Gruaja dhe dragoi
1 Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje. 2 Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.
3 Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla. 4 Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.
5 Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij. 6 Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7 Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, 8 por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. 9 Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. 10 Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha:
«Tani erdhi shpëtimi, fuqia
e mbretëria e Perëndisë tonë
dhe pushteti i Krishtit të tij.
Paditësi i vëllezërve tanë,
ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë,
u hodh poshtë.
11 Ata e mundën me gjakun e Qengjit
e me fjalën e dëshmisë së tyre
dhe ishin gati
të jepnin jetën e të vdisnin .
12 Prandaj, gëzohuni, o qiej
e ju që banoni atje!
Mjerë ju, o tokë e det,
se djalli zbriti te ju
me zemërim të madh,
duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».
13 Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. 14 Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.
15 Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. 16 Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. 17 Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin. 18 Ai mbeti mbi rërën e detit.
KAPTINA XII.
1 Edhe u duk nji shenj’ e madhe ndë qiellt: nji grue veshunë diellinë, edhe hana ishte përposh kambëvet asai, edhe mbi kryet t’asai nji kunorë dy-mbë-dhetë yjesh.
2 Edhe mbassi ishte me barrë, bërtiste prei të dhimtunit e prei mundimit qi të pielli.
3 Edhe u duk nji tietër shenjë ndë qiellt, edhe nje nji dreq i math e i kuq, qi kishte shtatë krenë edhe dhetë brina, edhe mbi krenët të vet shtatë kunora.
4 Edhe bishti i ati tërhiqte të tretën’ e yjevet qiellit, edhe i hodhi mbë dhet. Edhe dreqi ndenji përpara gruesë qi kishte për me piellë, qi të hajë dialin’ e asai, kur të pielli,
5 edhe puell nji dial mashkullë, qi ai kishte për me kullotunë gjithë kombetë me shkop të hekurtë; edhe diali i asai u rrëmbye te Hyji, edhe te shkambi i ati.
6 Edhe grueja iku ndë shkretinë, atie ku ka vend bamë gati prei Hyjit, qi ta ushqejën’ atie nji mijë e dy qind e gjashtë-dhetë ditt.
7 Edhe u ba luftë ndë qiellt: Mihaili edhe engjujt’ e ati luftuenë kundrë dreqit, edhe dreqi luftoi edhe engjujt’ e ati.
8 Edhe nukë muftnë, as vend s’u gjet për ata ma ndë qiellt.
9 Edhe u hoth poshtë dreqi i math, gjarpëni i moçim qi quhetë Diall, edhe Satanai, ai qi gënjen gjithë botënë, u hoth poshtë mbë dhet; edhe engjujt’ e ati bashkë me atë u hothnë poshtë .
10 Edhe ndëgjova nji za të math qi thoshte ndë qiell: Tashi u ba shpëtimi edhe fuqia edhe regjënia e Hyjit t’ynë, edhe pushteti i Krishtit ati, sepse u hoth poshtë ai qi përflet vëllazënitë t’anë, ai qi përfliste ata përpara Hyjit t’ynë dit’ e natë.
11 Edhe ata e mundën me anë të gjakut Qengjit, edhe për fjalën’ e deshmisë vet, edhe nuk’ e deshnë jetën’ e vet qysh mbë vdekë.
12 Përandai gëzohi ju qijetë, edhe ata qi rrinë mb’ata; mier ata qi rrinë mbë dhet edhe ndë det, se sdripi Dialli te ju, ai qi ka zemërim të math, sepse e di se ka pak kohë.
13 Edhe kur pa dreqi se u hoth poshtë ndë dhet, ndoqi gruenë qi puell mashkullinë.
14 Edhe iu dhanë gruesë dy fletë të shqipesë madhe, për me fluturuem ndë shkretinë ndë vend të vet, atie ku ushqehetë kohë edhe kohëna edhe gjymës kohe, lark prei faqesë gjarpënit.
15 Edhe gjarpëni lishoi mbrapa kryesë prei gojësë vet ujë porsi lum, qi ta bajë me e marrë lumi.
16 Edhe dheu i ndifi gruesë, edhe dheu hapi gojën’ e vet, edhe piu luminë qi lishoi dreqi prei gojësë vet.
17 Edhe dreqi u zemërue mbi gruenë, edhe vote me bamë luftë bashkë me të tierët e farës’ asai, qi ruejënë porosit’ e Hyjit, edhe qi kanë deshmin’ e Iesu Krishtit.