Pali te Feliksi në Cezare
1 Pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Hananiah bashkë me disa pleq dhe me një gojëtar që quhej Tertul. Ata i shpjeguan qeveritarit çfarë kishin kundër Palit. 2 Kur thirrën Palin, Tertuli filloi të parashtronte padinë kundër tij e tha: «I nderuar shkëlqesi Feliks, falë teje kemi gëzuar paqe për shumë kohë e falë përkujdesjes sate janë bërë ndryshime të mëdha për këtë popull. 3 Ne ndiejmë mirënjohje të thellë për këtë gjë, gjithmonë e kudo. 4 Por, pa dashur të të mërzit më shumë, të lutem të kesh mirësinë të na dëgjosh shkurtimisht.
5 Ne kemi parë se ky njeri nxit trazira dhe i shtyn të gjithë judenjtë nëpër botë për kryengritje. Ai është kryetari i sektit të nazaretasve. 6 Madje, ai u mundua të përdhoste edhe tempullin, por ne e kapëm . 7-8 Ti do ta gjykosh vetë dhe do të mund të mësosh prej tij gjithçka për të cilën po e padisim».
9 Me këtë padi u bashkuan edhe judenjtë e tjerë dhe thanë se gjërat qëndronin ashtu.
Mbrojtja e Palit para Feliksit
10 Kur qeveritari i bëri me shenjë të fliste, Pali u përgjigj: «Meqenëse e di se ke vite që je gjykatës i këtij populli, kam besim te ti për të bërë mbrojtjen time.
11 Ti mund ta vërtetosh se nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që kam shkuar në Jerusalem për të adhuruar në tempull. 12 Këta nuk më kanë gjetur duke biseduar me ndokënd në tempull apo duke nxitur ndonjë turmë as nëpër sinagoga, as në qytet. 13 Ata nuk mund ta vërtetojnë padinë ndaj meje.
14 Por, po të dëshmoj se sipas Udhës së Zotit Jezu, të cilën ata e quajnë sekt, unë adhuroj Perëndinë e etërve tanë, duke besuar gjithçka që është shkruar në ligjin dhe në librat e profetëve. 15 Unë kam shpresë në Perëndinë, atë shpresë që edhe ata vetë e pranojnë, se të drejtët dhe të padrejtët do të ngjallen. 16 Prandaj përpiqem ta kem ndërgjegjen të panjollosur para Perëndisë e para të gjithë njerëzve.
17 Tani, pas shumë vitesh, u ktheva në Jerusalem për t'i sjellë ndihma popullit tim e për t'i kushtuar flijime Perëndisë. 18 Kur po kryeja ritin e pastrimit, judenjtë më gjetën në tempull dhe aty nuk kishte as turma e as trazirë. 19 Aty gjendeshin disa judenj nga Azia dhe po të kishin ndonjë gjë kundër meje duhej të vinin ata te ti për të ngritur padi. 20 Megjithatë, le ta thonë këta vetë çfarë faji kanë gjetur tek unë kur dola për t'u gjykuar para sinedrit, 21 me përjashtim ndoshta të atyre fjalëve që thashë me zë të lartë para tyre: “Unë po gjykohem sot nga ju, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve”».
22 Por Feliksi, që e njihte mirë Udhën e Zotit Jezu, u tha: «Do të vendos për çështjen tuaj kur të vijë Lisia, kryemijësi» dhe kështu e shtyu gjyqin. 23 Pastaj e urdhëroi kryeqindësin ta ruante Palin, por t'i lejonte edhe njëfarë lirie e të mos pengonte asnjë nga miqtë e tij të kujdesej për nevojat që kishte .
Pali nën mbikëqyrje
24 Pas disa ditësh, kur erdhi Feliksi me gruan e vet Drusilën, që ishte judease, thirri Palin dhe dëgjoi prej tij për besimin në Krishtin Jezu. 25 Kur Pali foli për drejtësinë, vetëpërmbajtjen dhe gjykimin e ardhshëm, Feliksi u tremb e i tha: «Tani për tani mund të shkosh. Do të të thërras kur të kem kohë». 26 Ndërkohë shpresonte se Pali do t'i jepte para , prandaj e thërriste shpesh e fliste me të.
27 Si kaluan dy vjet, pas Feliksit erdhi Porc Festi dhe Feliksi, meqë donte t'u bënte një nder judenjve, e la Palin në burg.
KAPTINA XXIV.
1 Edhe mbas pesë ditsh sdrypi Anani krye-prifti bashkë me pleqt’ edhe me nji farë fjalori qi quhei Tertyl, të cillëtë duelnë përpara guvernatorit kundrë Paulit.
2 Edhe kur u thirr me dalunë përpara ai , Tertyli filloi me përfolunë, tue thanë:
3 Na kemi shumë paqtim prei teje, o i pushtetshim Felik, edhe bahenë punë të mëdha te kyi komp prei paramendiesë s’ate, përherë e gjithë-kundi i presimë me shumë të falunë nders.
4 Por mos me të munduem tepërë, të lutem me na ndëgjuem pak fjalë me butësininë tande.
5 Sepse gjetëm këte nieri se përlyen të tierë , edhe shtyn gjithë Iudeitë qi janë ndëpër botët të ngrenë krye, edhe asht’ i pari i eresisë Nazoreasavet,
6 i cilli deshi me ndymë edhe tempullinë, edhe na e zum, edhe deshëm me e gjukuem mbas ligjësë s’onë.
7 Por erdhi kapitan Lysia, e na e rrëmbeu prei duersh me përdhunë,
8 edhe urdhënoi ata qi e përflisinë me ardhunë te ti; ti vetë si ta pyesish, do të mundesh me marrë vesht për këto të gjitha qi e përflasimë.
9 - Rrëfyenë bashkë me ate edhe Iudeitë, tue thanë, se këto janë kështu.
10 Atëherë Pauli mbassi i bani shenjë guvernatori me folunë, u pergjeq: Mbassi e dij se ke shumë viet qi je gjyqtar te kyi komp, ap fjalë për vetëvetëhenë me zemërë të gëzuemë,
11 sepse mundesh me marrë vesht, se nukë janë ma tepërë se dy-mbë-dhetë ditt, çë kurrë se hypa ndë Ierusalem me adhuruem.
12 Edhe as ndë tempull më gjetnë tue ligjëruem me kend, a tue ngritunë mbë kambë gjindëjenë, as ndëpër synagogat, as ndë qytet;
13 as mundenë me provuem ato fjalë qi më përflasinë tashti,
14 Por rrëfej këte te ti, se mbas udhësë qi këta i thon’ eresi, kështu lus Perëndinë e përindvet mi, tue u besuem gjith’ atyne qi janë shkruem ndë ligjët edhe ndër profetënit;
15 edhe kam shpëresë mbë Perëndinë, të cillën’ edhe këta vetë presinë, se ka për me u bamë të ngjallunë prei së vdekunish, të dreitëve e të shtrembëtëve.
16 Edhe për këte unë mundoj vetëhenë, qi të kemi përherë ndërgjegjëje pa faj te Perëndia edhe te nierëzit.
17 Edhe tashti mbas shumë vietsh erdha me bamë lëmoshëna kombit t’em, edhe me prumë dhunëtia.
18 Edhe ndërmiet këtyneve disa Iudei prei Asisë më gjetnë qiruem ndë tempull, jo me gjindëje, as me trubullim,
19 të cillëtë duhet me dalunë përpara teje, e të më përflisinë, ndë kishinë gja kundrë meje.
20 A këta vetë le të thonë, ndë paçinë gjetunë ndonji të shtrembëtë tek unë, kur dola përpara bashkë-ndejtiesë,
21 veçe ndë qoftë për këte za të vetëmë, qi thërrita tue ndenjunë ndërmiet atyneve, se unë po gjukohem prei jush sot për të ngjallunë prei së vdekunish.
22 Edhe Feliku si ndëgjoi këto, urdhënoi me ardhunë nji ditë tietërë, sepse i dinte fort mirë punët’ e kësai udhe, edhe tha: Kur të sdrypi kapitan Lysia, kam me marrë vesht ma mirë punëtë tuaja.
23 Edhe urdhënoi urdhën-qindësinë me u rueitunë Pauli, edhe me pasunë të prajtunë, edhe mos me ndalunë kend prei të vetëvet me i shërbyem, a me ardhunë tek ai.
24 Edhe mbas disa ditsh kur erdhi Feliku bashkë me gruen’ e vet Drusillënë, qi ishte Iudeonjë, çoi, e thërriti Paulinë, edhe ndëgjoi prei ati për besënë mbë Krishtinë.
25 Edhe ai kur po fliste për dreitëni, e për të përmbaitëmen’ e vetëhesë, edhe për gjyqinë qi ka me ardhunë, Felikut i hyni frikë, e u përgjeq: Tashti shko; edhe kur të kemi kohë do të çoj me të thirrunë prap.
26 Edhe shpërente se Pauli kishte me i dhanë astër, për me e lishuem, përandai çonte, edhe e thërriste shpesh, edhe fliste me ate.
27 Por mbassi u mbushnë dy viet, Porkiu Festi erdhi në kambë të Felikut, edhe Feliku donte me u bam’ andënë Iudevet, e la Paulinë lidhunë.