Zgjedhja e Barnabës dhe Saulit
1 Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. 2 Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M'i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». 3 Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
Predikimi në Qipro
4 Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. 5 Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.
6 Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. 7 Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. 8 Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. 9 Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë 10 e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? 11 Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe».
Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. 12 Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.
Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë
13 Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre e u kthye në Jerusalem. 14 Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë.
Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën. 15 Pas leximit të ligjit e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t'u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thuajeni». 16 Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha: «Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni: 17 Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm 18 dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë. 19 Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi 20 për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel. 21 Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Benjaminit, që mbretëroi për dyzet vjet. 22 Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t'i plotësojë tërë dëshirat e mia”. 23 Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin. 24 Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej. 25 Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh sandalet”.
26 Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve. 27 Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë. 28 Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste. 29 Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr. 30 Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve 31 e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galilea në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit.
32 Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë, 33 Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
34 Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë:
Unë do t'ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit.
35 Prandaj në një psalm tjetër ka thënë:
nuk do të lejosh,
që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
36 Davidi, në kohën e tij, i shërbeu shestimit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet e u kalb. 37 Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb.
38 Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut. 39 Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë. 40 Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët:
41 shikoni o përbuzës,
mrekullohuni e zhdukuni,
se unë do të bëj një vepër të tillë
në ditët tuaja,
vepër që nuk do ta besonit kurrë,
edhe po t'ua thoshte dikush».
42 Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t'u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. 43 Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë.
44 Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. 45 Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali.
46 Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t'u drejtohemi kombeve. 47 Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu:
të kam caktuar të jesh
dritë për kombet,
që të çosh shpëtimin
deri në skajet e dheut».
48 Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin.
49 Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. 50 Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre.
51 Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon.
52 Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë.
KAPTINA XIII.
1 Edhe ndë kishë qi ishte ndë Antiohi ishinë disa profetën e mieshtra, Barnaba edhe Simoni qi quhei Niger, edhe Lukiu Kyreniani, edhe Manaeni qi ishte ushqyem bashkë me Herodinë katrurdhënarinë, edhe Sauli.
2 Edhe ata kur ishinë tue i shërbyem Zotit, e tue agjinuem, Shpirti Shenjt tha: Më dani veç Barnabën’ edhe Saulinë për ate punë qi i kam thërritunë.
3 Atëherë si agjinuen’ e u falnë edhe vunë duertë mbi ata, i lishuenë.
4 Këta pra mbassi u dërguenë prei Shpirtit Shenjt, sdrypnë ndë Seleuki, edhe prei andyj lundruenë për Kyprë.
5 Edhe kur erthnë ndë Salaminë, predikojinë fjalën’ e Perëndisë ndëpër syngagogat e Iudevet; edhe kishin’ edhe Gjionninë shërbëtuer.
6 Edhe si kaluen’ ujdhësënë deri ndë Pafë, gjetnë nji farë magjistari profet-rrenës Iude, qi e kishte emninë Bar-Iesu,
7 i cilli ishte bashkë me Serginë Paulinë prokonsullinë, nji burr të mençim; kyi thirri Barnabën’ edhe Saulinë, edhe kërkoi me ndëgjuem fjalën e Perëndisë.
8 Por Elyma magjistari (sepse kështu këthehet’ emëni i ati), u dilte kundrë atyne, e kërkonte me këthyem prokonsullinë prei besësë.
9 Por Sauli (i cilli quhet edhe Paul), si u mbush me Shpirtinë Shenjt, çoi sytë mb’ate, e tha:
10 O ti qi je plot me çdo farë gënjimi e me çdo farë pune të keqe, i bir’ i diallit, anëmiku i çdo farë dreitënie, nukë do të pushojsh tue prishun’ udhët’ e dreita të Zotit?
11 Edhe tashti, qe dora e Zotit tek ashtë mbi tyi, edhe do të mbesish i verbëtë, të mos shofish diellinë deri mbë nji kohë. Edhe përnjiherë ra mbi ate nji miegull’ e nji errësinë; edhe vinte rreth tue kërkuem nierës me e tërhekunë për dore.
12 Atëherë kur pa prokonsulli se qish u ba, besoi, tue u mërekulluem për mësimin’ e Zotit.
13 Pauli pra edhe ata qi ishinë rreth ati mbassi u ngritnë prei Pafësë, erthnë ndë Pergë të Pamfylisë; edhe Gjionni mbassi u da prei atyneve, u këthye ndë Ierusalem.
14 Edhe ata mbassi shkuenë prei Pergësë, erthnë ndë Antiohi të Pisidisë, edhe si hynë ndë synagogët ditën’ e shëtunë, ndejnë aty .
15 Edhe mbassi u këndue ligja edhe profetënitë, të parët’ e synagogësë dërguenë tek ata, tue thanë: O burra vëllazën, ndë paçi ndonji fjalë për me mësuem popullinë, thoni.
16 Edhe Pauli si u ngrit, edhe bani me dorë, tha: O burra Israelitë, edhe sa keni frikë Perëndinë, pa ndëgjoni.
17 Perëndia i këti popullit Israelit sgjodhi atënitë t’anë, edhe ngriti popullinë qi ishte i huej ndë dhe të Egjyptit, edhe me krah të naltë i nxuer prei andyj.
18 Edhe deri mbë nji kohë katër-dhetë viet i ushqeu ndë shkretinët.
19 Edhe mbassi rrenoi shtatë kombe ndë dhe të Hanaanit, u dau me shortë dhen’ e atyneve.
20 Edhe mbasandai katër qind e pesë-dhet’ e se sa viet u dha atyne gjyqtarë deri mbë ditë të Samuel Profetit.
21 Edhe mbasandai lypnë mbëret, edhe Perëndia u dha atyne Saulinë të birin’ e Kisit, burr prei farësë Beniaminit, katër-dhetë viet.
22 Edhe si e ngriti prei vendit, u vuni atyne Davidinë për mbëret; për të cillinë deshmoi, e tha: “Gjeta Davidinë të birin’ e Ieseut, nieri mbas zemrësë s’eme, i cilli ka me bamë gjithë dashunimet’ e mia”.
23 Prei farësë këti, sikurse ishte zotuem Perëndia, ngriti mbi Israelinë shëlbues, Iesunë,
24 për të cillinë Gjionni predikoi përpara mbi gjithë popullin’ e Israelit pagëzim pendese, para se të vijë ai.
25 Edhe Gjionni kur po mbaronte udhën’ e vet , thoshte: “Qish kujtoni se jam unë? Unë nukë jam ai , por qe te vien mbas mejet ai , të cillit unë s’jam i zoti me i sgjidhunë shollën’ e kambëvet”.
26 O burra vëllazën, të bijt’ e farës’ Abrahamit, edhe sa janë ndër ju qi kanë frikë Perëndinë, mbë ju u dërgue fjala e këti shpëtimi.
27 Sepse ata qi rrinë ndë Ierusalem, edhe të parët’ e atyneve, mbassi s’e ngjofnë këte, as fjalët’ e profetënavet qi këndohenë për çdo të shëtunë, i mbushnë ato , kur e gjukuenë për vdekë .
28 Edhe ndonëse s’gjetnë as ndonji faj për vdekë, lypnë prei Pilatit qi të vritetë.
29 Edhe mbassi mbaruenë gjith’ ato qi ishinë shkruem për ate, e sdrypnë prei drusë, edhe e vunë ndë vorr.
30 Por Perëndia e ngjalli prei së vdekunish:
31 i cilli u duk për shumë ditt mb’ata qi hypnë bashkë me ate prei Galilesë ndë Ierusalem, të cillëtë janë deshmitarët’ e ati te populli.
32 Edhe na po u apimë juve zanin’ e mirë, se ate të zotuemenë qi qe bamë mbë atënit,
33 Perëndia e mbushi mbë ne qi jemi bijt’ e atyneve, kur ngjalli Iesunë; sikurse ashtë shkruem edhe ndë psallmë të dytë: “Ti je biri em: sot ti ke lemë prei meje”.
34 Edhe se e ngjalli ate prei së vdekunish, për mos me u këthyem ma ndë të vdierrë, kështu ka thanë: “Se unë kam me u dhanë juve të dreitat’ e Davidit qi u zotova me besë”.
35 Perëndai edhe ndë nji tietër psallmë thotë: “Se s’ke me dhanë të dreitinë tand për me pamë të vdierrë”.
36 Sepse Davidi mbassi pat shërbyem mbas andësë Perëndisë ndë jetë të vet, fjeti, edhe u vu tek atënit e vet, edhe pa të vdierrë,
37 por ai qi e ngjalli Perëndia, nukë pa të vdierrë.
38 Qoft’ e ditunë pra mbë ju, o burra vëllazën, se me anë të këti predikohetë ndëjesë fajesh mbë ju;
39 edhe prei gjith’ atyne punëvet qi s’muftët me dalunë të dreitë me anë të ligjësë Moiseut, me anë të këti kushdo qi beson del i dreitë.
40 Shikoni pra, se mos vijë mbi ju ajo qi ashtë thanë prei profetënavet:
41 “Shikoni ju qi s’e zini për gja, edhe mërekullohi, edhe hupni, sepse unë kam me punuem nji punë ndër ditt tueja, nji punë qi s’keni me e besuem, ndë u diftoftë juve kushi”.
42 Edhe Iudeitë kur po dilinë prei synagoget, luteshinë kombetë t’u fliten’ edhe atyneve këto fjalë të shëtunënë qi vien.
43 Edhe synagoga si u përda, shumë vetë prei Iudevet edhe prei të këthyemivet bestarëvet votnë mbrapa Paulit edhe Barnabësë, të cillëtë, tue u folun’ atyne, u mbushin’ atyne mendienë të mbesinë ndë hir të Perëndisë.
44 Edhe të shëtunënë qi erth u mbëloth afër gjithë qyteti me ndëgjuem fjalën’ e Perëndisë.
45 Por Iudeitë kur panë gjindëjenë, u mbushnë me zmir, edhe flisinë kundrë atyne punëvet qi thoshte Pauli, tue folunë kundrë e tue vlasfimuem.
46 Atëherë Pauli edhe Barnaba folnë me sy çelë, e thanë: Mbë ju ishte nevojë ma përpara me u folunë fjala e Perëndisë, por ju mbassi e hethni poshtë, edhe nukë gjukoni vetëvetëhenë për me u bamë të zotënit’ e jetësë pasosëme, qe te po këthehemi ndër kombet,
47 sepse kështu na ka porositunë Zoti, tue thanë : “Të kam vumë për dritë kombesh, qi të jeshë për shpëtim deri mbë kant të dheut”.
48 Edhe kombetë kur ndëgjuenë, gëzoheshin’ edhe lavdojinë fjalën’ e Zotit; edhe gjithë sa ishin’ urdhënuem për jetën’ e pasosëme, besuenë.
49 Edhe fjala e Zotit përhapei ndëpër gjith’ ate vend.
50 Por Iudeitë shtinë gratë qi kishinë besë e ishinë me shenjë, edhe të parët’ e qytetit, edhe ngritnë ndiekëje kundrë Paulit e Barnabësë, edhe i nxuernë prei synoresh veta.
51 Por ata shkundnë pluhunin’ e kambëvet kundrë atyneve, edhe erthnë ndë Ikoni,
52 Edhe dishepujtë mbusheshinë me gëzim e me Shpirtinë Shenjt.