1 Fort të dashur, meqë kemi marrë këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndyrësi e trupit dhe e shpirtit dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë duke iu druajtur Perëndisë.
Gëzimi për pendimin e kishës
2 Bëni vend për ne në zemrat tuaja. Ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi dëmtuar askënd dhe nuk kemi shfrytëzuar askënd. 3 Këtë gjë nuk e them për t'ju dënuar, sepse, siç ju kam thënë edhe më parë, ju jeni në zemrat tona dhe ne jemi të bashkuar me ju si në vdekje, edhe në jetë. 4 Unë flas hapur me ju dhe krenohem shumë me ju. Megjithëse kam shumë mundime, gjej shumë ngushëllim e mbushem plot me gëzim.
5 Edhe kur shkuam në Maqedoni, nuk na gjeti trupi prehje, hasëm vështirësi nga të gjitha anët, luftë jashtë e frikë përbrenda. 6 Por Perëndia që i ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit, 7 dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që kishte marrë prej jush. Ai na tregoi për mallin, për lotët dhe për dashurinë tuaj të zjarrtë për mua, prandaj u gëzova edhe më shumë.
8 Edhe nëse ju kam trishtuar me letrën time, tani nuk më vjen keq. Megjithëse në fillim më erdhi keq, sepse ajo letër ju trishtoi për ca kohë, 9 tani gëzohem jo se u trishtuat, por sepse ky trishtim, që e kaluat sipas vullnetit të Perëndisë, ju çoi në pendim. Kështu, ne nuk ju bëmë asnjë dëm. 10 Trishtimi që kalojmë sipas vullnetit të Perëndisë të çon në pendimin që sjell shpëtim, për të cilin njeriu nuk ndërron mendje. Përkundrazi, trishtimi që vjen nga shqetësimet e kësaj bote, të çon në vdekje.
11 Shikoni çfarë përkushtimi solli te ju trishtimi sipas vullnetit të Perëndisë! Ju solli dëshirën për të mbrojtur besimin tuaj, zemërimin ndaj së keqes, druajtjen, përmallimin, zellin dhe gatishmërinë për të ndëshkuar të keqen! E keni dëshmuar në të gjitha mënyrat se jeni të pastër në këto gjëra. 12 Edhe pse ju shkrova, nuk ju shkrova që të ndëshkoj atë që bëri padrejtësi e as për t'i dalë në mbrojtje atij që iu bë padrejtësi, por që të duket qartë mes jush përkushtimi që keni ndaj nesh, para Perëndisë. 13 Kjo gjë na ngushëllon.
Përveç ngushëllimit që na dhatë, u gëzuam edhe më shumë me gëzimin e Titit, sepse të gjithë ju ia qetësuat shpirtin. 14 Unë u krenova me ju para Titit dhe nuk kam mbetur i zhgënjyer për këtë, por, ashtu siç është e vërtetë gjithçka që ju kemi thënë, ashtu doli e vërtetë para Titit edhe krenaria që kemi për ju. 15 Atij i bëhet zemra mal kur i kujtohet bindja e ju të gjithëve dhe kur i kujtohet sesi e pritët me druajtje e drithërim. 16 Jam i gëzuar, se mund të mbështetem te ju për gjithçka.
KAPTINA VII.
1 Tue pasunë pra këto të zotueme, o të dashunë, le të qiroimë vetëhenë t’onë prei qish do ndynësine të mishit e të shpirtit, tue punuem shenjtëni me frikë të Perëndisë.
2 Na epni vend: askuit s’i bam keq, askend s’prishëm, askuit s’i muerëm gja tepërë.
3 Nuk’ e thom këte për me u gjukuem juve për të keq, sepse u thashë juve çë përpara, se jeni ndë zemërat t’ona për me vdekunë bashkë e për me rruem bashkë.
4 Shumë zemërë kemi mbë ju, shumë të mburrunë kemi për ju; jam plot me ngushullim, kam gëzim të math mbë gjithë shtrëngiminë t’anë.
5 Sepse, si erthmë na ndë Makedoni, korpi ynë s’pat ndonji të prajtunë, por shtrëngoheshim për qish do gja: përmbrenda luftëna, përjashta frika.
6 Por Perëndia qi ngushullon të përvutëtë, na ngushulloi me të ardhunit e Titosë;
7 edhe jo vetëmë me të ardhunit e ati, por edhe prei ati ngushullimit qi u ngushullue prei jush, tue na diftuem mallinë tuei, vajënë tuei, zemërënë tuei të përvëlutënë për mue, përandai u gëzueshë ma tepërë.
8 Sepse ndonëse u helmova juve me letërënë, s’pendohem, ndonesë u pendueshë, sepse shof se ajo letërë u helmoi juve, ndonesë qe për pak herë.
9 Tashti gëzohem, jo se u helmuetë, por se u helmuetë ndë pendesë, sepse u helmuetë mbas Perëndisë, për mos me u bamë ndonji dam prei nesh.
10 Sepse helmimi mbas Perëndisë bije nji pendesë për shpëtim qi s’ashtë për me u penduem, por helmimi i botësë bije vdekë.
11 Sepse qe këjo punë qi u penduetë ju mbas Perëndisë, sa nxitim bani mbë ju! Por sa të përgjegjunë, por sa zemërim, por sa frikë, por sa mall, por sa zemërë të përvëlutë, por sa shpagim! Mbë të gjitha e diftuetë vetëhenë tuei se jeni të qirutë mbë këte punë.
12 Përandai ndonëse u shkrova juve, nuk’ e bana këte për ate qi bani paudhë, as për ate qi iu ba paudhë, por qi të shpërfaqetë te ju ai nxitimi ynë qi kemi për ju përpara Perëndisë.
13 Përandai u ngushulluem për ngushulliminë tuei, edhe shumë ma tepër’ u gëzuem për gëzimin’ e Titosë, se iu pra shpirti prei jush të gjithëve.
14 Sepse ndë u mburrova pakëzë tek ai për ju, s’u turpënova, por sikurse u folëm juve për të gjithë me të vërtetë, kështu edhe mburrimi ynë u ba i vërtetë te Titoja;
15 edhe ati i shtohetë ma tepërë dashunia për ju, kur bije ndër mend ndëgjiminë tuei të gjithëve, se si e pritët ate me frikë e me drithtim.
16 Gëzohem pra, se për qish do punë kam zemërë mbë ju.