe e hodhi mbë dhet; edhe u banë zana e bumbullima e vetima e dhe-lëkundie.
6 Edhe të shtat’ engjujtë qi kishinë të shtatë trumbetat’ u banë gati me u ranë trumbetavet.
7 Edhe engjull’ i parë i ra trumbetësë, edhe u ba breshën e ziarrm përziem me gjak, edhe u hothnë mbë dhet; edhe e treta druvet u dogj, edhe qish-do bar’ i ngjomë u doq.
8 Edhe engjull’ i dytë i ra trumbetësë, edhe porsi nji mal i math i diegunë me ziarrm u hoth ndë det, edhe e treta detit u ba gjak.
9 Edhe vdiq e treta krijetyravet gjalla qi ishinë ndë det, edhe e treta barkavet u prish.
10 Edhe engjull’ i tretë i ra trumbetësë, edhe ra prei qiellit nji yll i math ndezunë porsi llambadhe, e ra mbi të tretën’ e lumnavet, edhe mbi gurrët e ujënavet.
11 Edhe emëni i yllit thohet’ Apsenth; edhe e treta e ujënavet u këthye mbë Apsenth, edhe shumë njerës vdiqnë prei ujënavet sepse u ithtuenë.
12 Edhe engjull’ i katërtë i ra trumbetësë, edhe u plague e treta e diellit, edhe e treta e hanësë, edhe e treta e yjevet, qi t’errësohet’ e treta e atyneve, edhe dita të mos ndrisi të tretën’ e asai, edhe nata por kështu.
13 Edhe pash’ edhe ndëgjova nji engjullë tue fluturuem ndë miedis të qiellit, qi thoshte me za të math: Mier, mier, mier ata qi rrinë mbë dhet, për zanat e tierë të trumbetësë tre engjujvet qi kanë për me u ranë trumbetavet.