Kënga e të shpërblyerve
1 Pastaj pashë Qengjin që qëndronte mbi malin e Sionit. Bashkë me të ishin edhe njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. 2 Atëherë dëgjova një zë nga qielli, që ngjante si ushtima e deteve dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe. Zëri që dëgjova ishte si tingulli që lëshon harpa kur i bien harpistët. 3 Para fronit dhe para katër gjallesave e pleqve këndonin një këngë të re. Askush nuk mund ta mësonte këngën, përveç njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka. 4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, por mbetën të virgjër. Janë ata që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon. Ata u shpërblyen prej njerëzve për të qenë frytet e para për Perëndinë dhe Qengjin. 5 Nga goja e tyre nuk ka dalë asnjë gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm.
Lajmi i tre engjëjve
6 Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t'u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull. 7 Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin dhe burimet e ujërave!».
8 Një engjëll tjetër erdhi pas të parit e tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj».
9 Një engjëll i tretë erdhi pas tyre e tha me zë të lartë: «Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë, 10 do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit.
11 Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditën, as natën. 12 Këtu do të duket durimi i të shenjtëve, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit».
13 Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje».
«Po, thotë Shpirti. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t'i shoqërojnë pas».
Të korrat e tokës
14 Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si bir njeriu. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë. 15 Nga tempulli doli një engjëll tjetër që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre draprin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur». 16 Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi draprin në tokë dhe toka u korr.
17 Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë. 18 Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: «Merre draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi». 19 Engjëlli e hodhi draprin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. 20 Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri rreth treqind kilometra larg.
KAPTINA XIV.
1 Edhe pashë, edhe nje Qengji te rrinte mbi mal të Sionit, edhe bashkë me atë ishinë nji qind e katër-dhet’ e katër mijë, qi kishinë shkruem ndë ballënat të vet emënin’ e të atit ati.
2 Edhe ndëgjova nji za prei qiellit, porsi za shumë ujënash, edhe porsi za bumbullime të madhe; edhe ndëgjova nji za qitharorësh qi qitharoishinë me qitharat e veta.
3 Edhe këndoishinë porsi nji kankë të re përpara shkambit, edhe përpara katër shtazëvet edhe pleqvet; edhe askushi s’mundei me marrë vesht kankënë, veç të nji qind e katër-dhet’ e katër mijë vetëtë , qi ishinë shpër blemë prei dheut.
4 Këta jan’ ata qi nuk’ u ndynë bashkë me gra, sepse janë virgjën, këta jan’ ata qi marrinë mbrapa Qengjin’ atie ku të shkojë, Këta u shpërblenë prei njerëzëvet, qi janë të zanëtë fill te Hyji edhe te Qengji.
5 Edhe ndë gojë t’atyne nuk’ u gjet gënjim, sepse janë faqe-bardhë përpara shkambit Hyjit.
6 Edhe pashë nji tietër’ engjullë tue fluturuem ndë miedis të qiellit, qi kishte ungjillin’ e pasosunë, qi të ungjillëzojë mb’ata qi rrinë mbë dhet, edhe mbë qish-do komb’ e farë e gjuhë e popullë,
7 edhe thoshte me za të math: Kini frikë Hyjinë, edhe epni lavdi ati, sepse erdhi ora e gjyqit ati; edhe adhuroni ate qi bani qiellin’ e dhen’ e gurret’ e ujënavet.
8 Edhe nji tietër’ engjull’ u ngrit mbrapa e thoshte: “Ra, ra Babylona”, qytet i math, sepse ngjomi gjithë kombetë me venën’ e zemërimit kurvënisë vet.
9 Edhe nji engjull’ i tretë i muer mbrapa ata, tue thanë me za të math: Ndë adhuroftë bishën’ edhe figuren’ e asai, edhe ndë marrtë shenjë ndë ball të vet, e mbë dorë të vet,
10 edhe ai ka me pimë prei venësë zemërimit Hyjit, qi ashtë derdhun’ i thieshtë ndë potir të zemërimit ati; edhe ka me u munduem me ziarrm e me surfullë përpara engjujvet shenjtënueshim, edhe përpara Qengjit;
11 edhe tymi i mundimit atyne hipën ndë jetë të jetëvet; edhe s’kanë të prajtunë dit’ e natë ata qi adhurojënë bishën’ edhe figurën’ e asai, edhe ndë marrtë kushi shenjën’ e emënit asai.
12 Këtu ashtë durimi i shenjtënavet, këtu jan’ ata qi ruejënë porosit’ e Hyjit, edhe besën’ e Iesuit.
13 Edhe ndëgjova nji za prei qiellit qi më thoshte: Shkruei. Lum ata të vdekunë qi vdesinë mbë Zotinë çë tashi. Po, thotë Shpirti, qi të prahenë prei mundievet veta, edhe punët’ e atyneve u venë mbrapa bashkë.
14 Edhe pashë, edhe nje nji re e bardhë, edhe mbi ret ishte ndenjunë nji qi gjante porsi bir njeriut, edhe kishte mbi kryet të vet nji kunorë t’artë, edhe n’dorë të vet nji drapën të prefëtë.
15 Edhe nji tietër’ engjullë duel prei tempullit tue thërritunë me za të math mb’ate qi ishte ndenjunë mbi ret: Dërgo drapëninë tat, edhe korr, sepse të erdhi ora me korrë, sepse u tha të korrët’ e dheut.
16 Edhe ai qi ishte ndenjunë mbi ret, vuni drapënin’ e vet mbi dhet, edhe dheu u korr.
17 Edhe nji tietër’ engjullë duel prei tempullit qi ashtë ndë qiell, edhe kishte edhe ai nji drapën të prefëtë.
18 Edhe nji tietër’ engjullë duel prei theroresë, i cilli kishte pushtet mbi ziarrmt; edhe thërriti me za të math mb’ate qi kishte drapënin’ e prefëtë, tue thanë: Dërgo drapëninë tat të prefëtinë, edhe viel rrusht’ e veshtit dheut, sepse u poqnë rrusht’ e ati.
19 Edhe engjulli vuni drapënin’ e vet ndë dhet, edhe vuel veshtin’ e dheut, edhe vuni rrushtë ndë gaviç të zemërimit Hyjit.
20 Edhe gaviçi u shkel përjashta qytetit, edhe duel gjak prei gaviçit, qysh mbë frenat të kualvet, qysh nji mijë e gjashtë qind stade lark .