Perëndia zgjedh Izraelin
1 Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i shenjtë, 2 se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër. 3 Do të doja të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi sipas mishit. 4 Ata janë izraelitë e të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij. 5 Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për nga mishi, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen!
6 Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë. 7 As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut. 8 Kjo do të thotë se nuk janë bijtë për nga mishi ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës. 9 Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë.
10 Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. 11 Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, 12 jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. 13 Sikurse është shkruar:
Jakobin e desha,
por Esaun e urreva.
14 Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! 15 Sepse ai i thotë Moisiut:
do të kem mëshirë
për atë që dua të mëshiroj
e do të kem dhembshuri
për atë që dua të kem dhembshuri.
16 Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. 17 Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. 18 Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do.
Zemërimi dhe mëshira e Perëndisë
19 Por ti do të më thuash: «Pse atëherë Perëndia ende na fajëson? Kush mund t'i bëjë ballë vullnetit të tij?». 20 Po kush je ti, o njeri, që t'i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë krijesa krijuesit: «Përse më ke bërë kështu?». 21 A nuk ka të drejtë poçari të bëjë nga e njëjta masë argjile një enë të kushtueshme dhe një tjetër të zakonshme?
22 Megjithëse Perëndia donte të shfaqte zemërimin e tij dhe të bënte të njohur pushtetin e tij, ai u tregua shumë i duruar me enët që e meritonin zemërimin e tij dhe që ishin bërë për t'u shkatërruar. 23 Ai donte edhe t'u bënte të njohur pasuritë e lavdisë së tij atyre të cilëve u tregoi mëshirën e tij dhe që i parapërgatiti për lavdi. 24 Këta jemi ne që na thirri Perëndia, jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet. 25 Sikurse thotë te Hosea:
atë që nuk ishte populli im,
do ta quaj populli im;
atë që nuk ishte e dashur,
do ta quaj të dashur.
26 Dhe në vendin ku u qe thënë:
«Ju nuk jeni populli im»,
atje ata do të quhen
bij të Perëndisë së gjallë.
27 Edhe Isaia thërret për Izraelin:
sikur numri i bijve të Izraelit
të jetë si rëra e detit,
vetëm një pjesë e mbetur prej tyre
do të shpëtohet.
28 Sepse Zoti do ta përmbushë fjalën e tij
me shpejtësi mbi tokë.
29 Dhe sikurse kishte parathënë Isaia:
nëse Zoti i ushtrive
nuk do të na linte pasardhës,
do të ishim bërë si Sodoma
e do të ngjanim me Gomorrën.
Izraeli dhe ungjilli
30 Ç'të themi, pra? Kombet që nuk kërkonin të bëheshin të drejtë nga Perëndia, u bënë të drejtë përmes besimit, 31 ndërsa Izraeli që kërkonte një ligj për t'u bërë i drejtë, nuk e përmbushi ligjin. 32 Përse? Sepse donte të bëhej i drejtë jo përmes besimit, por përmes veprave. Kështu u penguan te guri i pengesës. 33 Sikurse është shkruar:
ja, po vë në Sion një gur pengese,
një shkëmb që i rrëzon.
Kushdo që beson në të,
nuk do të turpërohet.
KAPTINA IX.
1 Thom të vërtetënë mbë Krishtinë, nukë rrej. (Sepse KAM ndërgjegjëjenë t’eme qi deshmon bashkë me mue mbë Shpirtinë Shenjt),
2 se kam idhënim të madh, edhe të dhimtunë qi s’mengon ndë zemërët t’eme.
3 Sepse unë vetë lutesh të ishiem i mallëkuem [damë ] prei Krishtit për vëllazënit e mi, qi janë prei gjakut t’em mbas mishit,
4 të cillëtë janë Israelitë, të cillëvet ashtë birënia e zanë, edhe lafti, edhe dhiatatë, edhe e vumeja e ligjësë, edhe lutëja, edhe të zotuemitë,
5 të cillavet jan’ atënitë, edhe prei atyneve leu Krishti mbas mishit, i cilli ashtë përmbi të gjitha Perëndi i bekuem për gjithë jetët. Amen.
6 Por nukë mundetë me ranë poshtë fjala e Perënditë. Sepse jo gjith’ ata qi janë prei kombit Israelit, këta janë Israelitë.
7 As sepse janë fara e Abrahamit, janë gjithë dielm, por “fara jote ka me u queitunë mbë Isaakunë”.
8 Do me thanë, jo këta dielmt’ e mishit, janë dielmt’ e Perëndisë, por dielmt’ e të zotuemesë numërohenë për farë.
9 Sepse fara e të zotuemes’ ashtë këjo: “Kam me ardhunë mbë këte kohë, edhe Sarra ka me pasunë bir”.
10 Edhe jo vetëmë këjo , por edhe Rebekka, kur u gjind me barrë prei nji burri , Isaakut atit t’ynë.
11 (Sepse para se të lejinë dy dielmtë , edhe para se të bajinë ndonji punë të mirë, a të keqe, për me mbetun’ urdhëni parë i Perëndisë qi ishte mbas të sgjedhunit, jo prei vepërash, por prei të thirrunit),
12 iu tha asai: “Se ma i madhi ka me i shërbyem ma të vogëlit”.
13 Sikurse ashtë shkruem: “Iakobin’ e desha, por Esaun’ e pata mëni”.
14 Qish kemi me thanë pra? Mos ashtë shtrembëni te Perëndia? Qoftë lark,
15 sepse ai i thotë Moiseut: “Kam me përdëllyem ate qi kam me përdëllyem, edhe kam me pasunë të dhimtunë për ate qi kam me pasunë të dhimtunë”.
16 Pra këjo nuk’ asht’ e ati qi e do, as e ati qi ecën, por e Perëndisë qi përdëllen.
17 Sepse shkronja i thotë Faraonit: “Se për këte punë të ngrita, për me të diftuem fuqinë t’eme, edhe për me u rrëfyem emëni em mbë gjithë dhenë”.
18 Ate qi të detë pra, e përdëllen, edhe ai qi të detë, e ashpëron.
19 Do të më thuesh pra: Përse anëkohe ma? Cilli i duel kundrë dashunimit ati? Por cilli je ti, o nieri, qi i përgjegje kundrë Perëndisë?
20 Mos ka me i thanë gatesa gatestarit: Përse më bane kështu?
21 Apor s’ka pushtet tiegullari mbi baltënë me bamë prei nji balte nji anë për nder, e nji tietërë për shpërnderim?
22 Ndë deshi Perëndia me diftuem zemërimin’ e vet , edhe me bamë të ngjofunë fuqin’ e vet, duroi me shumë zemërë të gjanë enët’ e zemërimit qi qenë bamë për të viderrë?
23 Edhe për me bamë të ngjofunë pasëjen’ e laftit,
24 por edhe neve qi na thirri, jo vetëmë prei Iudeish, por edhe prei kombesh.
25 Sikurse i thot’ edhe Oseesë: “Kam me queitunë popullinë t’em, ate qi s’ashtë populli em, edhe të dashime, ate qi s’asht’ e dashime”.
26 “Edhe ka me qenunë nd’ate vend qi ashtë thanë atyne: Nukë jeni ju populli em, atie kanë me u queitunë bijt’ e Perëndisë gjallë”.
27 Edhe Isaia bërtet për Israelinë: “Ndë qoftë numëri i të bijvet Israelit porsi rana e detit, kanë me shpëtuem ata qi mbesinë,
28 sepse do të mbarojë, a do të shkurtojë llogari me dreitëni, sepse Zoti ka me bamë llogari të shkurtueme mbi dhet”.
29 Edhe sikurse tha çë përpara Isaia: “Zoti Sabaoth [Zoti i ushtëriavet ] ndë mos kishte lanë farë mbë ne, do t’ishim bamë porsi Sodomat’, edhe do t’ishim përgjaitunë me Gomorat”.
30 Qish kemi me thanë pra? Se ato kombetë qi nukë ndoqnë dreitëni, ia mbërrinë dreitënisë, edhe asai dreitënisë qi ashtë prei besësë.
31 Por Israeli tue ndiekunë ligjën’ e dreitënisë, nuk’ ia mbërrini ligjësë dreitënisë.
32 Përse? Sepse nuk’ e ndiqte mbas besësë, por mbas vepërash ligjësë. Sepse shqitnë mbë gur të shqitësë,
33 sikurse ashtë shkruem: “Qe te ve nji gur shqite ndë Sionë, edhe nji shkamp guri të shkandalit, edhe gjithë-kush t’i besojë ati, s’ka me u turpëruem”.