Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, dhe Krishtit Jezu, shpresës sonë, 2 po të shkruaj ty Timote, birit të vërtetë në besim: hiri, mëshira dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Jezu Krishti, Zoti ynë, qofshin me ty!
Kundër mësimit të rremë
3 Ashtu si të porosita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes dhe urdhëroi disa të mos u mësojnë besimtarëve një mësim tjetër 4 dhe të mos merren me mite dhe gjenealogji pa fund, të cilat shkaktojnë grindje dhe nuk i shërbejnë planit shpëtimtar të Perëndisë që e njohim përmes besimit.
5 Synimi i këtij urdhri është dashuria që vjen nga një zemër e dëlirë, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga një besim pa hipokrizi. 6 Disa, duke shmangur këto gjëra, janë kthyer te bisedat pa kuptim. 7 Ata duan të jenë mësues të ligjit të Moisiut, pa kuptuar as ato që thonë, as ato që pohojnë me kaq siguri.
8 Ne e dimë se ligji është i mirë, nëse njeriu e përdor si duhet. 9 Po ashtu e dimë se ligji nuk u dha për të drejtin, por për shkelësit e të pabindurit, për të ligjtë e mëkatarët, për të pafetë e të patënzonët, për ata që vrasin atë e nënë, për vrasësit, 10 për kurvarët, për ata që shkojnë me meshkuj, për pengmarrësit, për gënjeshtarët, për ata që bëjnë be të rreme dhe çfarëdo gjëje tjetër që kundërshton mësimin e shëndoshë. 11 Ky mësim është sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, ungjill që m'u besua mua.
Mirënjohje për mëshirën
12 I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotit tonë, që më dha fuqi, sepse më çmoi besnik dhe më vuri në shërbim të tij, 13 ndonëse më përpara e kisha fyer, përndjekur dhe sharë. Por ai më mëshiroi, sepse veprova nga padija, kur isha larg besimit të vërtetë. 14 Hiri i Zotit tonë m'u dha me tepri bashkë me besimin e dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
15 Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t'u pranuar plotësisht: Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. 16 Por, prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të shfaqë në mua së pari tërë durimin, si shembull për ata që do të besojnë në të për jetën e amshuar. 17 Prandaj mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi , i qoftë nder e lavdi, në shekuj të shekujve! Amen!
18 Këtë detyrë po ta besoj ty, o biri im Timote, sipas profecive që janë thënë për ty. Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë! 19 Ruaje besimin dhe ndërgjegjen e pastër, që disa e hodhën tej dhe e mbytën kështu anijen e besimit. 20 Ndër këta janë Himeneu e Aleksandri, të cilët ia dorëzova Satanit, që të mësojnë të mos fyejnë Perëndinë.
KAPTINA I.
1 Pauli apostulli Iesu Krishtit mbas urdhënimit Perëndisë shëlbuesit t’ynë, edhe Zotit Iesu Krisht, shpëresësë t’onë,
2 mbë Timothenë të thieshtinë dialë ndë besët: qoftë hir, përdëllim, paqtim, prei Perëndisë Atit t’ynë. Edhe prei Iesu Krishtit Zotit t’ynë.
3 Sikurse t’u luta, kur veje ndë Maqedoni, të presish ndë Efesë, qi të porosisish disa vetë të mos mësojnë mësime të hueja,
4 as të mos u venë vesh përrallavet e brezavet qi s’kanë të mbaruem, të cillatë bijenë qarta ma tepërë se të ndërtuemit’ e Perëndisë mbë besët.
5 Edhe e mbaruemeja e porosisë ashtë dashuni prei zemërësë këthiellëtë edhe prei ndërgjegjëjesë mirë, edhe prei besësë pa hipokrisi;
6 prei këtyneve disa vetë mbassi duelnë prei udhet, u këthyenë ndë fjalë të kota,
7 tue dashunë me qenunë mieshtra ligje, qi ata s’marrinë vesht as për ato qi thonë, as për ato qi bajnë për të vërteta.
8 Edhe e dimë se ligja asht’ e mirë, ndë qoftë se e përdor ate kushi me ligjë;
9 tue ditunë këte, se ligja nuk’ ashtë vumë për të dreitinë, por për të paligjët’ e për të pabindunit, për ata qi s’nderojnë Perëndinë edhe për fajtorët, për të paudhët e për të ndytët, për ata qi vrasinë t’atin’ e t’amënë, për ata qi vrasinë nierës,
10 për kurvarët, për ata qi gjindenë me mashkuj, për ata qi shesinë nierës, për rrenësit, për ata qi bajnë be rrenë, edhe për qish do tietërë gja qi del kundrë mësimit shëndoshë,
11 mbas ungjillit laftit të lumit Perëndi, qi m’u zu besë.
12 Edhe i falem ndersë Zotit t’ynë Iesu Krishtit qi më dha fuqi, se më gjukoi për besëtar, e më vuni mbë shërbesët,
13 qi unë përpara kam qenunë nemës e ndiekës e shahërak, por u përdëllyeshë, sepse pa ditun’ i bana ndë pabesëni.
14 Edhe hiri i Zotit t’ynë u tepërue tek unë me besë e me dashuni qi ashtë mbë Iesu Krishtinë.
15 Për të zanë besë ashtë fjala, edhe e vëjefshime për të pritunë, se Iesu Krishti erdhi ndë botët me shpëtuem fajtorë, qi prei atyneve jam un’ i pari.
16 Por përandai u përdëllyeshë, qi Iesu Krishti të diftojë përpara te unë gjithë zemërën’ e gjanë, për shëmbëllëtyrë atyneve qi kanë me i besuem ati për jetë të pasosëme.
17 Edhe mbë mbëretin’ e jetëvet, të pavdierrinë, të padukuninë, të vetëminë të ditshiminë Perëndi qoftë nderë edhe laft ndë jetët të jetëvet. Amen.
18 Këte porosi po ta la n’dorë tyi, o dialë Timothe, mbas profeziash qi kanë qenunë përpara për tyi, të luftojsh luftën’ e mirë me ato,
19 tue pasunë besë edhe ndërgjegjëje të mirë, të cillënë disa vetë mbassi e hothnë tej, qitnë mbë cekë lundrënë prei beset;
20 prei këtyneve ashtë Hymenai edhe Aleksandri, të cillët’ i kam dhanë n’dorë të Satanait, qi të mësohenë mos me nemunë.