Jetojmë për Krishtin, jo për mëkatin
1 Çfarë të themi, pra? A do të vazhdojmë të jetojmë në mëkat, që Perëndia të na japë më shumë hir? 2 Larg qoftë! Ne kemi vdekur për sa i përket mëkatit. E si mund të jetojmë ende në të? 3 Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezu, u pagëzuam në vdekjen e tij? 4 Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t'u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re.
5 Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. 6 Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. 7 Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati.
8 Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. 9 Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. 10 Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. 11 Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu .
12 Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. 13 Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. 14 Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë.
Shërbëtorë të drejtësisë
15 Çfarë, pra? A të mëkatojmë meqë nuk jemi nën ligj, por nën hir? Larg qoftë! 16 A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë? 17 Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër gjedhes së mësimit që keni marrë. 18 Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë.
19 Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të dobësisë njerëzore që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë e të paudhësisë, që të çojnë në paudhësi, kështu tani t'i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë që të çon në një jetë të shenjtë.
20 Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë. 21 Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja. 22 Por tani që jeni çliruar nga mëkati e jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë, fundi i të cilit është jeta e amshuar. 23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë.
KAPTINA VI.
1 Qish kemi me thanë pra? Kemi me qindruem ndë fajt, qi të tepërojë hiri?
2 Qoftë lark; na qi vdiqmë ndë fajt, si kemi me rruem ma nd’ate?
3 A nuk’ e dini se sa u pagëzuem mbë Iesu Krishtinë, u pagëzuem mbë vdekët t’ati?
4 U vorruem pra bashkë me ate me anë të pagëzimit mbë vdekët; edhe sikurse Krishti u ngjall prei së vdekunish me anë të laftit Atit, kështu edhe na të ecimë ndë jetë të re.
5 Sepse sikurse na u bam nji bimë bashkë me ate mbas shëmbëllimit vdekës’ ati, kemi me qenun’ edhe mbas shëmbëllimit së ngjallëmesë;
6 tue ditunë këte, se i vietëri nieriu ynë u kryqëzue bashkë, për me u prishunë korpi i fajit, qi të mos i shërbejmë na ma fajit.
7 Sepse ai qi vdiq u lirue prei fajit.
8 Por ndë paçimë vdekunë bashkë me Krishtinë, besojmë se kemi me rruem bashkë me ate,
9 sepse e dimë, se Krishti u ngjall prei së vdekunish, e nukë vdes ma; vdeka nuk’ e pushton ma ate.
10 Sepse për ate qi vdiq, vdiq nji herë për fajinë; por për ate qi rron, rron mbë Perëndinë.
11 Kështu edhe ju numëroni vetëhenë tuei, se jeni të vdekunë prei fajit, por të gjallë mbë Perëndinë me anë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit.
12 Le të mos mbëretënojë pra faji ndë korpit tuei të mortshiminë, qi t’i ndëgjoni ati mbas dëshërimesh ati;
13 as mos bani anët’ e korpit tuei, armë shtrembënie mbë fajinë, por nxirni vetëhetë tueja përpara Perëndisë, si të gjallë prei së vdekunish, edhe anët’ e korpit tuei, armë dreitënie te Perëndia.
14 Sepse faji s’ka me u pushtuem juvve, sepse nukë jeni ndënë ligjënë, por ndënë hirinë.
15 Qish pra? Duhetë të fëjeimë, sepse s’jemi ndënë ligjënë, por ndënë hirinë? Qoftë lark.
16 Nuk’ e dini, se mb’ate qi bani vetëhetë tueja shërbëtorë për ndëgjim, jeni shërbëtorët’ e ati qi i ndëgjoni, apo fajit për vdekë, apor ndëgjimit për dreitëni?
17 Por falemi nders Perëndisë, sepse qetë njiherë shërbëtorët’ e fajit, por tashti i ndëgjuetë me gjithë zemërë formësë mësimit qi u dhatë ndër duer mb’ate.
18 Edhe mbassi u liruetë prei fajit, u batë shërbëtorët’ e dreitënisë.
19 Nierëzisht po thom për ligështin’ e mishit tuei, sepse sikurse i bat’ anët’ e korpit tuei shërbëtorë mbë ndynësinënë, edhe mbë paligjëninë te paligjënia, kështu tashti bani anët’ e korpit tuei shërbëtorë mbë dreitëninë për shenjtënim.
20 Sepse kur ishitë shërbëtorët’ e fajit, ishitë të lirë prei dreitënisë.
21 Çfarë peme pra kishit’ atëherë prei atyne punëvet qi keni turp tashti për ato? Sepse e mbrapëmeja e atyneve ashtë vdekë.
22 Por tashti qi u liruetë prei fajit, edhe u batë shërbëtorë te Perëndia, keni pemënë tuei për shenjtënim, edhe të mbrapëmenë, jetë të pasosëme.
23 Sepse paga e fajit ashtë vdekë, por dhunëtia e Perëndisë ashtë jetë e pasosëme me anë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit.