Liria e krishterë
1 Krishti na çliroi që të jemi të lirë, prandaj qëndroni fort e mos bini sërish nën zgjedhën e skllavërisë.
2 Ja, unë Pali po ju them se nëse rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju vlejë aspak. 3 Kujtdo që rrethpritet, po ia bëj të ditur se është i detyruar të zbatojë tërë ligjin. 4 Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë. 5 Sepse në Shpirtin, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë. 6 Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë.
7 Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës? 8 Ato që ju kanë thënë për t'ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri. 9 Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi. 10 Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin.
11 Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më pengesë. 12 U gjymtofshin ata që po ju trazojnë.
13 Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të mishit, por t'i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri. 14 Sepse i gjithë ligji është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: duaje të afërtin si veten. 15 Por nëse kafshoni e përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.
Fryti dhe veprat
16 Prandaj ju them: jetoni në Shpirt e kështu nuk do të plotësoni dëshirat e mishit. 17 Sepse dëshirat e mishit janë kundër Shpirtit e Shpirti është kundër dëshirave të mishit. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin e kështu ju nuk bëni atë që dëshironi. 18 Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit, nuk jeni nën ligjin.
19 Veprat e dëshirave të mishit janë të dukshme: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet, 21 zilitë , dehjet, darkat e shfrenuara e të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
22 Por fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi, 23 zemërbutësia e vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. 24 Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar dobësinë njerëzore bashkë me pasionet dhe dëshirat. 25 Nëse jetojmë në Shpirt, atëherë edhe të udhëhiqemi prej tij. 26 Të mos krekosemi duke ngucur e duke lakmuar njëri-tjetrin.
KAPTINA V.
1 Qindroni pra nd’ate të lirëtë qi na liroi Krishti, edhe mos hyni për-së-ri ndë sgjedhë të shërbëtyrësë.
2 Qe unë Pauli po u thom juve, se ndë u rreth-prefshi, Krishti s’u vëjen asgja.
3 Edhe ap deshmi për-së-ri mbë qish do nieri qi ashtë rreth-premë, se ashtë detuer me mbaitunë gjithë ligjënë.
4 U datë prei Krishtit, ju qi dilni të dreitë me anë të ligjësë, ratë poshtë prei hirit.
5 Sepse na me anë të Shpirtit presimë për shpëresën’ e së lirësë prei besësë.
6 Sepse mbë Iesu Krishtin’ as rreth-presëja ka ndonji fuqi, as parreth-presëja, por besa qi vepron me anë të dashunisë.
7 Ecitë mirë; kush u përmbaiti juve për mos me u bindunë mbë të vërtetënë?
8 Këta të bindunë nuk’ashtë prei ati qi u thërret juve.
9 Pakëzë brumë mbrum gjithë të mbrumunitë.
10 Unë kam shpëresë mbë ju me anë të Zotit, se s’do të keni ndër mend tietërë gja, por ai qi u përzien juve ka me bartunë gjukiminë, cilli-do me qenunë.
11 Edhe un’, o vëllazën, ndë predikofsha edhe ma rreth-presëje, përse ndiqen ma? Vall’ u çart shkandulli i kryqit.
12 Makarë të këputeshinë copash ata qi u përziejnë juve?
13 Sepse ju, o vëllazën, u thërritët mbë të lirëtë, veçe mos e bani të lirëtë për shkak të mishit, por me anë të dashunisë i shërbeni njiani tietërit.
14 Sepse gjithë ligja mbushetë me nji fjalë, ndë këte: “Të dueshë të afërinë tand si vetëhenë tande”.
15 Por ndë kapshofshi e ndë hangërshi njiani tietërinë, shikoni mos hupni njiani prei tietërit.
16 Thom pra: Ecëni mbas shpirtit, edhe mos i bani dëshëriminë mishit.
17 Sepse mishi dëshëron kundrë shpirtit, e shpirti kundrë mishit; edhe këto janë kundrë njiana tietërësë, përandai mos bani ato qi doni.
18 Por nd’ecëni mbas shpirtit, s’jeni ndënë ligjë.
19 Edhe punët’ e mishit janë të shpërfaquna, të cillatë janë forniki, kurvëni, puganësi, ndynësi,
20 idhullatri, magji, anëmiqësi, qarta, zëlia, zemërime, të zana, të dame, eresia,
21 zmire, vrasëje, të deituna, lodrëti, edhe kësosh si këto; për ato po u thom juve ma pari, sikurse edhe u thashë ma pari, se ata qi punojnë këso punësh s’kanë me trashiguem mbëretëni Perëndie.
22 Por pema e Shpirtit ashtë dashuni, gëzim, paqtim, zemërë të gjanë, amblësinë, mirëni, besë, butësinë, të përmbaitunë vetëhenë;
23 kundrë këtyneve s’ashtë ligjë.
24 Edhe ata qi janë të Krishtit kanë kryqëzuem mishinë bashkë me të pësuemet e me dëshërimet.
25 Ndë rrofshim mbas Shpirtit, le t’ecimë edhe mbas Shpirtit.
26 Le të mos kërkoimë laft të kotë, tue shtymë niani tietërinë, tue pasunë zmir niani tietërinë.