Bariu i mirë
1 «Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. 2 Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. 3 Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. 4 Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. 5 Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». 6 Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.
7 Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. 8 Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. 9 Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. 10 Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë.
11 Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. 12 Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, 13 sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet.
14 Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15 ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. 16 Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.
17 Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».
19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. 20 Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». 21 Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».
Judenjtë nuk e pranojnë Jezuin
22 Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. 23 Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. 24 Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». 25 Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, 26 por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. 27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. 28 Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. 29 Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. 30 Unë dhe Ati jemi një».
31 Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. 32 Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». 33 Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». 34 Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. 35 Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. 36 Atëherë, si mund t'i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? 37 Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, 38 por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».
39 Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart. 40 Ai shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje. 41 Shumë njerëz shkuan tek ai e thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka tha për të është e vërtetë». 42 Dhe atje besuan në të shumë njerëz.
KAPTINA X.
1 Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve: Ai qi nukë hyn ndëpër derët ndë oborr të dhenvet, por hypën gjetiu, ai ashtë viedhës edhe kursar.
2 Por ai qi hyn ndëpër derët, asht’ bariu i dhenvet.
3 Portari i çel derënë këti; edhe dhentë ndëgjojnë zanin’ e ati; edhe thërret dhent’e vet me emënë, edhe i nxier.
4 Edhe kur të nxierri dhent’ e vet, vete përpara atyneve, edhe dhent’ e marrinë mbrapa, sepse ngjofinë zanin’ e ati.
5 Por të huejinë s’kanë me e marrë mbrapa, por kanë me ikunë prei ati, sepse nukë ngjofinë zanin’ e të huejvet.
6 Këte parabull’ u tha atyne Iesui, por ata nukë muernë vesht qish ishinë këto qi u fliste atyne.
7 Iesui pra u tha atyne prap: Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve, se unë jam dera e dhenvet.
8 Gjithë sa erthnë para mejet, janë viedhësa edhe kursarë, por dhentë nuk’ u ndëgjuen’ atyne.
9 Unë jam dera: ndë hyftë kushi prei anësë s’eme, ka me u shpëtuem, edhe ka me hym’ e ka me dalunë, edhe ka me gjetunë të kullotunë.
10 Viedhësi nukë vien për tietër gja, veç për me viedhun’ e me therun’ e me prishunë; un’ erdha qi të kenë jetë, edhe ta kenë tepërë.
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë ve jetën’ e vet për dhent.
12 Por punëtori, edhe ai qi s’ashtë bari, të cillit s’janë dhent’ e vet, ve ore ujkunë tue ardhunë, edhe le dhentë, e ikën; edhe ujku i rrëmben, edhe shpërdan dhentë.
13 Edhe punëtori ikën, sepse ashtë punëtuer, e s’ka gaile për dhent.
14 Unë jam bariu i mirë: edhe ngjof të miratë, edhe ngjifem prei së mijash.
15 Sikurse Ati më ngjef, edhe unë ngjof Atinë, edhe ve jetënë t’eme për dhent.
16 Kam edhe të tiera dhen, qi s’janë prei këti oborri, më duhetë t’i mbëleth edhe ato; edhe kanë me ndëgjuem zaninë t’em; edhe ka me u bamë nji tufë, e nji bari.
17 Përandai Ati më do, sepse unë ve jetënë t’eme, qi ta marr për-së-ri.
18 Askushi nuk’ e ngre prei mejet, por un’ e ve prei vetiut; kam pushtet me e vumë, edhe kam pushtet me e marrë prap. Këte porosi e mora prei t’im et.
19 Për-së-ri pra u ba të shqierrë ndërmiet Iudevet për këto fjalë.
20 Edhe shumë vetë prei atyneve thoshinë: Ka diallinë, edhe asht’ i çëmendunë; përse i ndëgjoni?
21 Të tierë thoshinë: Këto fjalë nukë janë fjalë të diallosuni; mos mundetë dialli me u çelunë sytë të verbënavet?
22 Edhe u ba festa e të përtërimevet ndë Ierusalem.
23 Edhe Iesui ecëte ndë tempull, ndë kamaret të Solomonit.
24 Iudeitë pra e qarkuenë, edhe i thoshinë: Qysh kurë mba lidhunë shpirtinë t’anë? Ndë je ti Krishti, na thuei mballa-faqe.
25 Iesui u përgjeq atyne: U thashë juve, edhe nukë besoni. Punëtë qi baj unë mb’emënit të t’im et, këto deshmojnë për mue.
26 Por ju nukë besoni, sepse nukë jeni prei dhenvet mia, sikurse u thashë juve.
27 Dhent’ e mia ndëgjojnë zaninë t’em, edhe un’ i ngjof, edhe më marrinë mbrapa.
28 Edhe un’ u ap atyne jetën’ e pasosëme; edhe s’kanë me hupunë për gjithë jetënë, edhe askushi s’ka me i rrëmbyem prei dorësë s’eme.
29 Em Atë qi m’i ka dhanë ashtë ma i madh se të gjithë, edhe askushi s’mundetë me i rrëmbyem prei dorësë t’im et.
30 Un’ edhe Ati jemi nji.
31 Prap pra Iudeitë kapnë gurë për me hedhunë mbi atë.
32 Iesui u përgjeq atyne: U diftova juve shumë punë të mira prei t’im et; për çfarë pune prei asosh më rrifni me gurë?
33 Iudeit’ iu përgjeqnë, tue thanë: Nukë të rrafimë me gurë për punë të mirë, por për vlasfimi; sepse edhe ti, tue qenunë nieri, ban vetëhenë tande Perëndi.
34 Iesui u përgjeq atyne: A nuk ashtë shkruem ndë ligjët tuei - “Unë thashë: Jeni perëndina”?
35 Ndë qoftë se u tha perëndina atyneve, mbë të cillët u ba fjala e Perëndisë, edhe shkronja s’mundetë me u prishunë;
36 ate qi shenjtënoi Ati, edhe e dërgoi ndë botët, ju thoni, se vlasfimon, sepse thashë: Jam i Bir’ i Perëndisë?
37 Ndë mos bafsha punët’ e t’im et, mos më besoni.
38 Por ndë bafsha, e ndë mos besofshi mue, besoniu punëvet, qi të ngjifni edhe të besoni, se Ati ashtë tek unë, edhe unë tek ai.
39 Kërkojshinë pra prap me e zanë, por duel prei dorës atyne.
40 Edhe shkoi prap përtej Iordanit, ndë vend ku ishte Gjionni përpara tue pagëzuem; edhe mbeti atie.
41 Edhe shumë vetë erthnë tek ai, edhe thoshinë, se: Gjionni nukë bani as ndonji mërekulli, por gjithë sa tha Gjionni për këte, ishinë të vërteta.
42 Edhe shumë vetë i besuan’ atie.