Gjyqet mes besimtarëve
1 Kush nga ju, kur ka ndonjë mosmarrëveshje me një tjetër, guxon të kërkojë të gjykohet para të padrejtëve dhe jo para të shenjtëve? 2 Apo nuk e dini se këta do të gjykojnë botën? Nëse ju do të gjykoni botën, a nuk mund të gjykoni gjëra më të vogla? 3 A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëjt? Atëherë, si nuk mundemi të gjykojmë çështjet e jetës së përditshme? 4 Nëse keni për të gjykuar çështje të tilla, ju caktoni si gjykatës më të papërfillshmit e kishës? 5 Le t'ju vijë turp për këtë që po them! Nuk paska asnjë të urtë ndër ju që të mund të gjykojë një çështje mes vëllezërve?
6 Vëllai çon në gjyq vëllanë e madje para jobesimtarëve?
7 Gjyqet që keni me njëri-tjetrin dëshmojnë se keni dështuar. Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë padrejtësi? Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë dëm? 8 Përkundrazi, ju vetë u bëni padrejtësi e u shkaktoni dëm të tjerëve, madje edhe vetë vëllezërve.
9 Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarët, as idhujtarët, as ata që bëjnë tradhti bashkëshortore, as të zhburrëruarit, as ata që shkojnë me meshkuj, 10 as vjedhësit, as lakmitarët, as pijanecët, as shpifësit, as zhvatësit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. 11 Dhe të tillë ishit disa prej jush, por u latë, u shenjtëruat dhe u bëtë të drejtë në emër të Zotit Jezu Krisht dhe nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë tonë.
Përlëvdoni me trupat tuaj
12 Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por unë nuk do të sundohem nga asgjë. 13 Thonë edhe: «Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin». Por Perëndia do ta shkatërrojë edhe barkun, edhe ushqimin. Trupi nuk është për kurvëri, por për Zotin dhe Zoti për trupin. 14 Perëndia do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e tij, ashtu siç ngjalli Zotin.
15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? T'i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e t'i bëj gjymtyrë të lavires? Larg qoftë! 16 Apo nuk e dini se ai që bashkohet me një lavire bëhet një trup me të? Se që të dy do të jenë një trup i vetëm. 17 Ai që bashkohet me Zotin, bëhet një shpirt me të.
18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat tjetër që bën njeriu është jashtë trupit, ndërsa ai që kurvëron, mëkaton kundër vetë trupit të tij. 19 Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të shenjtë që është në ju dhe që jua dha Perëndia dhe se ju nuk i përkisni vetes tuaj? 20 Perëndia ju bleu me një çmim. Përlëvdojeni, pra, Perëndinë në trupin tuaj !
KAPTINA VI.
1 Kucon kushi prei jush, kur ka ndonji gja send kundrë tietërit, me u gjukuem përpara të shtrembëvet, e jo përpara shenjtënavet?
2 Nukë dini, se shenjtënitë kanë me gjukuem botënë? Edhe ndë u gjukoftë bota prei jush, s’jeni të zotënitë me gjukuem punë ma të vogëla?
3 Nuk’ e dini, se kemi me gjukuem engjujtë? Sa ma tepërë punët’ e kësaj jete?
4 Ndë paçi pra për me gjukuem punët’ e kësai jete, veni të rrinë për gjyqtarë ata qi nukë zihenë për gja ndë kishët.
5 Por u thom juve këte , qi të keni turp: kështu nukë qenëka ndërmiet jush as ndonji i ditshim, për me hym’ e me gjukuem ndërmiet vëllait vet?
6 Por vëllai gjukohetë me vëllanë, edhe këte e ban përpara të pabesëvet?
7 Tashti pra ashtë kreit faj ndërmiet jush, sepse ju keni gjyqe njiani me tietërinë; përse ma tepërë nukë lini me u bamë paudhë juve? Përse ma tepërë nukë lini me u bamë dam juve?
8 Por ju e bani paudhë, e u bani dam atyneve, edhe këto ua bani vëllazënavet.
9 Apor nuk’ e dini, se të shtrembëtitë s’kanë me trashiguem mbëretënin’ e Perëndisë? Mos gënjehi: as kurvarë, as idhullatrë, as ndynësa, as ata qi janë të sqaqunë, as ata qi shkojnë mbrapa mashkujsh,
10 as viedhësa, as lakëmuesa, as të deitunë, as përqeshësë, as rrëmbesësë, s’kanë me trashiguem mbëretënin’ e Perëndisë.
11 Edhe kësish ishitë disa vetë , por u latë, e u shenjtënuetë, e dueltë të dreitë me anë të emënit Iesu Krishtit, edhe me anë të Shpirtit Perëndisë t’anë.
12 Të gjitha janë ndë pushtet t’em, por të gjitha nukë vëjeinë; të gjitha janë ndë pushtet t’em, por unë s’kam me u pushtuem as prei ndonji gjajet.
13 Gjellëtë janë për barkunë, edhe barku për gjellët, por Perëndia ka me prishun’ edhe këte edhe këto; e korpi nuk’ ashtë për kurvëninë, por për Zotinë, edhe Zoti për korpinë.
14 Edhe Perëndia sikurse ngjalli Zotinë, ka me na ngjallun’ edhe neve me anë të fuqisë vet.
15 Nuk’ e dini, se korpnatë tuei jan’ anët’ e korpit Krishtit, do të marr unë pra anët’ e korpit Krishtit, me i bam’ anë korpit të kurvësë? Qoftë lark!
16 Apor nuk’ e dini, se ai qi ngjitetë me kurvënë ashtë nji korp? Sepse “kanë me qenunë”, thotë, “të dy ndë nji mish”.
17 Por ai qi ngjitetë me Perëndinë, ashtë nji shpirt me atë.
18 Ikni prei kurvënisë; qish do faj qi ban nieriu ashtë jashtë korpit, por ai qi kurvënon, fëjen mbë korpt të vet.
19 Apor nuk’ e dini, se korpi juei ashtë tempulli i Shpirtit Shenjt qi rri ndër ju, edhe ate e keni prei Perëndisë, edhe nukë jeni të zotënit’ e vetëhesë tuei.
20 Sepse u bletë me çimim; lavdoni pra Perëndinë me korpinë tuei, edhe me shpirtinë tuei, qi janë të Perëndisë.