Shërbëtori i pandershëm
1 Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. 2 Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. 3 Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç'të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. 4 E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. 5 Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. 6 Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. 7 Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. 8 Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi.
Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin.
9 Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t'ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. 10 Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. 11 Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t'jua besojë pasuritë e vërteta? 12 Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t'jua japë atë që është juaja?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Ligji dhe mbretëria
(Mt 11.12-13)
14 Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. 15 Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.
16 Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha . 17 Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t'i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë.
18 Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Lazari dhe pasaniku
19 «Ishte një njeri i pasur që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm e jetonte çdo ditë në kamje. 20 Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët. 22 I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin. Edhe pasaniku vdiq e u varros. 23 Në skëterrë, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri. 24 Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë”. 25 Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan. 26 Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. 27 Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim eti, 28 se kam pesë vëllezër. Le t'i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. 29 Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë”. 30 Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen”. 31 Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”».
KAPTINA XVI.
1 U thoshte edhe dishepujvet vet: Ishte nji nieri i pasunë qi kishte nji guvernuer; edhe i kallëzuenë keq për ate se shpërndan gjan’ e ati.
2 Edhe ai i pëzajti, e i tha: Qish ashtë këjo qi ndëgjoj për tyi? Ep llogarin’ e guvernisë s’ate, sepse nukë do të mundesh ma me guvernuem.
3 Atëherë guvernori tha me vetëvetëhenë: Qish të baj, se em zot po më hiek prei guvernisë? Me rëmihunë s’mundem; me lypunë kam turp.
4 U kujtueshë qish të baj, për me më pritunë ndëpër shtëpiat e veta, kur të hiqem prei guvernisë.
5 Edhe thirri për-anë nji ka nji detorët’ e të zotit vet, e i thoshte të parit: Sa detyrë i ke t’em zot?
6 Edhe ai tha: Nji qind bucela voj. Edhe ai i tha: Merr letrënë tande, edhe rri e shkruei shpeit pesë-dhetë.
7 Mbasandai i tha nji tietri: Por ti sa detyrë i ke? Edhe ai tha: Nji qind matësa gruni. I thot’ edhe ati: Merr letrënë tande, edhe shkruei tetë-dhetë.
8 Edhe i zoti e lavdoi guvernorin’ e paudhë, sepse punoi me mend, sepse të bijt’ e kësai jete janë ma të mentshim ndë bres të vet, se të bijt’ e dritësë.
9 Edhe unë po u thom juve: Zeni miq për vetëhenë tuei prei mammonait paudhënisë, për me u pritunë juve ndë tendat e jetësë pasosëme, kur të mëngoni.
10 Ai qi ashtë besëtar mbë të pakënë, ashtë besëtar edhe mbë të shumënë; edhe ai qi asht’ i paudhë mbë të pakënë, asht’ i paudhë edhe mbë të shumënë.
11 Ndë qoftë pra se s’u batë besëtarë mbë të paudhinë mammona, kush ka me u zanë besë juve për të vërtetënë gja?
12 Edhe ndë qoftë se s’u batë besëtarë mbë të huejënë, kush ka me u dhanë juve tuejënë?
13 As ndonji shërbëtuer s’mundetë me u shërbyem dy zotënive, sepse a njianinë ka me e marrë mëni, edhe tietrinë ka me e dashunë; a njianinë ka me e marrë mbrapa, edhe tietrinë ka me e hedhunë tej. Nukë mundeni me i shërbyem Perëndisë edhe mammonait.
14 Edhe Fariseitë qi ishinë dorë-shtrejtë ndëgjojshinë këto të gjitha, edhe e përbuzinë.
15 Edhe ai u tha atyne: Ju jeni ata qi nxirni vetëvetëhenë të dreitë përpara nierëzish; por Perëndia ngjef zemratë tueja, sepse ajo gja qi asht’ e naltë ndër nierëzit, përpara Perëndisë asht’ e ndytë.
16 Ligja edhe profetënitë kanë qenunë ngysh ndë kohë të Gjionnit; çë mb’ate herë nepetë zani mirë për mbëretënin’e Perëndisë, edhe gjithë-se-cilli ngutetë me hymë nd’atë.
17 Edhe ma kollai ashtë me shkuem qielli edhe dheu, se me ranë poshtë nji pikë prei ligjësë.
18 Kushdo qi lishon gruen’ e vet, edhe martohetë me tietër, kurvënon; edhe kushdo qi martohetë me grue të lishueme prei burrit, kurvënon.
19 Edhe nji nieri ishte i pasunë, edhe vishei me porpurë e me stoli të kuqe, tue u gëzuem përditë ndritshim.
20 Ishte edhe nji i vobek qi e kishte emninë Lazar, i cilli dirgjei për-anë derës’ ati plot me varra,
21 edhe dëshëronte me u ngimë me thërrmiat qi bijshinë prei truvezësë të pasunit, por edhe qentë vijshin e lëpijshinë varrat’ e ati.
22 Edhe ai i vobeku vdiq, edhe u pru prei engjujsh ndë gjit të Abrahamit; vdiq edhe i pasuni, edhe u vorrue.
23 Edhe ndë ferr, atie ku ishte ndër mundime, ngriti syt’ e vet, e shef Abrahaminë prei së largut, edhe Lazarinë ndë gjijt t’ati.
24 Edhe ai thërriti, e tha: O Ati Abraham, përdëllemë, edhe dërgo Lazarinë qi të ngjyejë majën’ e gishtit vet nd’ujë, edhe të lagi me ujë të ftofët gjuhënë t’eme, sepse po mundohem ndë këte flakë.
25 Por Abrahami tha: O dial, kujtohu se ti more të mirat’ e tua ndë jetët tande, edhe Lazari kështu muer të këqiatë; edhe tashti kyi prahetë, e ti mundohe.
26 Edhe mbi gjithë këto, ndërmiet jush e nesh ashtë ngulunë nji grop’ e madhe, qi të mos munden’ ata qi duenë me shkuem prei këndej te ju, as ata qi duenë me shkuem prei andej te na.
27 Edhe ai tha: Të lutem pra, o Atë, të dërgojsh ate ndë shtëpit t’im et,
28 sepse kam pesë vëllazën; qi të api deshmi tek ata, për mos me ardhun’ edhe ata ndë këte vend mundimi.
29 Abrahami i thotë: Kanë Moisenë edhe profetënatë; le t’u ndëgjojn’ atyne.
30 Edhe ai tha: Jo, o ati Abraham, por ndë voftë ndonji prei së vdekunish tek ata, kanë me u penduem.
31 Edhe ai i tha: Ndë qoftë se nuk’ u ndëgjojnë Moiseut edhe profetënavet, as ndë u ngjalltë ndonji prei së vdekunish, s’kanë më i zanë besë.