Dasma në Kanë
1 Pas dy ditësh u bë një dasmë në Kanë të Galilesë. Atje ndodhej edhe e ëma e Jezuit. 2 Në dasmë ishte i ftuar edhe Jezui me dishepujt e tij.
3 Kur mbaroi vera, e ëma i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë». 4 Jezui iu përgjigj: «Çfarë do nga unë, o grua? Koha ime nuk ka ardhur ende!». 5 Atëherë, e ëma e Jezuit u tha shërbëtorëve: «Bëni gjithçka që do t'ju thotë!».
6 Atje ndodheshin gjashtë qypa prej guri që përdoreshin për ritin e pastrimit të judenjve. Secili prej tyre mbante tetëdhjetë deri në njëqind e njëzet litra. 7 Atëherë, Jezui u tha shërbëtorëve: «Mbushini qypat me ujë!». Ata i mbushën deri në grykë. 8 Pastaj u tha: «Tani, mbushni nga qypat e çojani të parit të dasmës!». Dhe ata ia çuan. 9 I pari i dasmës nuk e dinte nga vinte vera, por shërbëtorët, që e kishin nxjerrë nga qypat, e dinin. Ai, pasi e provoi ujin e bërë verë, thirri dhëndrin 10 e i tha: «Të gjithë nxjerrin për të pirë në fillim verën më të mirë dhe, pasi të jenë dehur dasmorët, sjellin të keqen, ndërsa ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani!».
11 Kjo qe shenja e parë që bëri Jezui në Kanë të Galilesë. Ai shfaqi kështu lavdinë e tij dhe dishepujt besuan tek ai. 12 Pastaj ai shkoi në Kafarnaum bashkë me të ëmën, vëllezërit e dishepujt e tij dhe qëndruan atje për pak ditë.
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-13Mk 11.15-17Lk 19.45-46)13 Meqenëse po afrohej Pashka e judenjve, Jezui shkoi në Jerusalem. 14 Në tempull ai gjeti tregtarët e qeve, të deleve e të pëllumbave, si dhe këmbyesit e parave që rrinin ulur. 15 Pasi bëri një fshikull me litarë, i dëboi të gjithë prej tempullit bashkë me delet e qetë, ua derdhi të hollat këmbyesve të parave e pastaj përmbysi tryezat e tyre. 16 Ndërsa tregtarëve të pëllumbave u tha: «Hiqini këto gjëra që këtej e mos e bëni vend tregtie shtëpinë e Atit tim!».
17 Dishepujve të tij iu kujtua se ishte shkruar: zelli për shtëpinë tënde më përpiu.
18 Atëherë ndërhynë disa judenj dhe e pyetën: «Me çfarë shenje na bind se mund t'i bësh këto gjëra?». 19 Jezui iu përgjigj: «Shkatërrojeni këtë tempull e për tri ditë unë do ta ringre». 20 Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën dyzet e gjashtë vjet për ta ndërtuar këtë tempull e ti do ta ringresh për tri ditë?». 21 Por ai po fliste për tempullin e trupit të tij. 22 Kur u ngjall prej të vdekurve, dishepujve të tij iu kujtuan këto fjalë dhe i besuan Shkrimit e fjalëve që kishte thënë Jezui.
Jezui i njeh njerëzit
23 Gjatë qëndrimit të Jezuit në Jerusalem për festën e Pashkës shumë veta i besuan atij pasi panë shenjat që bënte. 24 Por vetë Jezui nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë. 25 Ai nuk kishte nevojë t'i tregonin asgjë për njerëzit, pasi e dinte ç'kishte përbrenda njeriut.
KAPTINA II.
1 Edhe të tretënë ditë u ba darsmë ndë Kana të Galilesë; edhe e ama e Iesuit ishte atie.
2 Edhe u thërrit ndë darsmë edhe Iesui edhe dishepujt’ e ati.
3 Edhe si mëngoi vena, e ama e Iesuit i thotë: Nukë kanë venë.
4 Iesui i thot’ asai: Qish ke ti me mue, o grue? Edhe s’ka ardhun’ ora eme.
5 E ama e ati u thotë shërbëtorëvet: Bani qish t’u thotë juve.
6 Edhe atie ishinë gjashtë shtamba të gurta vumë për pastrim mbas mëndyrësë Iudevet, qi nxijshinë ka dy, a tri matie.
7 Iesui u thot’ atyne: Mbushni shtambatë me ujë. Edhe ata i mbushnë përbuzë.
8 Mbasandai u thot’ atyne: Nxirni tashti, edhe bini të parit mësallësë. Edhe ata i prunë.
9 Edhe i pari mësallësë kur e kërkoi ujëtë qi ishte këthyem venë, edhe nukë dinte kah ashtë (por shërbëtorëtë qi kishin nxierrë ujët’ e dijshinë,) i pari mësallësë thërret dhandrrinë,
10 edhe i thotë: Çdo nieri ma përpara nxier venën’ e mirë; edhe si të dehenë, atëherë nxier të keqenë, por ti ke rueitunë venën’ e mirë qysh tashti.
11 Këte të filluemit’ e mërekulliavet Iesui e bani ndë Kana të Galilesë, edhe diftoi laftin’ e vet; edhe dishepujt’ e ati i besuenë.
12 Mbasandai sdrypi ndë Kapernaum, ai edhe e ama e ati edhe të vëllazënit’ e ati, edhe dishepujt’ e ati; edhe mbetnë atie pak ditt.
13 Edhe pashka e Iudevet ishte ngjat; edhe Iesui hypi ndë Ierusalem.
14 Edhe gjeti ndë tempull ata qi shitshinë qe e dhen e pullumba, edhe truvezarëtë tue ndenjunë.
15 Edhe ai bani nji frushkullë prei litarësh, edhe i nxuer të gjithë prei tempullit, edhe dhent’ edhe qetë; edhe derdhi astrat’ e truvezarëvet, edhe përmbysi truvezatë.
16 Edhe u tha atyneve qi shitshinë pullumbatë: Ngreni këto këndyj; mos bani shtëpin’ e t’im et shtëpi tregjetie.
17 Atëherë u ra ndë mend dishepujvet ati se ashtë shkruem: “Zelli për shtëpinë tande më hangër”.
18 Iudeitë pra u përgjeqnë e i thanë: Ç’shenjë na difton, qi ban këto?
19 Iesui u përgjeq e u tha atyne: Prishni këte tempull, edhe për tri ditt do ta ngre.
20 Edhe Iudeitë thanë: Kyi tempull ashtë ndërtuem për katër-dhet’ e gjashtë viet, e ti do ta ngresh për tri ditt?
21 Por ai thoshte për tempullin’ e trupit vet.
22 Kur u ngjall pra prei së vdekunish, u ra ndër mend dishepujvet ati, se për këte u thoshte atyne; edhe i besuenë shkronjës’, edhe asai fjalësë qi tha Iesui.
23 Edhe kur qe ndë Ierusalem për festën’ e pashkësë, shumë vetë besuenë mb’emënë t’ati, tue vum’ ore mërekulliat’ e ati qi bante.
24 Por ai Iesui nuk’ u zinte besë atyne, sepse i ngjifte të gjithë; edhe sepse s’kishte nevojë për me deshmuem kushi për nierinë, sepse ai e merrte vesht qish ishte përmbrenda nieriut.