1 Shikoni ç'dashuri të madhe na ka dhënë Ati: të quhemi bij të Perëndisë. Dhe me të vërtetë jemi, prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur as atë. 2 Fort të dashur, tani jemi bij të Perëndisë dhe nuk na është shfaqur ende se çfarë do të jemi, por dimë që kur të shfaqet Krishti, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është. 3 Dhe kush ka këtë shpresë tek ai, bëhet i pastër, sikurse është i pastër ai.
4 Kush bën mëkat, shkel ligjin, sepse mëkati është shkelja e ligjit. 5 Ju e dini se Jezu Krishti u shfaq për të marrë mbi vete mëkatet dhe në të nuk ka mëkat. 6 Kush qëndron në të, nuk mëkaton. Kush mëkaton, nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur atë.
7 Bijtë e mi, mos t'ju mashtrojë askush! Ai që bën drejtësinë është i drejtë, sikurse është i drejtë Jezu Krishti. 8 Ai që bën mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkatoi që nga fillimi. Prandaj u shfaq Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. 9 Kush ka lindur nga Perëndia, nuk bën mëkat, sepse fara e jetës së Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë, meqenëse ka lindur nga Perëndia. 10 Ja nga dallohen qartë bijtë e Perëndisë nga bijtë e djallit: kush nuk bën atë që është e drejtë dhe nuk do vëllanë e vet, nuk është nga Perëndia.
Duajeni njëri-tjetrin
11 Kjo është porosia që keni dëgjuar që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin, 12 jo si Kaini, që ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe përse e vrau? Ngaqë veprat e tij ishin të liga, ndërsa veprat e vëllait të tij ishin të drejta. 13 Mos u habisni, vëllezër, nëse bota ju urren! 14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk ka dashuri mbetet në vdekje.
15 Kush urren vëllanë është njeri-vrasës dhe ju e dini se asnjë njeri-vrasës nuk ka më jetë të amshuar. 16 Ja si e njohëm dashurinë: Jezu Krishti dha jetën e tij për ne, prandaj edhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit tanë. 17 Nëse dikush që ka të mirat e kësaj bote shikon vëllanë e vet në nevojë, por e ngurtëson zemrën ndaj tij, si mund të qëndrojë në të dashuria e Perëndisë? 18 Bijtë e mi, të mos duam me fjalë a me gojë, por me vepra dhe me të vërtetë.
Siguri para Perëndisë
19 Ja si do ta dimë se jemi nga e vërteta dhe zemra jonë do të ketë siguri para Perëndisë: 20 edhe nëse zemra na padit, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. 21 Fort të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë 22 dhe do të marrim prej tij ç'të kërkojmë, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që i pëlqejnë atij. 23 Urdhërimi i tij është t'i besojmë emrit të Birit të tij Jezu Krisht dhe të duam njëri-tjetrin siç na urdhëroi ai. 24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Nga kjo gjë ne dimë se Perëndia qëndron në ne: nga Shpirti që na dha.
KAPTINA III.
1 Shifni qish farë dashunie na ka dhan’ Ati, qi të qjuhemi dielmt’ e Perëndisë; përandai bota nukë na ngjef, sepse nuk’ e ngjofi ate.
2 Të dashunë, tashi jemi dielmt’ e Perëndisë, por edhe s’ashtë shpërfaqunë se qish kemi me qenunë, por e dimë se kur të shpërfaqetë, kemi me qenunë porsi ai, sepse kemi me e pam’ ate, sikurse ashtë.
3 Edhe gjithë kush të ketë këte shpëresë mb’ate, pastron vetëvetëhenë, sikurse ai asht’ i pastër.
4 Kush-do qi ban fajinë, ban edhe paligjëninë, sepse faji ashtë paligjënia.
5 Edhe e dini se ai u shpërfaq, qi të ngrejë fajetë t’ona, edhe faj nuk’ ashtë mb’ate.
6 Kush-do qi mbet mb’ate, nukë fëjen; kush-do qi fëjen, nuk’ e ka pam’ate, as nuk’ e ka ngjofunë.
7 Dielmthit’ e mi , askushi le të mos u gënjejë juve; ai qi ban dreitëninë asht’ i dreitë, sikurse ai asht’ i dreitë.
8 Ai qi ban fajinë ashtë prei diallit, sepse dialli çë përpara herësë fëjen. Përandai u shpërfaq i Bir’ i Perëndisë për me prishunë punët’ e diallit.
9 Ai qi ka lemë prei Perëndiet s’ban faj, sepse fara e ati mbet mb’ate, edhe s’mundetë me fëjyem, sepse ka lemë prei Perëndiet.
10 Mbë këte shqyhenë dielmt’ e Perëndisë edhe dielmt’ e diallit. Kush-do qi nukë ban dreitëni, edhe ai qi nukë don vëllan’ e vet, nuk’ ashtë prei Perëndiet.
11 Sepse këjo ashtë porosia qi ndëgjuetë çë përpara herësë: të demi njani tietërinë,
12 jo sikurse Kaini ishte prei të keqit, edhe theri vëllan’ e vet. Edhe përse e theri ate? Sepse punët’ e ati ishinë të këqia, e ato të vëllait ati të dreita.
13 Mos mërekullohi, vëllazënit’ e mi, ndë u ka mëni bota.
14 Na e dimë se kemi sdripunë prei vdeket ndë jetët, sepse duemë vëllazënitë; ai qi s’don vëllanë mbet ndë vdekët.
15 Kush-do qi ka mëni vëllan’ e vet ashtë nieri-vrasës, edhe e dini se qish-do nieri-vrasës s’ka jetë të pasosëme qi mbet mbë vetëhet t’ati.
16 Prei kësai ngjofimë dashunin’ e Perëndisë , se ai vu jetën’ e vet për ne, edhe na kemi detyrë të vemë jetënë t’onë për vëllazënit.
17 Por ai qi të ketë të mirat’ e botësë, edhe të këqyri vëllan’ e vet se ka nevojë, edhe të mbylli zemërën’ e vet prei të dhimtunit, si mbet dashunia e Perëndisë mb’ate?
18 Dielmthit’ e mi, mos demi me fjalë, as me gjuhë, por me punë e me të vërtetë.
19 Edhe prei kësai ngjofimë se jemi prei së vërtetet, edhe kemi me vërtetuem zemëratë t’ona përpara ati.
20 Sepse ndë na gjukoftë për të keq zemëra jonë, Perëndia ashtë ma i math se zemëra jonë, edhe ngjef të gjitha.
21 Të dashunë, ndë mos na gjukoftë për të keq zemëra jonë, kemi kucim te Perëndia,
22 edhe ate qi të lypim’ e marrimë prei ati, sepse rueimë porosit’ e ati, edhe baimë të pëlqyeshimetë përpara ati.
23 Edhe këjo ashtë porosia e ati, qi të besoimë mb’emënit’ të Birit ati, Iesu Krishtit, edhe të demi njiani tietërinë, sikurse na la porosi.
24 Edhe ai qi muer porosit’ e ati, mbet mb’ate, edhe ai mbë këte, edhe prei kësai e ngjofimë se mbet ndër ne, prei Shpirtit qi na dha.