Përshëndetje
1 Unë, Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai ynë Timoteu, po i shkruajmë kishës së Perëndisë që është në Korint dhe të gjithë të shenjtëve në mbarë Akainë: 2 hiri e paqja e Perëndisë, Atit tonë, dhe e Zotit Jezu Krisht qofshin me ju!
Pali falënderon Perëndinë
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit, Ati i mëshirës dhe Perëndia i çdo ngushëllimi! 4 Ai na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona, që edhe ne të mund të ngushëllojmë ata që vuajnë, me ngushëllimin me të cilin na ngushëlloi Perëndia. 5 Sikurse janë të shumta vuajtjet e Krishtit për ne, edhe ngushëllimi ynë është i plotë përmes Jezu Krishtit. 6 Kur vuajmë, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj. Kur Perëndia na ngushëllon, kjo ndodh për ngushëllimin tuaj që ju forcon për të mbartur me durim të njëjtat vuajtje që po kalojmë edhe ne. 7 Shpresa jonë për ju është e palëkundshme, sepse e dimë se, sikurse merrni pjesë në vuajtjet tona, merrni pjesë edhe në ngushëllimin tonë.
8 Vëllezër, nuk duam që të mos jeni në dijeni për vuajtjet që kaluam në Azi, se aty gjendja jonë u rëndua përtej fuqive tona dhe aq shumë, saqë e kishim humbur edhe shpresën për të jetuar. 9 Menduam se ishim dënuar me vdekje dhe kjo që të mos shpresonim te vetja, por te Perëndia që ngjall të vdekurit. 10 Ai që na shpëtoi nga rreziku i vdekjes, do të vazhdojë të na shpëtojë. Tek ai shpresojmë se do të na shpëtojë, 11 por edhe ju do të na ndihmoni me anë të lutjeve tuaja e kështu shumë vetë do të falënderojnë Perëndinë për ne.
Vonesa për në Korint
12 Ne krenohemi e për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja jonë, se kemi jetuar në botë, e veçanërisht mes jush, me thjeshtësi dhe me sinqeritetin që vjen nga Perëndia, të udhëhequr nga hiri i tij e jo nga urtia njerëzore. 13 Nuk po ju shkruajmë gjë tjetër, përveç asaj që lexoni e kuptoni. Unë shpresoj se deri në fund do ta kuptoni plotësisht, 14 sikurse deri diku na keni kuptuar edhe ne, se në Ditën e Zotit Jezu ne do të krenohemi me ju dhe ju do të krenoheni me ne.
15 Me këtë bindje desha të vija së pari te ju, që të gëzoheshit dyfish. 16 Doja të kaloja nga ju për të shkuar në Maqedoni e nga Maqedonia të kthehesha përsëri te ju, që të më përcillnit për në Jude. 17 Kur vendosa të bëja kështu, mos vallë po veproja me mendjelehtësi? Mos vallë i marr vendimet sipas gjykimeve njerëzore, që të them «po» e «jo» njëherësh? 18 Perëndia dëshmon se fjala jonë për ju nuk ka qenë «po» e «jo» njëherësh, 19 se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që e shpallëm mes jush unë, Silvani e Timoteu, nuk ishte «po» e «jo» njëherësh. Përkundrazi ai u bë «po-ja» e Perëndisë.
20 Përmes Jezuit merr «po» çdo premtim i Perëndisë, prandaj përmes tij ne lavdërojmë Perëndinë duke i thënë «Amen». 21 Është vetë Perëndia ai që na forcon bashkë me ju në jetën me Krishtin, ai që na vajos, 22 dhe ai që na ka vulosur duke vënë Shpirtin e tij në zemrat tona si kapar.
23 Por për këtë thërras Perëndinë si dëshmitar për shpirtin tim: unë nuk u ktheva në Korint, se nuk doja t'ju bëhesha barrë. 24 Nuk duam të sillemi si zotër të besimit tuaj, por si bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, meqenëse qëndroni të fortë në besim.
KAPTINA I.
1 Pauli apostulli i Iesu Krishtit, prei dashunimit Perëndisë, edhe vëllai Timotheu, mbë kishën’ e Perëndisë qi ashtë ndë Korinthë, bashkë me gjithë shenjtënit qi janë ndëpër gjith’ Ahainë,
2 hir qoftë mbë ju edhe paqtim prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
3 I bekuem qoftë Perëndia edhe Ati i Zotit t’ynë Iesu Krishtit, Ati i përdëllimevet edhe Perëndia i qish do ngushullimi,
4 qi na ngushullon mbë qish do shtrëngim, qi të mundemi me ngushulluem ata qi gjindenë mbë qish do shtrëngim, me anë t’ati ngushullimit qi ngushullohemi na prei Perëndisë,
5 sepse sikurse teprojnë pësimet’ e Krishtit mbë ne, kështu edhe ngushullimi ynë tepron me anë të Krishtit.
6 Edhe ndë kemi shtrëngim, kemi shtrëngim për ngushullimin’ edhe për shpëtiminë tuei qi punohetë me anë të durimit atyne pësimevet qi pësoim’ edhe na; a ndë ngushullohemi, ngushullohemi për ngushullimin’ edhe për shpëtiminë tuei;
7 edhe shpëresa jonë për ju asht’ e patundëme, sepse e dimë, se sikurse jeni piesëtarë mbë pësimet, kështu keni me qenun’ edhe mbë ngushullimt.
8 Sepse s’duemë të jeni të paditun’, o vëllazën, për shtrëngiminë t’anë qi na gjaiti ndë Asi, se patëm barrë fort të randë përmbi fuqinë t’onë , kaqi sa s’na mbeti ma shpëresë për me rruem.
9 Por na e muerëm përmbi vetëhenë t’onë gjukimin’ e vdekësë, qi të mos kemi shpëresë mbë vetëhenë t’onë, por mbë Perëndinë qi ngjall të vdekunitë;
10 ai qi na shpëtoi prei kaqi vdeke të madhe, edhe na shpëton gjithë-nji ,
11 mb’ate shpëreimë se edhe ka me na shpëtuem, kur të na ndimoni edhe ju bashkë tue u falunë për ne, qi të bahetë të falunë ndersë për ne prei shumë vetësh për lirinë qi u dha mbë ne me anë të shumë nierëzëve.
12 Sepse lavdimi ynë ashtë kyi, deshmia e ndërgjegjëjesë t’onë, se e shkuem jetënë ndë këte botë me zemërë të mitun’ e të këthiellëtë te Perëndia, e jo me dituni të mishit, por me hir të Perëndisë, edhe ma tepërë te ju.
13 Sepse nuk’ u shkrueimë juve të tiera, veç ato qi këndoni, a i ngjifni; edhe shpërej se keni me i ngjofunë deri së mbrapëni,
14 sikurse ngjofët edhe neve mbë-nj-anë, se jemi lavdim mbë ju, sikurse edhe ju mbë ne, ndë ditë të Zotit Iesu.
15 Edhe mbë këte shpëresë desha me ardhunë te ju ma pari, qi të keni hir të dytë,
16 edhe prei jush të shkoj ndëpër Makedoni, edhe për-së-ri prei Makedonisë të vij te ju, edhe prei jush të përsillem ndë Iude.
17 Tue menduem pra këte, vallë mos e përdora me të letë? Apor sa mendoj, i mendoj mbas mishit, qi të jetë mbë mue po po, e jo jo?
18 Por Perëndia ashtë besëtar, se fjala jonë qi u fol mbë ju, s’u ba po edhe jo.
19 Sepse Iesu Krishti i Biri i Perëndisë qi u predikue ndër ju prei nesh, prei mejet edhe prei Silvanit edhe prei Timotheut, s’u ba po edhe jo, por u ba po mb’ate.
20 Sepse gjithë porosit’ e Perëndisë janë mb’ate po, edhe mb’ate amen, për laftin’ e Perëndisë për ne.
21 Edhe Perëndia ashtë ai qi na ban të palueitunë vendit bashkë me ju mbë Krishtinë, e qi na leu me voj ,
22 i cilli na bulosi, edhe na dha kaparin’ e Shpirtit ndë zemërat t’ona.
23 Edhe unë thërras për deshmitar Perëndinë ndë shpirt t’em, se për me u kursyem juve, s’erdha ma ndë Korinthë,
24 jo se kemi pushtet mbi besënë tuei, por jemi ndifmëtarët’ e gëzimit tuei, sepse qindroni ndë besët.