Pranimi i Palit
1 Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën e mora me vete edhe Titin. 2 Shkova se kështu më tha Perëndia në një zbulesë dhe u shtjellova ungjillin që predikoj ndër kombet, veçanërisht njerëzve më të shquar, që të mos shkonte kot mundi që kam bërë e po bëj për ju .
3 Edhe Titi, që ishte me mua, megjithëse helen, nuk u detyrua të rrethpritej, 4 pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë që kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë, që kemi përmes Krishtit Jezu, e për të na robëruar. 5 Ne nuk iu nënshtruam këtyre as për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju.
6 Ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm, e unë nuk dua t'ia di çfarë ishin, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme, nuk i shtuan asgjë predikimit tim. 7 Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët m'u besua mua, sikurse Pjetrit iu besua ungjilli për të rrethprerët. 8 Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet.
9 Jakobi, Pjetri e Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, duke e njohur hirin që më ishte dhënë, na shtrënguan dorën në shenjë miqësie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet e ata ndër të rrethprerët. 10 Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje.
Pali qorton Pjetrin
11 Por, kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy, sepse ishte për t'u qortuar. 12 Para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë nga kombet, ndërsa, kur erdhën ata, u tërhoq e u nda veçmas prej frikës nga besimtarët e rrethprerë. 13 Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre. 14 Kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve: «Nëse ti, që je jude, sillesh si kombet e jo si jude, si mund t'i detyrosh besimtarët nga kombet të sillen si judenj?».
Shpëtimi përmes besimit
15 Ne vetë, që jemi lindur judenj dhe nuk jemi nga kombet mëkatare, 16 e dimë se njeriu nuk bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ligji, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe besuam në Krishtin Jezu, që të bëhemi të drejtë nga besimi në Krishtin e jo nga veprat që kërkon ligji, sepse askush nuk do të bëhet i drejtë nga veprat e ligjit.
17 Nëse ne, që kërkojmë të bëhemi të drejtë përmes Krishtit, del se jemi mëkatarë si të tjerët, mos vallë Krishti i shërben mëkatit? Larg qoftë! 18 Po të ndërtoja sërish këto gjëra, që i rrëzova, unë do të isha bërë vetë shkelës i ligjit. 19 Kështu, përmes ligjit jam i vdekur për ligjin, që të jetoj për Perëndinë. Jam kryqëzuar me Krishtin 20 e nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë, që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi e dha veten për mua. 21 Unë nuk e mohoj hirin e Perëndisë, sepse, në u bëka i drejtë njeriu përmes ligjit, atëherë Krishti paska vdekur më kot.
KAPTINA II.
1 Mbasandai mbas dy-mbë-dhetë vieç për-së-ri hipa ndë Ierusalem bashkë me Barnabënë, si mora me vetëhe edhe Titonë.
2 Edhe hipa me të sbulueme prei Perëndisë , edhe u diftova atyne ate ungjillinë qi predikoj ndër kombet, por ma tepërë ndër ata qi dukeshinë ma të nderëshim, druese mos ecij, e eca, mbë të kotë.
3 Por as Titua qi qe bashkë me mue, ndonëse ishte Grek, s’u shtrëngue me u rreth-premë.
4 Por vëllazën-rrenësitë futunë viedhazë, qi ata hynë pshefazë me vum’ ore të lirëtë t’onë qi kemi mbë Iesu Krishtinë, për me na bamë shërbëtorë.
5 Atyneve as për nji orë s’u ulëm kryetë me u ndëgjuem, qi të mbesi te ju e vërteta e ungjillit.
6 Por për ata qi u dukei se di qish janë, si do qi t’ishinë, s’kam kujdes as pak: Perëndia s’ve ore ndë faqe të nieriut, sepse ata qi u dukei se di qish janë , nukë shtuenë gja tek unë,
7 por kundrë kësai, kur panë se m’u zu besë me m’u dhanë ungjilli i parreth-presëjesë, porsi Pietrit iu dha ungjilli i rreth-presëjesë
8 (sepse ai qi veproi mbë Pietrinë qi ta dërgojë te të rreth-premit, vepëroi edhe mbë mue të më dërgojë te kombet).
9 Edhe si ngjofnë hirinë qi m’u dha, Iakobi e Kefai e Gjionni, ata qi dukeshinë se ishinë shtylla, më dhanë mue edhe Barnabësë duert’ e diathta për shenj të shoqënisë, qi na të vemi ndër kombet, e ata ndër të rreth-premit.
10 Veçse na porositnë të kuitoimë të vobegjitë, edhe këte punë nxitova me e bamë.
11 edhe kur erdhi Pietri ndë Antiohi, i dola kundrë mballa-faqe, sepse ishte për të qartuem,
12 sepse pa ardhunë disa vetë prei Iakobit, hante bashkë me kombet, por kur erthnë, tërhiqei edhe dante veç vetëvetëhenë, sepse kishte frikë ata qi ishinë prei rreth-presëjesë.
13 Edhe bashkë me ate u tërhoqnë veç edhe Iudejt’ e tierë, kaqi sa edhe Barnaba u tërhoq ndë hipokrisi t’atyneve.
14 Por kur pash’ unë, se s’ecinë dreitë ndë të vërtet t’ungjillit, i thashë Pietrit përpara të gjithëve: Ndë qoftë se ti, tue qenunë Iude, rron porsi kombetë, e jo porsi Iudejtë, përse ngut kombetë me rruem porsi Iudejtë?
15 Na qi jemi prei natyret Iudej, e jo prei kombesh fajtorë,
16 tue ditunë se s’del i dreitë nieriu prei punës ligjësë, veç me anë të besësë Iesu Krishtit; edhe na i besuem Iesu Krishtit, qi të dalimë të dreitë prei besësë Krishtit, e jo prei punës ligjësë,
17 sepse as ndonji korp s’ka me dalun’ i dreitë prei punës ligjësë. Por ndë qoftë se tue kërkuem të dalimë të dreitë mbë Krishtinë, u gjetëm edhe fajtorë, vallë Krishti qenëka punëtuer i fajit? Qoftë lark.
18 Sepse ndë ndërtofsha për-së-ri ato qi prisha, baj vetëhenë t’eme porosi-prishës.
19 Sepse unë me anë të ligjësë vdiqa ndë ligjë, qi të rroj mbë Perëndinë.
20 U kryqëzueshë bashkë me Krishtinë; edhe unë ma s’rroj, por Krishti rron mbë mue; edhe ajo qi rroj unë tashti ndë misht, rroj ndë besë të Birit Perëndisë, i cilli më deshi, edhe dha ndër duer vetëvetëhenë për mue.
21 Nuk’ e heth poshtë hirin’ e Perëndisë, sepse ndë qoftë ndreitënia me anë të ligjësë, vallë Krishti vdiq kot.