Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mk 11.1-11Lk 19.28-38Gjn 12.12-19)1 Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara 2 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. 3 Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». 4 Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit:
5 i thoni bijës së Sionit:
ja, po vjen te ti mbreti yt,
plot butësi, hipur mbi një gomaricë
e një kërriç, të voglin e gomaricës.
6 Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. 7 Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. 8 Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. 9 Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin:
«Hosana birit të Davidit,
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
Hosana në lartësitë e qiejve!».
10 Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». 11 Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë».
Pastrimi i tempullit
(Mk 11.15-19Lk 19.45-48Gjn 2.13-22)12 Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. 13 Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
do të quhet shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
14 Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. 15 Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan 16 e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi ». 17 Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.
Mallkimi i fikut
(Mk 11.12-14, Mk 20-24)18 Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria. 19 Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënç më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast. 20 Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?». 21 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim e të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t'i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte. 22 Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni».
Pushteti i Jezuit
(Mk 11.27-33Lk 20.1-8)23 Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». 24 Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 25 Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 26 Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». 27 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».
Dy djemtë
28 «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. 29 Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. 30 Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. 31 Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?».
Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. 32 Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat».
Vreshtit dhe vreshtarët
(Mk 12.1-12Lk 20.9-19)33 «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. 34 Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. 35 Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. 36 U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. 37 Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. 38 Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. 39 Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». 41 Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». 42 Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes.
Kjo është vepra e Zotit
dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ».
43 Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. 44 Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë».
45 Kur kryepriftërinjtë e farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta 46 dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet.
KAPTINA XXI.
1 Edhe kur u afruenë ndë Ierusalem, edhe erthnë ndë Bethfagi ndaj malin’ e Ullivet, atëherë Iesui dërgoi dy dishepuj,
2 tue u than’ atyneve: Shkoni mb’atë katund qi ashtë kundruell jush, edhe përnjiherë keni me gjetunë nji gomare lidhunë, edhe nji polisht bashkë me atë; sgjidhni, e m’i bini.
3 Edhe ndë u thashtë juve gja kush, keni me i thanë, se Zoti ka nevojë për ata; edhe përnjiherë ka me i dërguem.
4 Edhe gjithë këjo u ba për me u mbushunë qish ashtë thanë prei profetit, qi thoshte:
5 “Thoni të bijësë Sionit: Qe mbëreti yt te po vien te ti i butë, edhe hipunë mbi gomare, edhe polisht bir shtaze”.
6 Edhe dishepujtë si votnë, edhe banë sikurse i urdhënoi Iesui,
7 prunë gomaren’ edhe polishtinë, edhe vunë petkat’ e veta sipër atyneve, edhe e hipnë sipër atyneve.
8 Edhe e shumëta e gjindëjesë shtruenë petkat’ e veta mb’udhë, edhe të tierë këputshinë dega drush, e i shtrojshinë mb’udhë.
9 Edhe gjindëja qi shkojshinë përpara, edhe ata qi e merrshinë mbrapa bërtitshinë, tue thanë: Hosanna mbë të birin’ e Davidit; i bekuem asht’ ai qi vien mb’emënit të Zotit. Hosanna mbë të naltat.
10 Edhe ai kur hyni ndë Ierusalem, u tund gjithë qyteti, tue thanë: Cilli ashtë kyi?
11 Edhe gjindëja thoshinë: Kyi ashtë Iesui profeti, qi ashtë prei Nazaretit Galilesë.
12 Edhe Iesui hyni ndë tempull të Perëndisë, edhe nxuer jashtë gjithë ata qi shitshin e blejshinë ndë tempull, edhe rrenoi truvezat’ e truvezarëvet, edhe shqembet’ e atyneve qi shitshinë pullumbatë.
13 Edhe u thot’ atyneve: Ashtë shkruem: “Shtëpia eme ka me u queitunë shtëpi lutëje.”, por ju e batë “shpellë viedhësish”.
14 Edhe erthnë përanë ati të verbët’ e të çalë ndë tempull; edhe i shëndoshi.
15 Por Krye-priftënit’ edhe Shkruisitë kur pan’ ato mërekullitë qi bani, edhe çunatë tue bërtitunë ndë tempull, e tue thanë: Hosanna mbë të birin’ e Davidit, u zemëruenë,
16 edhe i thanë: Ndëgjon qish thonë këta? Edhe Iesui u thotë: Po, kurrë s’keni ndëgjuem - “Se prei gojësë foshnjevet edhe prei atyneve qi thithinë gji bane gati lavdim”?
17 Edhe i la, e duel jashtë qytetit ndë Bethani, edhe mbeti natën’ atie.
18 Edhe me nadie kur u këthye ndë qytet, i erdhi uni.
19 Edhe kur pa nji dru fiku mb’udhë, erdhi mb’atë, por s’gjeti gja nd’atë, veç gjethe vetëmë, edhe i thotë: Mos u baftë ma pemë prei teje për gjithë jetënë. Edhe druja e fikut përnjiherë u tha.
20 Edhe dishepujtë kur panë, u mërekulluenë, e thanë: Qysh u tha druja e fikut përnjiherë!
21 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyneve: Për të vërtet po u thom juve, ndë paçi besë, edhe të mos jeni me dy mendesh, jo veç këte të drusë fikut keni me bamë, por edhe këtij mali ndë i thançi: Ngreu edhe bier ndë det; ka me u bamë.
22 Edhe gjithë sa të lypni ndë lutëjet, tue pasunë besë, keni me i marrë.
23 Edhe kur erdhi ndër tempull, Krye-priftënit’ edhe pleqt’ e popullit i erthnë përanë atie ku mësonte, e thanë: Me çfar’ urdhëni ban këto? Edhe cilli ta ka dhanë këte urdhënë?
24 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyneve: Kam me u pyetunë juve edhe unë nji fjalë, ndë ma thançi, edhe unë kam me u thanë juve, me çfar’ urdhëni baj këto.
25 Prei kah ishte pagëzimi i Gionnit? Prei qielli, a prei nierëzish? Edhe ata mendoheshinë me vetëhenë, tue thanë: Ndë thançim prei qielli, ka me thanë: Përse nuk’ i besuetë?
26 Edhe ndë thançim prei nierëzish, drueim gjindëjenë, sepse gjith’ e kanë Gionninë për profet.
27 Edhe iu përgjegjën Iesuit, e thanë: Nukë dimë. Edhe ai u tha atyneve: As unë s’u thom juve, me çfar’ urdhëni baj këto.
28 Edhe qysh u duketë juve? Nji nieri kishte dy bij; edhe erdhi tek i pari, e i tha: Bir, shko sot, e puno ndë vesht t’em.
29 Edhe ai u përgjeq, e tha: Nukë due; por mbasandai u pendue, e voiti.
30 Edhe erdhi tek i dyti, e i tha ashtu. Edhe ai u përgjeq, e tha: Unë vete , Zot; edhe nukë voiti.
31 Cilli prei të dysh i bani dashuniminë të i atit? I thonë: I pari. Iesui u thot’ atyneve: Për të vërtet po u thom juve, se publikanët’ edhe kurvatë shkojnë përpara jush ndë mbëretënit të Perëndisë.
32 Sepse Gionni erdhi te ju nd’udhë dreitënie; edhe nuk’ i besuetë; por publikanët’ edhe kurvat’ i besuenë; edhe ju si patë, nuk’ u penduetë mbasandai për me i besuem.
33 Ndëgjoni nji tietër parabullë. Nji nieri ishte zot shtëpie, i cilli mbuell nji vesht, edhe e thuri me garth, edhe gërmihi mb’atë nji gaviç, edhe ndërtoi nji pyrk, edhe e dha ndër bujq, edhe iku ndë dhe të huej.
34 Edhe kur u afrue koha e pemëvet, dërgoi shërbëtorët’ e vet te bujqitë me marrë pemën’ e ati.
35 Edhe bujqitë zunë shërbëtorët’ e ati, e njianin’ e rrafnë, e tietrin’ e vran’; e tietrin’ e gjueitnë me gur.
36 Përsëri dërgoi të tierë shërbëtorë ma tepërë se te parëtë: por ua ban’ ashtu.
37 Edhe mbasandai dërgoi të birin’ e vet tek ata, tue thanë, se : T’em bir kanë me e pasunë turp.
38 Por bujqitë kur panë të birinë, thanë njiani tietrit: Kyi ashtë trashigimtari. Eni ta vrasim’, edhe të pushtojmë trashigimin’ e ati.
39 Edhe si e zunë, e nxuernë jashtë veshtit, edhe e vranë.
40 Kur të vijë pra i zoti veshtit, qish ka me u bam’ atyne bujqve?
41 I thonë: Keq’ e ma keq ka me i prishunë; edhe veshtinë ka me ua dhanë të tierëve bujqve, të cilltë kanë me i dhanë pemëtë ndë kohë t’atyneve.
42 Iesui u thot’ atyneve: Kurrë s’keni kënduem ndër shkronjat - “Ate gur qi s’e pëlqyen’ ata qi ndërtojnë, kyi u ba për krye kanti; prei Zotit u ba ajo, edhe asht’ e mërekullueshime ndër sytë t’anë?”
43 Përandai po u thom juve, se mbëretënia e Perëndisë ka me u marrë prei jush, edhe ka me u dhanë mbë nji komp qi ban pemët’ e asai.
44 Edhe ai qi të bierë përmbi këte gur, ka me u thërrmuem; edhe mbi atë qi të bierë, ka me e përsheshunë.
45 Edhe Krye-priftënit’ edhe Fariseitë kur ndëgjuenë parabullat’ e ati, e muernë vesht se thotë për ata.
46 Edhe kërkuenë me e zanë, por drojshinë gjindëjenë, sepse e kishinë për profet.