1 Ju zotërinj, jepuni skllevërve atë që u takon me të drejtë, duke e ditur se edhe ju e keni një Zot në qiell!
Porosi
2 Këmbëngulni e rrini zgjuar në lutje, duke falënderuar Perëndinë. 3 Lutuni edhe për ne, që Perëndia të na japë mundësi të tjera për të predikuar të fshehtën për Krishtin, për të cilin jam në burg. 4 Lutuni që predikimi im të jetë ashtu siç duhet.
5 Silluni me urti ndaj atyre që nuk besojnë në Krishtin, duke përdorur mirë çdo mundësi që ju jepet. 6 Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme e të regjura , që të dini si t'i përgjigjeni gjithkujt.
Përshëndetjet e fundit
7 Tikiku, vëllai ynë i dashur e ndihmësi besnik, që i shërben Zotit bashkë me mua, do t'ju tregojë gjithçka për mua. 8 Unë e dërgova te ju për të parë gjendjen tuaj dhe për t'ju ngushëlluar zemrat. 9 Po e dërgoj bashkë me Onesimin, vëllanë tonë besnik e të dashur, që është një nga ju. Ata do t'ju tregojnë gjithçka që ndodh këtu.
10 Ju përshëndet Aristarku, që është i burgosur bashkë me mua, dhe Marku, nipi i Barnabës, për të cilin ju kemi porositur që ta prisni mirë kur të vijë te ju. 11 Ju përshëndet edhe Jezui që e thërrasin Just. Këta janë të vetmit nga besimtarët e rrethprerë që bashkëpunojnë me mua për përhapjen e mbretërisë së Perëndisë dhe që më janë bërë ngushëllim.
12 Ju përshëndet Epafrai, që është një nga ju, dhe që është shërbëtor i Krishtit Jezu. Ai lutet gjithnjë për ju që të qëndroni të përsosur dhe të kryeni plotësisht vullnetin e Perëndisë. 13 Unë ju siguroj se ai mundohet shumë për ju dhe për ata në Laodice e në Hierapojë.
14 Ju përshëndesin Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.
15 Përshëndetni vëllezërit në Laodice, Nimfën dhe kishën që mblidhet në shtëpinë e saj.
16 Kur ta keni lexuar këtë letër, dërgojuani edhe atyre të kishës në Laodice që ta lexojnë. Po ashtu edhe ju, merreni e lexojeni letrën që kam dërguar në Laodice.
17 I thoni Arkipit: «Kujdes dhe kryeje mirë shërbesën që more nga Zoti».
18 Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time.
Kujtoni prangat e mia!
Hiri qoftë me ju!
KAPTINA IV.
1 Ju zotënitë, epniu shërbëtorëvet pagëtyrën’ edhe të dreitënë, tue ditunë se edhe ju keni Zot ndë qijet.
2 Qindroni mbë të falunit, edhe rrini squtë mb’ate me të falunë ndersë,
3 tue u falunë përherë edhe për ne, qi të na çeli derën’ e fjalësë Perëndia, qi të flasimë mpshefësinën’ e Krishtit, për të cillën’ unë jam i lidhunë,
4 qi ta diftoj, sikurse më duhetë me folunë.
5 Ecëni me dituni ndër të përjashtëmit, tue shpërblemë kohënë.
6 Fjala juei le të jetë përherë me hir, bulmuem me krypë, qi të dini si duhetë me iu përgjegjunë gjithë-se-cillit.
7 Gjithë punët’ e mia ka me ua diftuem juve Tyhiku i dashuni vëlla, edhe besatari punëtuer, edhe shërbëtori shoqi em mbë Zotinë,
8 të cillin’ e dërgova te ju për këte punë, qi të marri vesht punëtë tueja, edhe të ngushullojë zemëratë tueja,
9 bashkë me Onesiminë besëtarin’ edhe të dashuninë vëlla, qi ashtë prei jush; ata kanë me u diftuem juve për gjithë punët qi bahenë këtu.
10 U faletë juve me shëndet Aristarhu robi shoqi em, edhe Marku i nipi Barnabësë (qi muertë porosia prei ati; ndë arthtë te ju, pritnia),
11 edhe Iesui qi thohetë Iust, të cillëtë janë prei rreth-prerëjesë; këta vetëmë janë punëtorëtë shoqët’ e mi ndë mbëretënit të Perëndisë, të cillëtë m’u banë ngushullim.
12 U faletë juve me shëndet Epafrai qi ashtë prei jush, shërbëtori i Krishtit, i cilli mundohetë gjithënji për ju ndë të faluna, qi të qindroni të kullutë, edhe të mbushunë mbë qish do dashunim të Perëndisë.
13 Sepse unë deshmoj për atë, se i përvëlohetë zemëra shumë për ju, edhe për ata qi janë ndë Laodiki, edhe për ata qi janë ndë Hierapol,
14 U faletë juve me shëndet Lukë miekësi i dashuni, edhe Dema.
15 U falni me shëndet vëllazënavet qi janë ndë Laodiki, edhe Nymfasë, edhe kishësë qi ashtë ndë shtëpi të vet.
16 Edhe si të këndohetë letëra ndër ju, bani qi të këndohet’ edhe ndë kishë të Laodikeanëvet, qi të këndoni edhe ju letërënë prei Laodikisë.
17 Edhe i thoni Arhippit: Kij kujdes për shërbesënë qi more mbë Zotinë, qi ta mbushish.
18 Të falunitë me shëndet u shkrue me dorënë t’eme të Paulit; kuitoni të lidhunat’ e mia. Hiri qoftë bashkë me ju. Amen.
(Letëra) mbë Kolossianët u shkrue prei Romet, (edhe u dërgue) me anë të Tyhikut edhe Onesimit .