Një shenjë
(Mk 8.11-13Lk 12.54-56)
1 Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. 2 Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. 3 Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? 4 Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre.
Tharmi i farisenjve dhe saducenjve
(Mk 8.14-21)
5 Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. 6 Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». 7 Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». 8 Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? 9 Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? 10 Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? 11 Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». 12 Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
Pohimi i Pjetrit
(Mk 8.27-30Lk 9.18-21)
13 Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». 14 Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». 15 Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». 16 Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». 17 Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! 18 Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. 19 Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». 20 Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mk 8.31—9.1Lk 9.22-27)
21 Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. 22 Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». 23 Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». 24 Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 25 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë. 26 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Apo çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 27 Biri i njeriut do të vijë me engjëjt e tij në lavdinë e Atit të vet dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas veprave të veta. 28 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do të provojnë vdekjen pa e parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij».
KAPTINA XVI.
1 Edhe erthnë përanë Fariseit’ e Saddukeitë, edhe tue ngam’ atë, lypshinë me i diftuem atyneve shenjë prei qiellit.
2 Por ai u përgjeq, e u tha atyneve: Kur bahetë mbramie, thoni, se ka me u bamë Koh’ e mirë, sepse qielli asht’ i kuq.
3 Edhe ndë mëngjes, se: Sot ka me u bamë dimënë, sepse qielli asht i kuq, e i vranëtë. Hipokritëna, faqen’ e qiellit dini me e ngjofunë; por shenjet’ e kohëvet nukë mundeni?
4 Bres i keq edhe kurvar lypën shenjë; edhe shenjë s’ka me iu dhanë, përveç shenjit profetit Iona. Edhe i la, e iku.
5 Edhe dishepujt’ e ati si erthnë përtej, harruenë me marrë bukë.
6 Edhe Iesui u tha atyneve: Shikoni, edhe kini kujdes prei brumit Farisevet e Saddukevet.
7 Edhe ata mendoheshinë me vetëvetëhenë, tue thanë, se: Nukë muerm bukë.
8 Edhe Iesui si muer vesht, u tha atyneve: Qish mendoheni me vetevetëhenë, o besë-pakë, se nukë muertë bukë?
9 Edhe s’po merrni vesht, as nukë kujtoni pesë bukët’ e katër mijëvet, edhe sa kofina muertë?
10 As shtatë bukët’ e katër mijëvet, edhe sa shporta muertë?
11 Qysh nukë merrni vesht, se nuk’ u thashë juve për bukë, me pasunë kujdes prei brumit Farisevet e Saddukevet?
12 Atëherë e muerrnë vesht, se nukë tha më pasunë kujdes prei brumit bukësë, por prei mësimit Farisevet e Saddukevet.
13 Edhe Iesui kur erdhi mb’anët e Kaisarisë Filippit, pyeste dishepujt’ e vet, tue thanë: Cilli thonë nierëzitë, se jam un’ i bir’ i nieriut?
14 Edhe ata thanë: Disa thonë Gjionn Pagëzori, edhe të tierë Elia; edhe të tierë Ieremia, a nji prei profetënish.
15 U thot’ atyneve: Por ju cilli thoni, se jam unë?
16 Edhe Simon Pietri u përgjeq, e tha: Ti je Krishti, Bir’ i Perëndisë gjallë.
17 Edhe Iesui u përgjeq, e i tha: I lumunë je ti, Simon i bir’ i Ionait, sepse mish edhe gjak nukë ta sbuloi tyi këte , por em Atë qi ashtë ndë qillt.
18 Edhe unë po të thom, se ti je Pietër (shkamp guri ), edhe përmbi këte shkamp guri kam me ndërtuem kishinë t’eme; edhe dyert’ e ferrit s’kanë me pasunë fuqi kundrë asai.
19 Edhe kam me të dhanë çelat’ e mbëretënisë qillvet; edhe qish të lidhish mbi dhet, ka me lidhunë ndë qillt, edhe qish të sgjidhish mbi dhet, ka me qenë sgjidhunë ndë qillt.
20 Atëherë porositi dishepujt’ e vet, mos me i thanë kurkuit, se ashtë Iesu Krishti.
21 Çë mb’atë herë Iesui filloi me u diftuem dishepujvet vet, se duhetë me votunë ndë Ierusalemë, edhe me hekunë shumë prei pleqsh, e prei Krye-priftënish, e prei Shkruisish, edhe me u vramë, edhe të tretënë ditë me u ngjallë.
22 Atëherë Pietri e muer përanë vetëhesë mbë-nj-anë , e filloi me e qirtuem, tue thanë: Le të dhimbetë vetëheja, Zot, mos u baftë këjo te ti.
23 Por ai u këthye, e i tha Pietrit: Ikë mbrapa meje, Satana, shkandull më je, sepse s’ke ndër mend punët’ e Perëndisë, por punët’ e nierëzëvet.
24 Atëherë Iesui u tha dishepujvet vet: Ndë dashtë kushi me ardhunë mbrapa meje, le të mohojë vetëvetëhenë, edhe le të ngrejë kryqin’ e vet, edhe le të vijë mbas meje.
25 Sepse ai qi të detë me shpëtuem jetën’ e vet, ka me e bierrë; edhe ai qi të bierri jetën’ e vet për punë t’eme, ka me e gjetunë.
26 Sepse ç’të mirë i bahetë nieriut, ndë fitoftë gjithë botënë, e të bierri shpirtin e vet? A çfarë gjaje ka me dhanë nieriu për me ndërruem shpirtin’ e vet?
27 Sepse ka për me ardhun’ i bir’ i nieriut ndë laft të i Atit vet bashkë me engjujt e vet; edhe atëherë ka me ia paguem gjithë-se-cillit mbas punës’ ati.
28 Për të vërtet po u thom juve, se janë disa prei atyneve qi rrinë këtu, të cilltë s’kanë me ngranë vdekë (s’kanë me vdekunë ), deri sa të shofinë të birin’ e nieriut tue ardhunë ndë mbëretënit të vet.