Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11Mk 1.12-13)1 Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. 2 Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. 3 Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». 4 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». 5 Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast 6 e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. 7 Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». 8 Dhe Jezui i tha : «Është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij ».
9 Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, 10 sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
11 dhe:
do të të mbajnë në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur ».
12 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ».
13 Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe.
Shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17Mk 1.14-15)14 Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. 15 Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin.
Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58Mk 6.1-6)16 Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar 17 dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18 «Shpirti i Zotit është mbi mua,
sepse ai më ka vajosur
për t'u shpallur ungjillin të varfërve .
Më ka dërguar
për t'u shpallur robërve lirinë
e për t'u kthyer të verbërve shikimin,
për të çliruar të shtypurit
19 e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ».
20 E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. 21 Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj».
22 Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». 23 Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». 24 Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. 25 Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. 26 Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. 27 Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».
28 Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. 29 U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. 30 Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Mk 1.21-28)31 Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. 32 Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet. 33 Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një djalli të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë: 34 «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 35 Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar. 36 Të gjithë u mrekulluan e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin». 37 Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina.
Shërimi i shumë vetave
(Mt 8.14-17Mk 1.29-34)38 Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. 39 Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t'u shërbente.
40 Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. 41 Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
Predikimi nëpër Jude
(Mk 1.35-39)42 Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, 43 por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». 44 Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.
KAPTINA IV.
1 Edhe Iesui plot me Shpirtinë Shenjt u këthye prei Iordanit, edhe u pru prei Shpirtit ndë shkretinët,
2 tue u ngamë prei diallit katër-dhetë ditt. Edhe nukë hangër kurgja nd’ato ditt; edhe si u mbaruen’ ato, mbasandai i erdhi u.
3 Edhe dialli i tha: Ndë je i Bir’ i Perëndisë, thuei këti guri të bahetë bukë.
4 Edhe Iesui iu përgjeq, tue thanë: Ashtë shkruem - “Se nieriu s’ka me rruem vetëmë me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë”.
5 Edhe dialli e hipi mbë nji mal të lartë. Edhe diftoi gjithë mbëretëniat’ e botësë për nji grimë herë.
6 Edhe dialli i tha: Kam me të dhanë gjithë këte pushtet, edhe laftin’ e atyne, sepse ashtë dhanë n’dorë mejet; edhe ia ap kuit të demi.
7 Ti pra ndë më adhurofsh, këto të gjitha kanë me qenunë të tuatë.
8 Por Iesui u përgjeq, e i tha: “Shporru mbrapa meje Satana, sepse ashtë shkruem - Ke me adhuruem Zotinë Perëndinë tand, edhe ati vetëmë ke me iu lutunë”.
9 Edhe ai e pruni ndë Ierusalem, edhe e qindroi mbi fletëzë të tempullit, edhe i tha: Ndë je i Bir’ i Perëndisë, hith vetëhenë tande poshtë prei këndyj,
10 sepse ashtë shkruem - “Se ka me urdhënuem engjujt’ e vet për tyi, për me të rueitunë”;
11 edhe: “Se kanë me të ngritunë mbi duer, për mos me shqitunë kambënë tande mbë gur”.
12 Edhe Iesui u përgjeq, e i tha, se ashtë thanë: “S’ke me ngamë Zotinë Perëndinë tand”.
13 Edhe dialli mbassi mbaroi çdo ngasëje, u largue prei ati për disa kohë.
14 Edhe Iesui u këthye me fuqin’ e Shpirtit ndë Galile; edhe duel za për atë ndëpër gjith’ atë nahijenë.
15 Edhe ai mësonte ndëpër synagogat’ e atyneve, tue u lavduem prei së gjithësh.
16 Edhe erdhi ndë Nazaret, atie ku ishte rritunë; edhe, sikurse e kishte zakon, hyni ndë synagogët për ditë së shëtunash, edhe u ngrit me kënduem.
17 Edhe ata i dhanë nji libër të profetit Isaisë. Edhe si çeli librinë, gjeti ate vendinë qi ishte shkruem:
18 “Shpirti Zotit ashtë mbi mue, përandai më leu me voj , më dërgoi me u dhanë zanin’ e mirë të vobeqvet, me shëndoshun’ ata qi kanë thyem zemrënë, me predikuem dëlirëni robnavet, edhe të verbënavet të çelunit’ e syvet, me dërguem të shtrëngueshmitë ndë dëlirëni,
19 me predikuem motinë të pëlqyeshim te Zoti”.
20 Edhe si mbylli librinë, ia dha shërbëtorit, edhe ndejti. Edhe të gjith’ ata qi ishinë ndë synagogët i kishinë çuem sytë mbi ate.
21 Edhe filloi me u than’ atyne, se: Sot u mbush këjo shkronjë ndër veshët tuei.
22 Edhe të gjithë bajshinë deshmi mb’ate, edhe mërekulloheshinë për fjalët e hirit qi delshinë prei gojës’ ati, edhe thoshinë: Nuk’ ashtë kyi i bir’ i Iosefit?
23 Edhe ai u tha atyne: Për të vërtet keni me më thanë këte parabullë: - Mjekës, shëndosh vetëvetëhenë; sa ndëgjuem se janë bamë ndë Kapernaumë, ban edhe këtu ndë dhet tand.
24 Por ai tha: Për të vërtet po u thom juve, se as ndonji profet nuk’asht i pëlqyeshim ndë dhet të vet.
25 Edhe për të vërtet po u thom juve: Shumë gra të veja ishinë ndë Israel ndë ditt të Eliut, ku u mbyll qielli tre viet e gjashtë muej, kur u ba nji zi e madhe mbë gjithë dhenë;
26 por as te ndonjiana prei asosh s’u dërgue Eliu, veç te grueja e ve ndë Sarepta të Sidonësë.
27 Edhe shumë të kromosun’ ishinë ndë Israel në ditt të profetit Eliseut; por as ndonji prei asish s’u qirue, veç Meeman Syriani.
28 Edhe gjith ata qi ishinë ndë synagogët kur ndëgjuenë këto, u mbushnë me zemërim,
29 edhe u ngritnë, edhe u nxuernë jashtë qytetit, edhe e prunë ngjysh ndë buzë të malit, atie ku ishte qytet’ i atyne, për me e rrëxuem poshtë.
30 Por ai shkoi ndëpër miedis t’atyne, edhe iku.
31 Edhe sdripi ndë Kapernaumë, qytetin’ e Galilesë, edhe ishte tue i mesuem ndër të shëtunat.
32 Edhe tëmeroheshinë për mësimin’ e ati, sepse fjala e ati ishte me pushtet.
33 Edhe ndë synagogët ishte nji nieri qi kishte shpirt dialli të ndytë, edhe bërtiti me za të madh, tue thanë:
34 Mjer! Qish ke me ne edhe ti, Iesu Nazarinas? Erdhe me na hupunë? Të dij se cilli je, Shenjt’ i Perëndisë.
35 Por Iesui e qirtoi, tue thanë: Mbëlith gojënë, edhe dil prei ati. Edhe dialli si e hodhi ndë miedis, duel prei ati pa i bamë ndonji dam.
36 Edhe të gjithë u habitnë, edhe flitshinë njiani me tietrinë, tue thanë: Qish ashtë këjo fjalë! Se urdhënon shpirtënat’ e ndytë me pushtet e me fuqi, edhe dalinë.
37 Edhe dilte za për ate mbë çdo vend të asai nahije.
38 Edhe ai u ngrit prei synagogës’, e hyni ndë shtëpit të Simonit. Edhe të vieherrën’ e Simonit e kishinë zan’ ethe të forta; edhe iu lutnë për ate.
39 Edhe ai si ndejti sipër asai, qirtoi ethet, edhe e lanë; edhe ajo përnjiherë u ngrit, e u shërbente atyne.
40 Edhe kur ishte tue perënduem dielli, gjithë sa kishinë të sëmunë prei gjithë çfarë lingatash i prunë tek ai; edhe ai si vuni duertë mbë gjithë-se-cillinë prei asish, i shëndoshi.
41 Edhe prei shumë vetësh delshin’ edhe djemën, tue gërthitun’ e tue thanë, se: Ti je Krishti i Bir’ i Perëndisë. Edhe ai tue i qirtuem s’i lente me folunë, sepse e dijshinë se ai ashtë Krishti.
42 Edhe si u ba ditë, duel e voti ndë nji vend të shkretë; edhe gjindëja e kërkojshinë, edhe erthnë ngjysh aty, edhe e mbajshinë, për mos me ikunë prei asish.
43 Por ai u tha atyne, se: Duhetë me dhanë zanin’ e mirë për mbëretënin’ e Perëndisë edhe ndëpër të tierat qytete, sepse për këte punë jam dërguem.
44 Edhe ishte tue predikuem ndëpër synagogat e Galilesë.