Dy dëshmitarët
1 Pastaj më dhanë një shkop matës që ngjante me një skeptër dhe më thanë: «Ngrihu e mat tempullin e Perëndisë dhe altarin e numëro ata që adhurojnë atje. 2 Oborrin e jashtëm të tempullit lëre mënjanë e mos e mat, sepse u është dhënë kombeve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj. 3 Gjatë atyre një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditëve do të dërgoj dy dëshmitarët e mi të veshur me rroba zie për të profetizuar.
4 Këta janë dy ullinjtë dhe dy shandanët që qëndrojnë para Zotit të tokës. 5 Nëse dikush dëshiron t'u bëjë keq, nga goja e tyre do të dalë zjarr që do t'i përpijë armiqtë e tyre. Kështu do të vritet ai që dëshiron t'u bëjë keq. 6 Ata kanë pushtet për të mbyllur qiellin, që të mos bjerë asnjë pikë shi gjatë ditëve kur ata do të profetizojnë. Kanë edhe pushtet t'i kthejnë ujërat në gjak dhe ta godasin tokën me epidemi sa herë të duan.
7 Kur të kenë mbaruar së dëshmuari, bisha që ngjitet prej humnerës do të bëjë luftë me ta, do t'i mundë e do t'i vrasë. 8 Kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili në mënyrë simbolike quhet Sodomë dhe Egjipt, qyteti ku u kryqëzua Zoti i tyre.
9 Njerëzit nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët e kombet do t'i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë t'i varrosin. 10 Banorët e tokës do të gëzohen për ta, do të festojnë e do t'i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i kishin munduar. 11 Por, pas tri ditë e gjysmë shpirti i jetës erdhi nga Perëndia dhe hyri tek ata. Dy dëshmitarët u ngritën në këmbë dhe ata që i shikonin i zuri një frikë e madhe.
12 Atëherë dëgjuan një zë të fortë nga qielli që u tha: “Ngjituni këtu lart!”. Ata u ngjitën në qiell mbi një re dhe armiqtë e tyre i panë. 13 Në atë çast ra një tërmet i madh dhe u shkatërrua një e dhjeta e qytetit. Nga tërmeti u vranë shtatë mijë njerëz, ndërsa të tjerëve u hyri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit».
14 Mjerimi i dytë shkoi. Ja ku po vjen me shpejtësi mjerimi i tretë.
Trumbeta e shtatë
15 I ra trumbetës engjëlli i shtatë. Atëherë në qiell u dëgjuan zëra të lartë që thoshin:
«Mbretërimi i botës i përket Zotit tonë
dhe Krishtit të tij,
ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve».
16 Njëzet e katër pleqtë që qëndronin të ulur nëpër frone para Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 17 kështu:
«Të falënderojmë, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,
që je e që ishe ,
sepse e more në dorë fuqinë tënde të madhe
dhe mbretëron.
18 Kombet u zemëruan,
por ja ku erdhi zemërimi yt!
Erdhi koha për të gjykuar të vdekurit,
për t'u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të tu,
profetëve, të shenjtëve, atyre që e druajnë emrin tënd,
të vegjëlve e të mëdhenjve
dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën».
19 Pastaj u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe atje u duk arka e besëlidhjes së tij. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima, tërmet dhe një breshër i fortë.
KAPTINA XI.
1 Edhe m’u dha nji kallam qi gjante porsi shkop; edhe engjulli rrinte e më thoshte: Ngreu, edhe mat tempullin’ e Hyjit, edhe therorenë, edhe ata qi adhurojënë nd’atë,
2 por oborrinë qi ashtë përjashta tempullit lene jashtë, edhe mos e mat, sepse u dha mbë kombet; edhe qytetinë shenjt kanë me e shkelunë katër-dhet’ e dy muej.
3 Edhe kam me u dhanë të dy deshmitarëvet mi, edhe do të profetizojënë nji mijë e dy qind e gjashtë-dhetë ditt, veshunë me thasë.
4 Këta janë dy drunat’ e ullinit, edhe dy kandiletë qi rrinë përpara Hyjit dheut.
5 Edhe ndë dashtë kushi me u bamë dam, del ziarrm prei gojës’ atyne, edhe ha anëmiqt’ e atyne; edhe ndë dashtë kushi me u bamë dam, kështu duhetë me u vram’ ai.
6 Këta kanë pushtet me mbyllunë qiellinë, për mos me ranë si ndë ditt të profezis’ atyne; edhe kanë pushtet mbi ujënat me i këthyem mbë gjak, edhe me i ranë dheut me qish-do farë plage, sa herë të denë.
7 Edhe kur të mbarojënë deshmin’ e vet, bisha qi del prei abyssit ka me bamë luftë me ata, edhe ka me i mundunë, edhe ka me i vramë.
8 Edhe korpënat’ e atyneve kanë me u dergjunë mbi rrugën’ e qytetit math, qi quhetë shpirtënisht Sodomë edhe Egjyptë, atie ku u kryqëzue edhe Zoti ynë.
9 Edhe kanë me pamë shumë vetë prei popujvet e prei faravet e prei gjuhënavet e prei kombevet korpënat’ e atyneve tri ditt e gjymës, edhe s’kanë me lanë korpënat’ e atyneve me i vumë ndër vorret.
10 Edhe ata qi rrinë mbë dhet kanë me u gëzuem për ata, e kanë me u gazëmuem; edhe kanë me i dërguem dhunëti njani tietërit, sepse këta të dy profetënitë munduen’ ata qi rrinë mbë dhet.
11 Edhe mbas tri ditsh e gjymës hyni mb’ata frymë jete prei Hyjit; edhe qindruenë mbë kambë të veta, edhe i muer frik’ e madhe ata qi i shifshinë.
12 Edhe ndëgjuenë nji za të math prei qiellit qi u thoshte: Hipni këtu. Edhe hipnë mbë qiellt mbë ret, edhe anëmiqt’ e atyneve i panë.
13 Edhe nd’ate orë u ba nji dhe-lëkundie e madhe, edhe e dhetta qytetit ra, edhe u vranë ndë dhe-lëkundiet shtatë mijë emëna njerëzish; edhe të tietër’ i muer frika, edhe i dhanë lavdi Hyjit qiellit.
14 E dyta mier shkoi, nje e treta te po vien shpeit.
15 Edhe i shtatti engjull’ i ra trumbetësë, edhe u banë zana të mëdha ndë qiellt qi thoshinë: Regjëniat’ e botës’ u banë të Zotit t’ynë, edhe të Krishtit ati, edhe ka me regjënuem ndë jetët të jetëvet.
16 Edhe të njizet e katër pleqtë, qi janë ndenjunë mbë shqembet e vet përpara Hyjit, ranë me faqe për dhe, edhe adhuruenë Hyjinë,
17 tue thanë: Falemi ndersë teje, o Zoti Hyj gjithë-pushtetësi, ai qi asht’ edhe qi ishte edhe qi vien, sepse more fuqinë tate të madhenë, edhe regjënove.
18 Edhe kombet’ u zemëruenë, edhe erdhi zemërimi yt; edhe koha e të vdekëvet, qi të gjukohenë, edhe të apish pagënë mbë shërbëtorët e tu profetënitë, edhe mbë shenjtënat, edhe mb’ata qi kanë frikë emëninë tat, mbë të vegjëlit edhe mbë të mëdhejt, edhe të vdierrish ata qi vdornë dhenë.
19 Edhe u çel tempulli i Hyjit ndë qiell, edhe u duk arka e dhiatës’ ati ndë tempull t’ati; edhe u banë vetima e zana e bumbullima e dhe-lëkundie e breshën i math.