Timoteu udhëton me Palin e Silën
1 Pali arriti në Derbë e pastaj edhe në Listër. Atje jetonte një dishepull me emrin Timote. Nëna e tij ishte judease që kishte besuar në Jezuin, ndërsa i ati ishte helen. 2 Për të flisnin mirë vëllezërit në Listër e në Ikon. 3 Pali deshi që Timoteu ta shoqëronte, prandaj e mori me vete dhe e rrethpreu për shkak të judenjve që jetonin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte helen.
4 Ndërsa shkonin nga qyteti në qytet, i njoftonin njerëzit për vendimet që ishin marrë nga apostujt e pleqtë e kishës në Jerusalem dhe i porosisnin që t'i zbatonin. 5 Kështu kishat forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër çdo ditë.
Vegimi me maqedonasin
6 Ata kaluan nëpër krahinën e Frigjisë e të Galatisë, sepse Shpirti i shenjtë ua kishte ndaluar ta predikonin fjalën e Perëndisë në Azi. 7 Kur arritën afër Misisë, u munduan të shkonin në Bitini, por Shpirti i Jezuit nuk i lejoi, 8 prandaj kaluan nëpër Misi e shkuan në Troadë.
9 Gjatë natës Pali pa një vegim. Përpara i qëndronte një maqedonas, që i lutej e i thoshte: «Eja në Maqedoni e na ndihmo!». 10 Kur pa këtë vegim, menjëherë u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, të bindur se Perëndia na kishte thirrur t'ua shpallnim ungjillin atyre.
Kthimi në besim i Lidisë
11 Pastaj lundruam nga Troada drejt Samotrakës e të nesërmen për në Neapojë 12 dhe që aty në Filipi që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake. Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë.
13 Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty. 14 Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali. 15 Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë.
Burgimi në Filipi
16 Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. 17 Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit».
18 Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.
19 Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. 20 Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj 21 e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë».
22 Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. 23 Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. 24 Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.
25 Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. 26 Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27 Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. 28 Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». 29 Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. 30 Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». 31 Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». 32 Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33 Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij. 34 Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë.
35 Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t'i thënë: «Liroji ata njerëz». 36 Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t'ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe». 37 Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne, që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë».
38 Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë. 39 Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti. 40 Pasi dolën nga burgu, Pali e Sila shkuan në shtëpinë e Lidisë. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.
KAPTINA XVI.
1 Edhe e mbërrini ndë Derbë, e ndë Lystrë; edhe qe tek ishte atie nji dishepull, qi quhei Timothe, i bir’ i nji grueje Iudeonjë besëtare, edhe prei të atit Grek;
2 për këte epinë deshmi të mirë vëllazënitë qi ishinë ndë Lystre e ndë Ikoni.
3 Këte deshi Pauli me dalunë bashkë me ate; edhe si e muer, e rreth-preu, për punë të Iudevet qi ishinë ndëpër ato vende, sepse të gjithë ngjifinë të atin’ e ati se ishte Grek.
4 Edhe tue shkuem ndëpër qytetet, u lijinë porosi atyne me rueitunë dogmatë qi ishin’ urdhënuem prei apostujvet e prei pleqvet qi ishinë ndë Ierusalem.
5 Kishatë pra forcoheshinë ndë besët, edhe përditë shtoheshinë ndë numërë.
6 Edhe mbassi shkuenë ndëpër Frygjinë e ndëpër vendin’ e Galatisë, sepse u ndalnë prei Shpirtit Shenjt me predikuem fjalënë ndë Asi,
7 erthnë ndë Mysi, edhe vun’ ore me votunë ndë Bithyni, por Shpirti Shenjt nuk’ i la.
8 Edhe si shkuenë ndëpër Mysinë, sdrypnë ndë Troadë.
9 Edhe Paulit iu duk nd’andërrë natënë, se ishte përpara ati nji nieri Makedonas, e i lutei, tue thanë: Shko ndë Makedoni, e na ndimo.
10 Edhe porsa pa andërrënë, përnjiherë kërkuem me votunë ndë Makedoni; sepse e muerëm me mend se Zoti po na thërret me u dhan’ atyne zanin’ e mirë.
11 Si lundruem pra prei Troadësë, muerëm udhënë dreitë për Samothrakë, edhe ndë nesëret ndë Neapolë;
12 edhe prei andyj ndë Filippe, qi ashtë qytet i parë asai anësë Makedonisë, e përngulëme Romanësh ; edhe ndejëm disa ditt ndë këte qytet.
13 Edhe ditën’ e shëtunë duelëm jashtë qytetit afër lumit, aty ku e kishinë zakon me u falunë, edhe ndejëm, e u flisimë gravet qi ishinë mbëledhunë.
14 Edhe nji grue qi quhei Lydi, prei qytetit Thjatirësë, qi shiste porfyra, e cilla kishte frikë Perëndinë, na ndëgjonte, sepse Zoti i çeli zemrënë për me mbaitunë vesh se qish fliste Pauli.
15 Edhe si u pagëzue ajo edhe shtëpia e asai, na lutei, tue thanë: Ndë më paçi gjukuem se jam besnike te Zoti, hyni ndë shtëpit t’eme, e mbetni; edhe na nguti.
16 Edhe na kur po shkojimë me u falunë, hasi me ne nji shërbëtore qi kishte frymë Pythoni, e cilla u epte shumë fitim të zotënavet vet tue kallëzuem fatinë;
17 ajo muer mbrapa Paulin’ edhe neve, edhe bërtiste tue thanë: Këta nierës janë shërbëtorët’ e Perëndisë naltë, qi na diftojn’ udhën’ e shpëtimit.
18 Edhe bante këte për shumë ditt. Edhe Pauli si u randue, u këthye, e i tha frymësë: Të urdhënoj mb’emënit të Iesu Krishtit me dalunë prei asai. Edhe duel ate orë.
19 Edhe të zotënit’ e asai kur panë se u duel shpëresa e fitimit vet, zunë Paulin’ edhe Silën’, e i tërhoqnë ndë treg te të parët;
20 edhe si i prunë te të mëdhejt, thanë: Këta nierës, tue qenunë Iude, përziejnë qytetinë t’ynë,
21 edhe mësojnë zakone qi s’asht’ e udhësë me i pritunë na, as me i bamë, sepse jemi Romanë.
22 Edhe gjindëja u turr mbi ata, edhe të mëdhejt’ u shqyen’ atyne petkatë, e urdhënuenë me i rrafunë me shkop.
23 Edhe si i banë me shumë varra, i shtinë ndë burk, edhe porositnë rueitësin’ e burgut me i rueitunë me siguri,
24 i cilli si muer t’atillë porosi, i shtiu ndë burk të përmbrendëshim, e u shtrëngoi kambëtë ndë drut.
25 Edhe ndë mies-natë Pauli edhe Sila faleshin’ e këndojinë hymn Perëndisë, edhe ata qi ishinë mbrenda ndë burk u mbajinë vesh.
26 Edhe befas u ba nji tërmet i math, kaqi sa u tundnë themelet’ e burgut; edhe përnjiherë u hapnë gjithë dyertë, edhe të gjithëve u sgjithnë hekuratë.
27 Edhe rueitësi i burgut kur u sque, edhe pa dyert’ e burgut hapëtë, nxuer thikënë, e donte me vramë vetëvetëhenë, sepse kujtonte se iknë të lidhunitë.
28 Por Pauli thërriti me za të madh, tue thanë: Mos i ban ndonji gja të keqe vetëvetëhesë, sepse të gjithë jemi këtu.
29 Atëherë ai lypi dritë, e hovi mbrenda, edhe tue u tremun’ i ra ndër kambë Paulit e Silësë
30 edhe i nxuer jashtë, e tha: Zotëni, qish duhetë me bam’ unë, qi të shpëtohem?
31 Edhe ata thanë: Besoi Zotit Iesu Krisht, edhe ke me u shpëtuem ti edhe shtëpia jote.
32 Edhe i folnë fjalën’ e Zotit ati edhe gjith’ atyneve qi ishinë ndë shtëpit t’ati.
33 Edhe ai i muer me vetëhe nd’ate orë të natësë, e u lau varratë; edhe përnjiherë u pagëzue ai edhe gjithë të atitë;
34 edhe si i hypi sipër ndë shtëpit të vet, u vuni përpara truvezë, edhe u gëzue me gjithë shtëpin’ e vet , sepse i besoi Perëndisë.
35 Edhe si u ba ditë, të mëdhejtë dërguenë shërbëtorëtë, tue thanë: Lisho ata nierës.
36 Edhe rueitësi i burgut i dha za Paulit për këto fjalë, se: Të mëdhejtë kanë dërguem, qi të lishohi, tashti pra delni, e shkoni ndë paqtim.
37 Por Pauli u tha atyne: Mbassi na rrafnë ndër sy të botësë pa u gjukuem, qi jemi nierës Romanë, e na shtinë ndë burk, edhe tashti na nxierrinë pshefas? Jo, por le të vinë vetë ata, e le të na nxierrinë.
38 Edhe shërbëtorët’ u dhanë za të mëdhejvet për këto fjalë; edhe ata kur ndëgjuenë se janë Romanë, u frikuenë:
39 edhe erthnë, e u lutnë atyne ; edhe si i nxuernë, u luteshin’ atyne me dalunë prei qytetit.
40 Edhe ata si duelnë prei burgut, hynë ndë shtëpi të Lydisë, edhe kur panë vëllazënitë, i ngushulluenë, edhe iknë.