Hyrja
1 Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, 2 siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, 3 edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t'i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, 4 me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.
Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzorit
5 Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. 6 Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. 7 Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë.
8 Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, 9 sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. 10 Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. 11 Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. 12 Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. 13 Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. 15 Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. 16 Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. 17 Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». 18 Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». 19 Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. 20 Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha».
21 Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. 22 Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. 23 Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. 24 Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: 25 «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».
Paralajmërimi i lindjes së Jezuit
26 Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, 27 te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. 28 Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty ». 29 Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. 30 Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. 32 Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». 34 Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». 35 Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. 36 Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. 37 Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». 38 Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.
Maria te Elizabeta
39 Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. 41 Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, 42 thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! 43 Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? 44 Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. 45 Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». 46 Maria tha:
«Gjithë qenia ime e madhëron Zotin
47 dhe shpirti im ngazëllehet
për Perëndinë, shpëtimtarin tim,
48 sepse ai hodhi sytë
mbi përulësinë e shërbëtores së vet
dhe, ja, të gjitha breznitë
do të më quajnë të lume.
49 Gjëra të mëdha
ka bërë për mua i fuqishmi.
I shenjtë është emri i tij.
50 Mëshira e tij zgjat nga
breznia në brezni
për ata që e druajnë.
51 Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij,
hodhi poshtë ata që mburreshin
me mendimet e zemrës së tyre,
52 rrëzoi të fuqishmit nga froni
dhe lartësoi të përulurit.
53 Të uriturit
i mbushi me të mira,
ndërsa të pasurit
i nisi duarzbrazët.
54 E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet,
duke sjellë ndër mend mëshirën,
55 siç u kishte thënë etërve tanë,
Abrahamit,
dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».
56 Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
Lindja e Gjon Pagëzorit
57 Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. 58 Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. 59 Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. 60 Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». 61 Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». 62 Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. 63 Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. 64 Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. 65 Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. 66 Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të.
Profecia e Zakarisë
67 Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu:
68 «Bekuar qoftë Zoti,
Perëndia i Izraelit,
se erdhi dhe shpengoi popullin e tij.
69 Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit
në shtëpinë e Davidit,
shërbëtorit të vet,
70 siç e kishte thënë
me gojën e profetëve të tij të shenjtë
që prej shekujsh;
71 shpëtim nga armiqtë tanë
dhe nga dora e të gjithëve atyre
që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë me etërit tanë
e për t'u kujtuar
për besëlidhjen e tij të shenjtë;
73 për betimin që i bëri Abrahamit,
atit tonë,
për të na lejuar
74 që, pasi të na çlironte
nga duart e armiqve tanë,
t'i shërbenim pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi para tij
për të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, foshnjë,
do të quhesh profet i të Tejlartit,
se do të ecësh përpara Zotit
për të përgatitur udhët e tij,
77 për t'i dhënë popullit të tij
njohjen e shpëtimit
me anë të faljes së mëkateve,
78 falë dhembshurisë së mëshirshme
të Perëndisë tonë,
me të cilën
do të na vijë së larti agimi,
79 që shndrit mbi ata që rrinë
në errësirë
e në hijen e vdekjes
dhe për të drejtuar
hapat tanë
në udhën e paqes».
80 Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit.
KAPTINA I.
1 Mbassi vunë dorë shumë vetë me diftuem me rregullë për ato punët qi janë vërtetuem mbë ne,
2 sikurse na i kanë lan’ ata qi i panë me sy çë ndë krye të herësë, edhe u banë shërbëtorët’ e fjalësë;
3 e pashë me udhë edhe unë, qi i rashë mbrapa të gjithave nji për nji çë ndë krye të herësë, me të shkruem me rreshtë për këto , o i pushtetshim Theofil,
4 qi të njofish të vërtetuemen’ e atyne punëvet qi u mësove.
5 Ndë ditt të Herodit, mbëretit Iudesë, ishte nji prift qi ia thoshin’ emninë Zahari, prei famullisë Abia; edhe grueja e ati ishte prei së bijash Aaronit, edhe ia thoshin’ emninë Elisabetë.
6 Edhe këta të dy ishinë të dreitë përpara Perëndisë, tue ecunë pa palavi ndër gjith’ urdhënimet e dreitënimet e Zotit.
7 Edhe ata s’kishinë dial, sepse Elisabeta ishte shterpë, edhe të dy ishinë të lashtë ndër ditt të veta.
8 Edhe ai kur ishte tue bamë punët’ e priftënisë përpara Perëndisë ndë rregullë të famullisë vet,
9 mbas zakonit punësë priftënisë, i ra shorta me tymitunë me qem, kur hyni ndë tempull të Zotit.
10 Edhe gjithë shumica e popullit ishte tue u falunë përjashtë ndë kohë të qemit.
11 Edhe iu duk engjull’ i Zotit, ndenjunë mb’anë të diathtë të theroresë qemit.
12 Edhe Zaharia kur pa, u përzie, edhe e muer frika.
13 Por engjulli i tha: Mos u friko, Zahari, sepse lutëja jote u ndëgjue, edhe grueja jote Elisabeta ka me të piellë bir, edhe ke me ia queitun’ emninë Gjionn.
14 Edhe ka me qenë mbë tyi gëzim e gazmend, edhe shumë vetë kanë me u gëzuem për të lemit t’ati.
15 Sepse ka me qen i math përpara Zotit, edhe s’ka me pimë venë e sikera; edhe ka me u mbushunë me Shpirtinë Shenjt çë prei barkut s’amësë vet.
16 Edhe ka me këthyem shumë vetë prei të bijvet Israelit mbë Zotinë Perëndin’ e atyne.
17 Edhe ai ka me ardhunë përpara ati me frymë e me fuqi të Eliut, për me këthyem zemërat’ e atënave mbë dielmt, edhe të pandëgjueshmitë ndë urti të dreitëvet, për me bamë gati nji popull të ndrequnë për Zotinë.
18 Edhe Zaharia i tha engjullit: Si kam me e marrë vesht këte punë? Sepse unë jam plak, edhe grueja eme asht’ e lashtë ndë ditt të veta.
19 Edhe engjulli u përgjeq, e i tha: Unë jam Gabrieli qi rrij përpara Perëndisë; edhe u dërgueshë për me të folunë, e për me të dhanë zanin’ e mirë për këto punë .
20 Edhe qe te s’do të pëzajsh, edhe s’do të mundesh me folë ngjysh mb’atë ditë qi të bahenë këto, sepse nuk’ u zune besë fjalëvet mia, të cillatë kanë me u mbushunë ndë kohë të vet.
21 Edhe populli ishte tue pritunë Zaharinë, edhe mërekulloheshinë përse po vonohei ai ndë tempull.
22 Edhe kur duel, nukë mundei me u folë atyne; edhe e muernë vesht se kishte pamë nji të dukunë ndë tempull; edhe ai u bante atyne me shenjë, edhe mbeti shurdh.
23 Edhe si u mbushnë ditt e shërbesës’ ati, voiti ndë shtëpit të vet.
24 Edhe mbas këtyne ditsh Elisabeta grueja e ati u mbars, edhe pshifte vetëvetëhenë pesë muej, tue thanë,
25 se: Kështu bani Zoti mbë mue ndër këto ditt qi vuni ore me hequnë të përqeshunitë prei mejet ndërmiet nierëzish.
26 Edhe mbë të gjashttinë muej, engjulli Gabriel u dërgue prei Perëndisë ndë qytet të Galilesë, qi e kishte emninë Nazaret,
27 te nji virgjineshë qi ishte fejuem me nji burr qi e kishte emninë Iosef, prei shtëpisë Davidit; edhe virgjinesha e kishte emninë Mari.
28 Edhe Engjulli kur hyni tek ajo, tha: Gëzohu, o e gëzueme, Zoti ashtë bashkë me tyi; e bekueme je ti ndërmiet gravet.
29 Edhe ajo kur pa, u përzie për fjalën’ e ati, edhe mendohei, qish do me qenë kyi farë të përshëndetuni.
30 Edhe engjulli i tha: Mos u friko, Mari; sepse gjete hir për-anë Perëndisë.
31 Edhe qe te ke me u mbarsunë ndë bark, edhe ke me piellë bir, edhe ke me ia queitun’ emninë IESU.
32 Kyi ka me qen’ i math, edhe ka me u queitun’ i Biri të Naltit; edhe Zoti Perëndia ka me i dhanë shkambin’ e Davidit atit ati;
33 edhe ka me mbëretënuem ndë shtëpit të Iakobit për gjithë jetënë; edhe mbëretënia e ati s’ka me pasunë të mbaruem.
34 Edhe Maria i tha engjullit: Qysh ka me qenë këjo punë , sepse unë s’ngjof burr?
35 Edhe engjulli u përgjeq, e i tha: Shpirti Shenjt ka me ardhunë mbë tyi, edhe fuqia të Naltit ka me të hijesuem, përandai edhe ajo gja e shenjtënueme qi len prei tejet ka me u queitunë Bir Perëndie;
36 edhe qe Elisabeta, fisi yt, edhe ajo u mbars me bir ndë pleqëni të vet; edhe kyi muej asht’ i gjashtti asai qi quhetë shterpë.
37 Sepse s’ashtë punë qi s’mundetë për-anë Perëndisë.
38 Edhe Maria tha: Qe shërbëtoreja e Zotit; u baftë mbë mue mbas fjalësë s’ate. Edhe engjulli iku prei asai.
39 Edhe nd’ato ditt Maria u ngrit, e voiti me nxitim ndë malësit, ndë nji qytet të Iudesë;
40 edhe hyni ndë shtëpit të Zaharisë, edhe përshëndeti Elisabetënë.
41 Edhe Elisabeta kur ndëgjoi të përshëndetunit’ e Marisë, foshnjeja karceu ndë bark t’asai; edhe Elisabeta u mbush me Shpirtinë Shenjt,
42 edhe bërtiti me za të madh, e tha: E bekueme je ti ndërmiet gravet, edhe e bekueme ashtë pema e barkut tand.
43 Edhe prei kah më befti këjo punë , për me ardhun’ e ama Zotit t’em tek unë?
44 Sepse qe porsa erdhi zani të përshëndetunit tand ndë veshët e mi, foshnjeja karceu me gëzim ndë bark t’em.
45 Edhe lum ajo qi të besojë, sepse kanë me u mbushunë tek ajo qish janë folunë prei Zotit.
46 Edhe Maria tha: Shpirti em madhënon Zotinë,
47 edhe fryma eme u gëzue mbë Perëndinë shëlbuesinë t’em.
48 Sepse shtiu sytë mbë të përvumit e shërbëtoresë vet, sepse qe çë tashti e mbaskëndai gjithë brezatë kanë me më lumënuem,
49 sepse i Forti bani punë të mëdha mbë mue; edhe emëni i ati asht’ i shenjtënueshim,
50 edhe përdëllim i ati ashtë breza mbas brezash mb’ata qi e kanë frikë.
51 Bani pushtet me krahin’ e vet; përdau madhështorëtë ndë mendim të zemëravet atyne.
52 Sdrypi fuqitarë prei shqembesh, edhe ngriti nierës të përvutë.
53 Të unishëmit’ i mbushi plot me të mira, edhe të pasunit’ i dërgoi jashtë shprazëtë.
54 I ndimoi Israelit shërbëtorit vet, kur pruni ndër mend përdëllim,
55 sikurse foli tek atënit t’anë, mbë Abrahamin’ edhe mbë farën’ e ati, për gjithë jetënë.
56 Edhe Maria mbeti bashkë me ate afërë tre muej, mbasandai u këthye ndë shtëpi të vet.
57 Edhe Elisabetës’ iu mbush moti për me piellë. Edhe puell nji bir.
58 Edhe fëqinjtë e fisi i asai kur ndëgjuenë, se Zoti madhënoi përdëllimin’ e vet tek ajo, gëzoheshinë bashkë me ate.
59 Edhe ndë të tettënë ditë erthnë me rreth-premë çuninë; edhe e queitnë Zahari, me emënin’ e të i atit vet.
60 Por e ama ati u përgjeq, e tha: Jo; por ka me u queitunë Gjionn.
61 Edhe ata i thanë, se: Nuk’ ashtë ndonji ndë fis tand, qi quhetë me këte emënë.
62 Edhe i bajshinë me shenjë të i atit ati, pale qish do me u queitun’ ai.
63 Edhe ai lypi nji dërrasë shkronjet, e shkroi, tue thanë: Emën’ i ati ashtë Gjionn. Edhe të gjith’ u mërekulluenë.
64 Edhe përnjiherë goja e ati, edhe gjuha e ati u çel, edhe fliste tue bekuem Perëndinë.
65 Edhe u erdhi frikë gjith’ atyne qi rrijshinë rreth ati; edhe të gjitha këto fjalë fliteshinë ndëpër gjithë malësin’ e Iudesë.
66 Edhe gjith’ ata qi ndëgjuen’ i vunë këto punë ndë zemërat të veta, tue thanë: Vallë qish do me qenunë kyi çun! Edhe dora e Perëndisë ishte bashkë me ate.
67 Edhe Zaharia i ati ati u mbush me Shpirtinë Shenjt, edhe profetizoi, tue thanë:
68 I bekuem qoftë Zoti Perëndia i Israelit, sepse vuni ore, edhe bani shpërblim mbë popullin’ e vet,
69 edhe ngriti bri shpëtimi mbë ne ndë shtëpit të Davidit shërbëtorit vet,
70 sikurse doli me anë të gojësë të shenjtënueshimivet profetënavet vet çë përpara jetësë;
71 shpëtim prei anëmiqvet t’anë edhe prei dorësë gjith’ atyne qi na kanë mëni;
72 me bamë përdëllim tek atënit t’anë, edhe me përmendunë dhiatën’ e vet të shenjtënuemenë,
73 mbas bese qi iu përbetue atit t’anë Abrahamit,
74 se ka me na dhanë me shpëtuem prei dorës’ anëmiqvet t’anë, edhe me i shërbyem pa frikë,
75 me shenjtëni e me dreitëni përpara ati gjithë ditt e jetësë t’onë.
76 - Edhe ti, o çun, ke me u queitunë profet i të Naltit, sepse ke me shkuem përpara faqesë Zotit, për me bamë gati udhët’ e ati;
77 për me i dhanë mend shpëtimi popullit ati me ndëjesën’ e fajevet atyne,
78 me anë të përdëllimit thellë Perëndisë t’onë, qi na vuni ore e lemeja e diellit prei së naltit,
79 për me ndritun’ ata qi rrinë nd’errësinë e ndë hije të vdekësë, për me bamë kambëtë t’ona me ecunë dreitë nd’udhë të paqtimit.
80 Edhe çuni rritei e forcohei ndë shpirt, edhe ishte ndëpër shkretinat, ngjysh mb’ate ditë, qi diftoi vetëhenë tek Israeli.