Përshëndetje
1 Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit e vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashur nga Perëndia Atë e të mbrojtur nga Jezu Krishti: 2 mëshira, paqja e dashuria u shtofshin ndër ju!
Gjykimi i mësuesve të rremë
(2Pj 2.1-17)3 Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t'ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t'ju shkruaj e t'ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha të shenjtëve një herë e përgjithmonë. 4 Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar qëmoti për këtë dënim. Ata janë të pafe që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues e Zot tonin.
5 Ndonëse i dini të gjitha, dua t'ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin. 6 Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe. 7 Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.
8 Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore. 9 Kur rragatej me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».
10 Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre. 11 Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan, sepse ngritën krye si Koreu!
12 Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara e të shkulura nga rrënjët, 13 si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.
14 Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë: «Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj, 15 për t'i gjykuar të gjithë e për të ndëshkuar të gjithë të pafetë për të gjitha veprat e liga që kanë bërë e për të gjitha fjalët fyese që thanë mëkatarët e pafe kundër tij».
16 Këta janë njerëz që murmurisin e ankohen për gjithçka. Ata jetojnë sipas dëshirave të tyre, goja e tyre flet fjalë krenarie dhe njerëzve u thurin lajka për përfitim.
Paralajmërime dhe këshilla
17 Ndërsa ju fort të dashur, kujtoni fjalët që ju kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht: 18 «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura». 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin.
20 Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë e lutuni me fuqinë e Shpirtit të shenjtë. 21 Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar. 22 Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje. 23 Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t'i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit.
Bekimi
24 Atij që mund t'ju ruajë për të mos rënë në mëkat e që mund t'ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij, 25 të vetmit Perëndi, shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani e për të gjithë shekujt! Amen!
1 Juda shërbëtor’ i Iesu Krishtit, edhe vëllai i Iakobit, te të thërritunit të shenjtënueshimitë prei Perëndisë Atit, edhe rueitunë prei Iesu Krishtit:
2 ndëjesë e paqtim e dashuni u shumoftë mbë ju.
3 Të dashunë, mbassi nxitova tepërë me shkruem juve për shpëtimin’ e rëndomshim, pata nevojë me u shkruem juve, e me u lutunë të luftoni për ate besënë qi u dha njiherë mbë shenjtënit.
4 Sepse hynë pshefazë disa nierës, qi ishinë shkruem përpara çë moti ndë këte dënim, nierës të pabesë, qi këthejënë hirin’ e Perëndisë t’onë mbë ndynësi, edhe mohojënë të vetëminë zotëni Perëndinë, edhe Zotinë t’anë Iesu Krishtinë.
5 Edhe due me ua prumë ndër mend, ndonëse ju e ditët këte njiherë, se Zoti si shpëtoi popullin prei dheut Egjyptit, mbasandai hupi ata qi nukë besuenë;
6 edhe ata engjujtë qi nukë rueitnë urdhënin’ e vet, por lanë vendin’ e vet, i ka rueitunë mbyllunë nd’errësinët me vargje të pasosunë, për gjyqin’ e ditësë madhe;
7 porsi Sodoma e Gomorra, edhe ato qytetetë rreth atyneve, qi u dhanë ndë kurvëni kështu porsi ato, e votnë mbrapa tietër mishi, janë vumë përpara për shëmbëllëtyrë, tue u munduem me ziarrm të pasosunë.
8 Por kështu edhe këta tue pamë andërra, ndyejënë mishinë, e bajënë për asgja pushtetinë, neminë ofiqetë.
9 Edhe Mihaili i par’ i engjujvet kur hahei tue luftuem me diallinë për korpin’ e Moiseut, s’kucoi me prumë kundrë ati ndonji gjykim të nemuni, por tha: Të qartoftë Zoti.
10 Edhe këta neminë sa punë qi nuk’ i dinë, edhe sa punë të natyrësë qi i dinë, porsi shtasë pa mend, vdirenë ndër ato.
11 Mier ata, sepse ecënë mb’udhë të Kainit, edhe u lishuenë me vrap mbas gënjimit Balaamit për me marrë pagë, edhe hupnë ndë kundrë-fjalët të Koreut.
12 Këta janë palavi ndë gosti të dashunisë tuei, kur hanë gosti me ju pa frikë, e ushqejënë vetëvetëhenë; re pa ujë qi bihenë tutie e tërhu prei erash; dru vieshte pa pemë, dy herë vdekunë, shkulunë prei rrajash;
13 valë deti të egra, qi shkumëzojënë turpëniat’ e veta; ujë qi bihen’ andej e këndej, për të cillat’ ashtë rueitunë errësin’ e zezë për gjithë jetënë.
14 Edhe për këta profetizoi edhe Enohu i shtatti vetë mbas Adamit, tue thanë: “Qe tek erdhi Zoti me dhetë mijë shenjtënash vet,
15 qi të bajë gjyq mbi të gjithë, edhe të qartojë gjithë të pabesëtë ndërmiet atyneve për gjithë vepërat’ e pabesënis’ atyne, qi punuenë pa besë, edhe për gjith’ ato fjalët e ashpëra qi folnë kundrë ati fajtorët’ e pa-besë”.
16 - Këta jan’ asish qi murmurojën’ e qjahenë, tue ecunë mbas dëshërimesh vet; edhe goja e atyneve flet fjalë tepërë të trasha, edhe mërekullohenë për disa vetë për me pasunë dobi prei atyneve .
17 Por ju, o të dashunë, kuitoni fjalëtë qi u folnë përpara prei apostujvet Zotit t’ynë Iesu Krishtit,
18 se u thoshinë juve, se: “Ndë kohë të mbrapëme do të jenë përqeshësa, qi do t’ ecinë mbas dëshërimesh pabesëniavet veta”.
19 Këta jan’ ata qi dajënë vetëvetëhenë, porsi shtasë qi s’kanë shpirt.
20 Por ju, o të dashunë, tue ngrefunë vetëhenë tuei përmbi fort të shenjtënueshimenë besë, e tue u falunë ndë Shpirt Shenjt,
21 rueni vetëhenë tuei ndë dashuni të Perëndisë, tue pritunë përdëllimin’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit, për jetë të pasosëme.
22 Edhe disa i përdëlleni, tue bamë të sgjedhunë;
23 edhe disa të tierë i shpëtoni me frikë, tue i rrëmbyem ata prei ziarrmit, e tue pasunë mëni edhe ate petëkunë qi ashtë shgryem prei mishit.
24 Edhe mb’ate qi mundetë me u rueitunë të pafaj, e me u qindruem përpara laftit vet faqe-bardhë me gëzim,
25 mbë të vetëminë të ditshiminë Perëndi edhe Shëlbuesinë t’anë, qoftë laft edhe madhëni, urdhën’ edhe pushtet, edhe tashi edhe mbë gjithë jetët. Amen.