Pali dhe apostujt e rremë
1 Ah, sikur ta duronit pak marrëzi nga ana ime. Më duroni, pra! 2 Ndiej për ju një zili që vjen prej Perëndisë. Ju fejova me një burrë të vetëm dhe ju paraqita te Krishti si një virgjëreshë të pastër. 3 Por kam frikë se, sikurse e mashtroi gjarpri Evën me dinakërinë e tij, edhe mendimet tuaja do të shmangen nga përkushtimi i çiltër dhe i pastër ndaj Krishtit. 4 Në të vërtetë, nëse vjen dikush dhe ju predikon një tjetër Jezu nga ai që ju predikuam ne, nëse merrni një tjetër shpirt nga ai që morët apo një ungjill të ndryshëm nga ai që pranuat, ju e duroni me dëshirë. 5 Unë mendoj se nuk jam aspak më i vogël se këta kryeapostuj. 6 Edhe po të isha më i dobët në gojëtari, nuk jam në dije dhe këtë gjë jua kemi bërë të ditur në çdo mënyrë e në gjithçka.
7 A mos bëra mëkat se përula veten që të lartësoheshit ju duke ju predikuar falas ungjillin e Perëndisë? 8 Kam marrë nga kishat e tjera çfarë më duhej për të jetuar dhe u kam hyrë në pjesë për t'ju shërbyer juve. 9 Kur isha te ju e kur isha në nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse m'i plotësuan nevojat vëllezërit nga Maqedonia. Kështu jam ruajtur e do të ruhem që të mos ju bëhem barrë. 10 Për të vërtetën e Krishtit, që është në mua, mburrja ime nuk do të heshtë në krahinën e Akaisë. 11 E pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua.
12 Atë që po bëj do të vazhdoj ta bëj, që t'ua heq mundësinë atyre që e dëshirojnë një mundësi për t'u njohur si të barabartë me ne në gjërat për të cilat mburren. 13 Këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit. 14 E mos u çuditni! Edhe Satani hiqet si engjëll drite. 15 Prandaj nuk është gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij hiqen si shërbëtorë të drejtësisë. Siç kanë veprat, ashtu edhe do të përfundojnë.
Vuajtjet si apostull
16 Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë. 17 Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet. 18 Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë, 19 sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët. 20 Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni. 21 Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë, po flas si të isha i marrë, atëherë do të guxoja edhe unë. 22 A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam. 23 Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje.
24 Judenjtë më rrahën pesë herë me nga tridhjetë e nëntë fshikuj. 25 Tri herë më kanë rrahur me shkop. Një herë më kanë goditur me gurë, tri herë më është mbytur anija e për një natë e një ditë jam endur nëpër det. 26 Kam udhëtuar shumë në këmbë, kam përjetuar rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët, rreziqe nga bashkëkombësit, rreziqe nga kombet, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det dhe rreziqe nga vëllezërit e rremë. 27 Kam kaluar mundime e vështirësi, shumë net pa gjumë, i uritur e i etur, shpesh pa ushqim, në të ftohtë e i zhveshur. 28 Përveç këtyre më mundonte çdo ditë përkujdesja për të gjitha kishat. 29 Nëse dikush është i dobët, atëherë edhe unë bëhem i dobët. Nëse dikush bie, atëherë vuaj edhe unë.
30 Nëse duhet të krenohem, krenohem me dobësitë e mia. 31 Perëndia dhe Ati i Zotit Jezu, që është i bekuar në amshim, e di se nuk gënjej. 32 Kur isha në Damask, qeveritari i mbretit Aret, vuri roja në gjithë qytetin e Damaskut për të më kapur, 33 por më zbritën me një kosh nga një dritare në mur dhe u ika nga duart.
KAPTINA XI.
1 Makarë të duroni pakëzë marrinë t’eme, por edhe më duroni.
2 Sepse kam zmir mbë ju me zmir Perëndie, sepse u fejova juve me nji burr qi të u nxier përpara Krishtit virgjineshë të pastrë.
3 Por kam frikë druese, sikurse gjarpëni gënjeu Evënë me dinakërin’ e vet, kështu ka me u prishunë mendia juei prei zemërësë mitunë qi keni mbë Krishtinë.
4 Sepse ai qi vien, ndë u predikoftë nji tietër Krisht, qi s’e kemi predikuem, a merrni nji tietër shpirt, qi s’e keni marrë, a nji tietër ungjill qi s’e keni pritunë, mirë do t’e duroishit’ ate .
5 Por mendohem se s’mbes nbrapa mbë ndonji punë prei apostujsh mëdhej.
6 Edhe ndonëse jam nieri i trashë mbë fjalët, por jo edhe mbë mend, por mbë qish do farë pune u shpërfaqem mbë ju.
7 Apor bana faj tue ulunë vetëhenë t’eme qi të naltohi ju, sepse ungjillëzuem ungjillin’ e Perëndisë dhunëti te ju?
8 Të tiera kisha i ropa, sepse mora pagë për me bamë punënë tuei;
9 edhe kur qeshë ngjat jush, e pata të mangunë, s’randova askend, sepse të mangunitë t’em e mbushnë vëllazënitë qi erthnë prei Makedonisë; edhe mbë qish do punë e rueita vetëhenë t’eme, edhe kam me e rueitunë, për mos me u bamë barrë te ju.
10 E vërteta e Krishtit ashtë tek unë, se s’ka me m’u mbyllunë goja për këte të mburrunë mbë vendet të Ahaisë.
11 Përse? Sepse s’u due juve? Perëndia e di.
12 Por ate qi baj, edhe gjithë-nji kam me e bamë, për me premë shkakun’ e atyneve qi duenë shkak, qi të gjindenë sikurse na mb’ate punë qi mburrenë.
13 Sepse të tillëtë nierës jan’ apostuj rrenësa, punëtorë gënjeshtarë, ndërruem formënë mb’apostuj të Krishtit.
14 Edhe s’ashtë për me u mërekulluem, sepse ai Satanai ndërron formënë mb’engjullë drite.
15 S’ashtë pun’ e madhe pra, ndë ndërrofshinë formën’ edhe punëtorët’ e ati mbë punëtorë dreitënie, të cillëvet e mbrapëna ka me qenunë mbas vepërash atyne.
16 Prap thom: Askushi mos më marri për të marrë, por ndë mos, pak së paku më pritni si të marrë, për me u mburrun’ edhe unë nji grimë.
17 Ate qi flas, nuk’ e flas mbas Zotit, por si i marrë, ndë këte punë të mburrunit.
18 Sepse shumë vetë mburrenë mbas mishit, kam me u mburrun’ edhe unë.
19 Sepse tue qenunë ju të mentshim, duroni me t’amblë të marrëtë,
20 sepse duroni, ndë u baftë juve kushi shërbëtorë, ndë u hangërt kushi, ndë u marrtë kushi të tuejatë , ndë u mbaitë me të math kushi, ndë u rraftë juve faqenë kushi.
21 Për panderëni thom këte , sikurse ishim të dobë, por mbë qish do punë ndë kucoftë kushi (ligjëroj si i marrë), kucoj edhe unë.
22 Hebrej janë? Edhe unë. Israelitë janë? Edhe unë. Far’ e Abrahamit janë? Edhe unë.
23 Shërbëtorët’ e Krishtit janë? (Flas jashtë menç) ma tepër’ unë; mbë ma tepërë mundime, mbë plagë fort ma shumë, ndë burgje ma tepërë, shumë herë mbë vdekë;
24 prei Iudejsh pesë herë mora katër-dhetë plagë pa nji;
25 tri herë u rrafa me shkop, nji herë u rrafa me gurë, tri herë u mbyta ndë det, nji nat’ e nji ditë kam bamë ndë fund të detit ;
26 shumë herë nd’udhë, ndë rreziqe lumnash, ndë rreziqe viedhësash, ndë rreziqe prei fisit t’em, ndë rreziqe prei kombesh, ndë rreziqe ndë qytet, ndë rreziqe ndë shkretinë, ndë rreziqe ndë det, ndë rreziqe ndër vëllazën rrenësa;
27 ndë mundim e ndë fëdigë, shumë herë ndë të pafjetuna, ndë uni e ndë het, shumë herë ndë agjinime, ndë të ftofët’ e ndë të sveshunë.
28 Përveç të përjashtëmevet, ajo qi ashtë vumë përmbi mue përditë, kujdesi i kishavet.
29 Kush asht’ i dobë, e unë s’jam i dobë? Kush shkandalizohetë, e unë s’digjem?
30 Ndë duhetë me u mburrunë, kam me u mburrunë për ato punët’ e dobësinësë s’eme.
31 Perëndia edhe Ati i Zotit t’ynë Iesu Krishtit, i cilli asht’ i bekuem ndë jetët të jetëvet , e di se s’rrej.
32 Ndë Damaskë i pari kombit i mbëretit Aretë ruente rreth qytetin’ e Damaskanëvet, sepse donte me më zanë,
33 edhe u varshë ndë shportë prei nji parathiri prei murit, edhe shpëtova prei duersh ati.