Fëmijët dhe prindërit
1 Ju fëmijë, bindjuni prindërve tuaj për hir të Zotit, sepse kjo është e drejtë. 2 Ndero atin tënd e nënën tënde, ky është urdhërimi i parë që shoqërohet me premtim: 3 që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe.
4 Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën e me këshillat e Zotit.
Skllevërit dhe zotërinjtë
5 Ju shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj tokësorë me nderim e frikë dhe me zemër të sinqertë, sikurse Krishtit, 6 jo sa për sy e faqe, si ata që duan t'u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, që bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt. 7 Shërbeni me dashamirësi si t'i shërbenit Zotit e jo njerëzve, 8 duke e ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav a i lirë, do të marrë shpërblimin prej Zotit.
9 Edhe ju, zotërinj, silluni po ashtu me ta e hiqni dorë nga kërcënimet, duke e ditur se edhe ju, edhe skllevërit tuaj, keni të njëjtin Zot në qiej, i cili nuk mban anën e askujt.
Lufta kundër së keqes
10 Së fundi , forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij. 11 Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit. 12 Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore. 13 Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t'i bëni ballë ditës së ligë e të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund.
14 Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën e vishni drejtësinë si parzmore. 15 Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes. 16 Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. 17 Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit që është fjala e Perëndisë.
18 Lutuni në çdo kohë dhe drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti. Prandaj rrini zgjuar e këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë të shenjtët. 19 Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit. 20 Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.
Përshëndetjet e fundit
21 Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t'ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh sesi jam e çfarë po bëj. 22 Po e dërgoj te ju, që të dini sesi jemi e që t'u japë ngushëllim zemrave tuaja.
23 Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri e besim.
24 Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me dashuri të pavdekshme!
KAPTINA VI.
1 Ju dielmtë, u ndëgjoni përintvet tuei mbë Zotinë, sepse këjo asht’ e udhësë.
2 “Ndero tët’ at’ e tët’ amë”, i cilli asht’ urdhëni i parë me të zotueme,
3 “qi të bahetë mirë tyi, edhe të jeshë jetë-gjatë mbi dhet.”
4 Edhe ju atënitë, mos i bani dielmtë me u zemëruem, por i rritni me mësim e me këshillë të Zotit.
5 Ju shërbëtorëtë, u ndëgjoni zotënivet tuei mbas mishit me frikë e me drithtim, e me zemrënë të mitunënë tuei, porsi mbë Krishtinë;
6 jo të punoni për faqe, si asish qi pëlqehenë mbë nierëzit, por si shërbëtorët e Krishtit, tue bamë dashunimin’ e Perëndisë me gjithë shpirt;
7 tue punuem me zemërë të mirë mbë Zotinë, e jo mbë nierëzit;
8 tue ditunë se ate të mirë qi të bajë gjithë-se-cilli, këte ka për me e marrë prei Zotit, a shërbëtur ndë qoftë , a i lirë.
9 Edhe ju zotënitë por ashtu bani tek ata, e sdripnia të shtimit’ e frikësë, tue ditunë se edhe ju vetë keni Zot ndë qijet, edhe për-an’ ati s’ashtë të mbaitunë kraha.
10 Pra, o vëllazënit’ e mi, forcohi mbë Zotinë, edhe mbë pushtetin’ e fuqis’ ati.
11 Vishni gjith’ armët’ e Perëndisë, për me muftunë me u qindruem kundrë mieshtrivet diallit,
12 sepse lufta juei s’ashtë kundrë gjaku e mishi, por kundrë urdhënavet, kundrë pushtetevet, kundrë urdhënarëvet botësë t’errësinësë kësai jete, kundrë shpirtënavet këqi ndë vendet të qijevet.
13 Përandai merrni me vetëhe gjith’ armët’ e Perëndisë, për me muftunë me qindruem kundrë ndë ditët të keqe; edhe si të keni bamë gati të gjitha, të qindroni mbë kambë .
14 Qindroni mbë kambë pra ngjeshunë miedizinë tuei me të vërtetënë, edhe veshunë thuraken’ e dreitënisë,
15 edhe mbathunë kambëtë të jeni gati për ungjillin’ e paqtimit;
16 edhe përmbi të gjitha merrni me vetëhe mburonjën’ e besësë, qi me ate do të mundeni me shuem gjithë shëgjetat’ e ndezuna të së keqit;
17 edhe merrni përkrenaren’ e shpëtimit, edhe thikën’ e Shpirtit qi ashtë fjala e Perëndisë,
18 tue u falunë me shpirt mbë qish do kohë me qish do farë të faluni e të lutuni, edhe gjithë-nji kështu të rrini squtë me qish do farë durimi e të lutuni për gjithë shenjtënit;
19 edhe për mue për me m’u dhanë fjalë të çel gojënë t’eme, qi të baj me u ngjofunë për faqe pshefësinë e ungjillit,
20 qi për ate unë jam laimës ndë vargje hekurash, qi të dal përpara, e të flas sikurse duhetë.
21 Por qi të dini edhe ju të miatë, qish baj, të gjitha ka me ua diftuem juve Tyhiku, i dashuni vëlla, edhe shërbëtori besëtar mbë Zotinë,
22 të cillin’ e dërgova te ju për këte punë, qi të merrni vesht për punët t’ona, edhe të u ngushullojë zemëratë tueja.
23 Paqtim qoftë mbë vëllazënit edhe dashuni bashkë me besë prei Perëndisë Atit, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
24 Hir qoftë bashkë me gjith’ ata qi duenë Zotinë t’anë Iesu Krishtinë me paprishëje. Amen.
(Letëra) mbë Efesianët u shkrue prei Romet, (edhe u dërgue) me anë të Tyhikut .