1 Dua të them se, për aq kohë sa trashëgimtari është i mitur, nuk dallon fare nga skllavi, ndonëse është pronari i gjithçkaje. 2 Ai është nën kujdestarë e mbikëqyrës deri në kohën e caktuar nga i ati. 3 Po ashtu edhe ne, kur ishim të mitur, kemi qenë skllevër të parimeve të botës. 4 Por, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai lindi nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit, 5 për të shpenguar ata që ishin nën ligj e që ne të birësohemi. 6 Duke qenë se jeni bij të tij, Perëndia dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, që thërret: «Abba, o Atë!». 7 Prandaj, ti nuk je më skllav, por bir. Nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisë .
Shqetësimi i Palit
8 Dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, u shërbenit idhujve që prej natyre nuk janë perëndi. 9 Tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them, se Perëndia ju njohu ju, si ktheheni përsëri te këto parime të dobëta e mjerane për t'u shërbyer sërish atyre? 10 Ju mbani si të kremte disa ditë, muaj, stinë e vite. 11 Kam frikë se u mundova më kot për ju.
12 Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam bërë si ju. Ju nuk më keni bërë asnjë të keqe. 13 Ju e dini se herën e parë, që ju predikova ungjillin, lëngoja në trup. 14 Megjithëse lëngata ime në trup ishte sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu. 15 Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se, po të kishte qenë e mundur, ju do t'i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m'i dhënë mua. 16 Tani qenkam bërë armiku juaj pse po ju them të vërtetën?
17 Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë, madje dëshirojnë t'ju shkëpusin, që pastaj ju të jeni të zellshëm me ta. 18 Është mirë që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën e jo vetëm kur jam unë me ju. 19 Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si gruaja gjatë lindjes, derisa Krishti të marrë trajtë në ju. 20 Do të doja të isha pranë jush tani e të flisja ndryshe, se nuk di ç'të bëj më me ju.
Hagara dhe Sara
21 Më thoni ju, që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin? 22 Shkrimi thotë se Abrahami pati dy bij, një prej skllaves e një prej të lirës. 23 Biri i skllaves lindi prej mishit, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë.
24 Këto gjëra kanë tjetër kuptim. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra, ajo prej malit Sinai që lind për skllavërim, është Hagara. 25 Hagara, domethënë mali i Sinait në Arabi, përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet. 26 Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor dhe është nëna jonë.
27 Shkrimi thotë:
ngazëllohu ti shterpë,
ti që nuk lind,
kërce e bërtit nga gëzimi
ti që s'pate dhimbjet e lindjes,
se bijtë e të braktisurës
do të jenë më të shumtë
se të asaj që ka burrë.
28 Ju, vëllezër, jeni bij të premtimit të Perëndisë, sikurse Isaku. 29 Edhe tani ndodh si atëherë, kur ai që lindi prej mishit, përndoqi atë që kishte lindur përmes Shpirtit. 30 Por çfarë thotë Shkrimi? Dëboje skllaven me të birin, pasi biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me birin e së lirës. 31 Kështu pra, vëllezër, ne nuk jemi bijtë e skllaves, por bijtë e së lirës.
KAPTINA IV.
1 Edhe thom: Sa kohë trashigimtari ashtë foshnje, s’dan prei shërbëtorit, ndonëse asht’ i zoti të gjithave,
2 por ashtë ndënë kujdestarë e ndënë guvernorë, deri mb’ate kohë qi asht’ urdhënuem prei të atit.
3 Kështu edhe na, kur ishim foshnje, ishim bamë shërbëtorë ndën’ elementat të botësë?
4 Por kur erdhi të mbushunit’ e kohësë, Perëndia dërgoi Birin’ e vet, qi leu prei gruesë, edhe qi qe ndënë ligjë,
5 qi të shpërblejë ata qi ishinë ndënë ligjë, qi të marrinë birënin’ e zanë.
6 Edhe sepse jeni bij, Perëndia dërgoi Shpirtin’ e Birit vet ndë zemrat tueja, qi thërret: Abba, o Atë.
7 Përandai s’je ma shërbëtuer, por bir; edhe ndë qofsh bir, je edhe trashigimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
8 Por atëherë, mbassi s’ngjifshitë Perëndinë, u shërbyet’ atyne perëndinave qi s’janë prei natyret.
9 Por tashti, mbassi ngjofët Perëndinë, e me thanë ma mirë u ngjofët prei Perëndisë, si këthehi për-së-ri mbë të dobat edhe të vobegat elementa, qi doni me u punuem atyneve për-së-ri si përpara?
10 Veni ore ditt, e muej, e kohëna, e vietna.
11 Kam frikë për ju, druese mos u mundueshë kot për ju.
12 Bahi porsi unë, sepse edhe unë jam porsi ju, o vëllazën, u lutem juve; s’më keni bamë ndonji gja të keqe.
13 Edhe e dini se ma pari ungjillëzova te ju me dobësinë mishi,
14 edhe ngasejënë t’eme qi ishte ndë mish t’em s’e batë për asgja, as s’e hodhët tej, por më pritët si engjullë Perëndie, si Iesu Krishtinë.
15 Cilla pra ishtë lumënia juei? Sepse deshmoj për ju, se ndë mundei, do të nxiritë sytë tuei, e të m’i ipitë mue.
16 Anëmiku juei u bashë pra, se thom të vërtetënë?
17 Diftojnë zemërë të përvëlutë te ju, por jo të mirë, por duenë me u mbyllunë jashtë juve, qi të keni zemërë të përvëlutë për ata.
18 Por ashtë mirë me pasunë zemërë të përvëlutë përherë mbë të mirënë, edhe jo vetëmë kur të jemi afër jush.
19 Dielmthit’ e mi, për-së-ri kam të dhimtuna barku për ju, deri sa të bahetë ndë formët tuei Krishti;
20 edhe do ishiem me qenun’ afër jush tashti, edhe me ndërruem zanin t’em, sepse vras mendienë për ju.
21 Pa më thoni, ju qi doni me qenunë ndënë ligjë, a s’ndëgjoni ligjënë?
22 Sepse ashtë shkruem, se Abrahami pat dy bij: nji prei shërbëtoresë, e nji prei së lirësë,
23 por ai qi pat lemë prei shërbëtoresë, leu mbas mishit, e ai qi pat lemë prei së lirësë, leu me anë të zotuemesë.
24 Këto punë janë të allegorisuna, sepse ato janë dy dhiatatë: njiana prei malit Sinait, qi puell për shërbëtyrë, e cilla asht’ Agara
25 (sepse Agara ashtë mali i Sinait ndë Arabi, e ashtë si nji-nji me Ierusalemën’ e sotshime, edhe ashtë ndë shërbëtyrë bashkë me dielmt e vet).
26 Por Ierusalem’ e naltë asht’ e lira, e cilla ashtë ama e gjithë neve.
27 Sepse ashtë shkruem: “Gëzohu, ti o shterpë qi s’piell, nxir za e bërtit, ti qi nukë ke të dhimtuna barku, sepse dielmt’ e shkretinësë janë më shumë se dielmt’ e asai qi ka burr”.
28 Edhe na, o vëllazën, jemi dielmt’ e së zotuemesë, sikurse Isaaku.
29 Por sikurse atëherë ai qi leu mbas mishit, ndiqte ate qi kishte lemë mbas shpirtit, kështu asht ’ edhe tashti.
30 Por qish thotë shkronja? “Nxirr jashtë shërbëtoren’ edhe birin’ e asai, sepse i biri shërbëtoresë s’ka me marrë trashigim bashkë me të birin’ e së lirësë.”
31 Pra, o vëllazën, nukë jemi bijt’ e shërbëtoresë, por të së lirësë.