1 Dua t'ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht. 2 Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri e të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisë , Krishtin. 3 Në të gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë e të dijes. 4 Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse. 5 Edhe pse me trup nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
Plotësia e jetës
6 Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. 7 Tek ai t'i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje.
8 Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti.
9 Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin 10 dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. 11 Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. 12 Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. 13 Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë.
14 Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. 15 Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.
16 Mos lejoni t'ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja a të shtunash. 17 Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.
18 Mos lejoni t'ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë apo që këmbëngul në përulësi të jashtme e në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij njerëzore. 19 Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.
Jeta e re me Krishtin
20 Përderisa vdiqët bashkë me Krishtin e u çliruat nga fuqitë shpirtërore që sundojnë këtë botë, përse jetoni si t'i përkisnit botës? Përse u nënshtroheni rregullave, si: 21 «Mos e merr këtë!», «Mos e shijo atë!», apo «Mos e prek këtë!»? 22 Këto janë gjëra që janë caktuar për t'u kalbur pasi të përdoren, janë rregulla e mësime njerëzish. 23 Sigurisht, ato duken sikur kanë urti, se vishen me fetari sipas dëshirës së njerëzve, me përulësi e me një trajtim të ashpër të trupit, por në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, përveçse kënaqin dobësinë njerëzore.
KAPTINA II.
1 Sepse due ta dini sa luftë të madhe kam për ju, edhe për ata qi janë ndë Laodiki, edhe për gjithë sa s’kanë pamë faqenë t’eme me mish,
2 qi të ngushullohenë zemërat’ e atyneve, tue u piekunë bashkë ndë dashuni, edhe mbë qish do farë pasëje të mbushëmesë mendiesë, qi të ngjofinë mysterin’ e Perëndisë edhe Atit, edhe të Krishtit,
3 ndë të cillinë janë mshefunë gjithë thesorët’ e ditunisë, edhe të mendiesë.
4 Edhe thom këte, qi të mos u gënjejë juve kushi me fjalë të holla,
5 sepse ndonëse me mish s’jam përpara jush, por me shpirt jam bashkë me ju, tue u gëzuem e tue pamë rregullinë tuei, edhe qindrimin’ e besësë tuei mbë Krishtinë.
6 Sikurse pra e keni marrë Zotinë Iesu Krisht, kështu ecëni mb’ate,
7 tue zanë rranjë e tue u ndërtuem mb’ate, edhe tue u forcuem ndë besët, sikurse u mësuetë tue u tepëruem mb’ate me të falunë ndersë.
8 Këqyrni mos u gënjejë kushi me anë të filosofisë edhe gënjimit kotë, mbas fjalëvet nierëzëvet qi kanë lanë mbas elementavet botësë, e jo mbas Krishtit.
9 Sepse tek ai rri gjithë të mbushunit, e hyinisë korpënisht;
10 edhe jeni mbushunë tek ai, i cilli ashtë kryet’ e qish do urdhëni, e qish do pushteti,
11 mbë të cillin’ edhe jeni rreth-premë me rreth-presëje pa zanë me dorë, sepse keni sveshunë korpin’ e fajëvet mishit me anë të rreth-presëjesë Krishtit.
12 Jeni vorruem bashkë me ate ndë pagëzimt; prei ati edhe jeni ngjallunë me anë të besësë të vepëruemit Perëndisë, i cilli e ngjalli prei së vdekunish.
13 Edhe ju tue qenunë të vdekunë ndë fajet e ndë parreth-presëjen’ e mishit tuei, u bani të gjallë bashkë me ate, mbassi u fali juve gjithë fajetë;
14 edhe mbassi shoi dorë-shkresën’ e porosivet qi ishte kundrë nesh, edhe e hoqi prei miedizit, edhe e mbërtheu ndë kryqt,
15 edhe mbassi sveshi urdhënat’ edhe pushtetetë, i diftoi ndër sy, mbassi triomfoi kundrë atyneve mbi ate.
16 Le të mos u gjukojë pra askushi për të ngranë, a për të pimë, a për punë feste, a për muej të ri, a për të shëtuna,
17 të cillatë janë hieja e punëvet qi kishinë për me ardhunë, por korpi asht’ i Krishtit.
18 Askushi le të mos u mengojë prei bravurit me të shtime urtie, edhe me të lutun’ engjujsh, tue hymë mb’ato punë qi s’ka pamë, tue u fryem kot prei mendiesë mishit vet,
19 edhe nukë mba Kryetë, qi prei ati ruhetë gjithë korpi, edhe ashtë lidhunë me gjymëtyrat e me të lidhunat, rritetë me të rritunit’e Perëndisë.
20 Ndë qoftë pra se vdiqtë bashkë me Krishtinë prei këtyne elementavet botësë, përse, sikur jeni të gjallë ndë botët, kështu rrini ndën’ urdhënimet,
21 (mos prekish, mos ngjënoish, mos rrokish,
22 qi gjith ato prishenë prei së përdorëmesë), sikurse jan’ urdhënimet’ edhe mësimet’ e nierëzëvet?
23 Të cillatë punë dukenë se kanë dituni mbë lutëjenë prei vetiut e mbë mend të ulët’ e mbë të pakursyem të korpit, sepse s’e kanë për ndonji nderë mishinë, por e kuitojnë për tepëricë.