Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.5-15Mk 6.7-13)
1 Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. 3 Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. 4 Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. 5 Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».
6 Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.
Shqetësimi i Herodit
(Mt 14.1-12Mk 6.14-29)
7 Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, 8 disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. 9 Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Mk 6.30-44Gjn 6.1-14)
10 Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. 11 Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.
12 Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». 13 Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». 14 Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». 15 Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. 16 Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës. 17 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.
Pohimi i Pjetrit
(Mt 16.13-19Mk 8.27-29)
18 Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». 19 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». 20 Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mt 16.20-28Mk 8.30—9.1)
21 Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë 22 e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
23 Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. 24 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. 25 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? 26 Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. 27 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-8Mk 9.2-8)
28 Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur. 29 Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. 30 Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia 31 që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.
32 Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.
33 Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. 34 Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. 35 Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». 36 Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.
Shërimi i djalit të pushtuar nga djalli
(Mt 17.14-18Mk 9.14-27)
37 Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. 38 Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! 39 Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. 40 Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». 41 Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sille këtu tët bir!». 42 Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. 43 Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23Mk 9.30-32)
Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: 44 «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». 45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.
Madhështia e vërtetë
(Mt 18.1-5Mk 9.33-37)
46 Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. 47 Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. 48 Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».
Me ju, jo kundër jush
(Mk 9.38-40)
49 Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».
50 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju».
Mospranimi nga samaritanët
51 Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem 52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, 53 por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. 54 Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t'i përpijë ?».
55 Por Jezui u kthye e i qortoi . 56 Pastaj shkuan në një fshat tjetër.
Të ndjekësh Jezuin
(Mt 8.19-22)
57 Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». 58 Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
59 Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». 60 Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë».
61 Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». 62 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».
KAPTINA IX.
1 Edhe ai si thirri për-anë dy-mbë-dhetë dishepujt’ e vet, u dha atyne fuqi e pushtet mbi gjithë djemënit, edhe me shëndoshunë sëmunda.
2 Edhe i dërgoi me predikuem mbëretënin’ e Perëndisë, edhe me shëndoshunë të sëmunëtë.
3 Edhe u tha atyne: Mos barni gja mb’udhë, as shqepë, as straicë, as bukë, as argjand, as ka dy parë petka të keni.
4 Edhe mb’ atë shtëpi qi të hyni, mbetni atie, edhe delni andej.
5 Edhe sa vetë qi të mos u presinë juve, kur të delni prei ati qyteti, shkundni edhe pluhëninë prei kambëvet tueja, për deshmi kundrë atyneve.
6 Edhe ata si duelnë, shkojshinë katundevet, tue dhanë zanin’ e mirë, edhe tue shëndoshunë mbë çdo vend.
7 Edhe Herodi katrurdhësi ndëgjoi gjith’ ato qi baheshinë prei ati, edhe mërekullohei,
sepse disa thoshinë, se Gjionni ashtë ngjallunë prei së vdekunish;
8 edhe disa thoshinë , se Elia ashtë dukunë; edhe disa të tierë, se nji prei profetënish motshim ashtë ngjallunë.
9 Edhe Herodi tha: Gjionnit un’ i preva kryetë, por kyi cilli ashtë, qi unë ndëgjoj për ate të këtilla punë ? Edhe kërkonte me e pamë.
10 Edhe apostujtë si u këthyenë, i diftuenë gjithë sa banë. Edhe ai i muer me vetëhe, e u tërhoq veç-anë ndë nji vend të shkretë të nji qyteti qi quhetë Bethsaida.
11 Edhe gjindëja kur e muernë vesht, e muernë mbrapa; edhe ai si i priti, u fliste atyne për mbëretënin’ e Perëndisë, edhe shëndoshte ata qi kishinë nevojë për me u shëndoshunë.
12 Edhe dita filloi me u thyem, edhe të dy-mbë-dhetët’ erthnë për-anë, e i thonë: Lisho gjindëjenë, qi të shkojnë rreth katundevet e aravet me ndenjunë, edhe me gjetunë haena, sepse këtu jemi ndë vend të shkretë.
13 Por ai u tha atyne: Epni ju atyneve me ngranë. Edhe ata thanë: Ndër ne s’gjindenë ma tepërë se pesë bukë, edhe dy peshq; veç ndë vofshimë na me blemë të ngrana për gjithë këte popull.
14 Sepse ishin’ afërë pesë mijë burra. Edhe ai u tha dishepujvet vet: Veni ata me ndenjunë tuba tuba ka pesë-dhetë.
15 Edhe ata banë kështu, edhe i vunë me ndenjunë të gjithë.
16 Edhe ai si muer pesë bukët’ edhe dy peshqitë, çoi sytë mbë qiell, edhe i bekoi, e i theu, e ua dha dishepujvet me i vumë përpara gjindëjesë.
17 Edhe të gjithë hangrën, e u nginë; edhe ngritnë tepëricën’ e copavet dy-mbë-dhetë kosha.
18 Edhe ai kur ishte tue u falunë veç-anë, dishepujt ishinë bashkë me ate, edhe i pyeti, tue thanë: Cilli thonë gjindëja se jam unë?
19 Edhe ata u përgjegjën, e thanë: Gjionn pagëzori; edhe të tierë: Elia; edhe të tierë, se ashtë ngjallunë nji prei profetënish motshim.
20 Edhe ai u tha atyne: Po ju cilli thoni se jam unë? Edhe Pietri u përgjeq, e tha: Krishti i Perëndisë.
21 Edhe ai qirtoi ata, e i porositi mos me i thanë kurkuit këte,
22 tue thanë, se: I bir’ i nieriut duhetë me pësuem shumë, edhe s’ka me u pëlqyem prei pleqsh e prei krye-priftënish e prei shkruisish, edhe ka me u vramë, edhe të tretënë ditë ka me u ngjallunë.
23 Mbasandai u thoshte të gjithëve: Kush të detë me ardhunë mbrapa mejet, le të mohojë vetëvetëhenë, edhe le të ngrejë kryqin’ e vet përditë, edhe le të më marri mbrapa.
24 Sepse ai qi do me shpëtuem jetën’ e vet, ka me e vdierrë; edhe kush të vdierri jetën’ e vet për punë të meje, kyi ka me e shpëtuem.
25 Sepse ç’të mirë i bahetë nieriut ndë fitoftë gjithë botënë, e të vdierri vetëvetëhenë, a ta damojë?
26 Sepse ai qi të ketë turp për mue edhe për fjalët’ e mia, edhe i bir’ i nieriut ka me pasunë turp për këte, kur të vijë ndë laft të vet e të Atit e të engjujvet shenjtënueshim,
27 Edhe po u thom juve për të vërtet, se - Janë disa prei kësish qi rrinë këtu, qi s’kanë me ngranë vdekë ngjysh sa të shofinë mbëretënin’ e Perëndisë.
28 Edhe mbas këtyne fjalësh shkuen’ afërë tetë ditt, edhe ai muer Pietrin’ edhe Gjionnin’ edhe Iakobin’, edhe hypi ndë mal për me u falunë.
29 Edhe ai kur po falei, u ndërrue të dukunit’ e faqes’ ati, edhe petkat’ e ati ishinë të bardha, e shkrepëtijshinë.
30 Edhe qe dy burra te po flitshinë bashkë me ate, të cillët’ ishinë Moiseu edhe Elia.
31 Ata u duknë me laft, e thoshinë për vdekën’ e ati qi kishte me mbushunë ndë Ierusalem.
32 Por Pietri edhe ata qi ishinë bashkë me atë, ishinë randuem prei gjumit; edhe kur u çuenë, panë laftin’ e ati, edhe ata dy burratë qi ishinë ndenjunë bashkë me ate.
33 Edhe ata kur po daheshinë prei ati, Pietri i tha Iesuit: Mieshtër, mirë ashtë me qenunë na këtu, edhe le të bajmë tri tenda: nji për tyi, edhe nji për Moisenë, edhe nji për Elinë, pa ditunë se qish thotë.
34 Edhe ai tue thanë këto, erdhi nji re, edhe i hijesoi; edhe ata u frikuenë, kur hynë ndë ret.
35 Edhe erdhi nji za prei resë, tue thanë: Kyi ashtë biri em i dashuni: ati ndëgjoni.
36 Edhe mbassi erdhi zani, Iesui u gjind vetëmë. Edhe ata s’pëzaitnë, edhe kurkuit s’i dhanë za nd’ato ditt për as ndonji gja për ato qi panë.
37 Edhe mbë të nesërmet, si sdripnë ata prei malit, shumë gjindëje i duel përpara.
38 Edhe qe nji nieri prei gjindëjesë, te bërtiti, tue thanë: Mieshtër, të lutem, ço sytë mbi t’em bir, sepse e kam të vetëmë.
39 Edhe qe tek e kap fryma, edhe bërtet befas; edhe e shqyen me shkumë, edhe memzi tërhiqetë prei ati, mbassi e dërrmon.
40 Edhe u luta dishepujvet tu për me e nxierrë, por nukë muftnë.
41 Edhe Iesui u përgjeq, e tha: O bres i pabesë edhe i shtrembëtë, ngjysh kurë kam me qenunë me ju, edhe kam me u duruem juve? Bier këtu t’yt-bir.
42 Edhe ai kur po vinte për-anë, dialli e hodhi, edhe e shqeu. Edhe Iesui qirtoi frymën’ e ndytë, edhe shëndoshi çuninë, edhe ia dha prap të atit.
43 Edhe të gjithë mërekulloheshinë për madhënin’ e Perëndisë. Edhe kur mërekulloheshinë të gjithë për gjith’ ato qi bani Iesui, u tha dishepujvet vet:
44 Ju veni ndër vesht tuei këto fjalë, sepse i bir’ i nieriut ka me u dhanë ndër duer të nierëzëvet.
45 Por ata s’e merrshinë vesht këte fjalë, edhe ishte mbuluem prei atyneve, për mos me e marrë vesht; edhe kishinë frikë me e pyetunë për këte fjalë.
46 Mbasandai hyni nji mendim ndër ata, pale cilli prei asish ashtë ma i math.
47 Edhe Iesui kur pa mendimin’ e zemërës’ atyneve, kapi për dore nji çun, edhe e qindroi për-anë vetëhesë,
48 edhe u tha atyne: Ai qi të presi këte çun mb’emënit t’em ka pritunë mue; edhe ai qi të presi mue, ka pritun’ ate qi më dërgoi, sepse ai qi ashtë ma i vogëlë ndër gjithë ju, kyi ka me qenun’ i math.
49 Edhe Gjionni u përgjeq, e tha: Mieshtër, pam nji nieri qi nxier djemënitë mb’emënit tand; edhe e ndalëm, sepse nukë vien mbrapa bashkë me ne.
50 Edhe Iesui i tha: Mos e ndalni, sepse ai qi s’ashtë kundrë nesh, ashtë bashkë me ne.
51 Edhe kur po mbusheshinë ditt për me u marrë nalt ndë qiell , atëherë ai shtiu synin’ e vet për me votunë ndë Ierusalem.
52 Edhe dërgoi za-dhanësa përpara vetëhesë; edhe ata votnë, e hynë ndë nji katund të Samaritanëvet, për me bamë gati vend për ate.
53 Por nuk’ e pritnë, sepse e kishte syninë për me votunë ndë Ierusalem.
54 Edhe Iakobi e Gjionni dishepujt’ e ati kur panë, thanë: Zot, a do të themi me sdripunë ziarrm prei qiellit, edhe me i rrenuem, sikurse bani edhe Elia?
55 Por ai u këthye, e i qirtoi, edhe tha: Nukë dini prei çfarë fryme jeni ju?
56 Sepse i bir’ i nieriut nuk’ erdhi me vdierrë shpirtëna nierëzish, por me shpëtuem. Edhe votnë mbë nji tietër katund.
57 Edhe ata kur po vijnë, nji nieri i tha mb’udhë: Zot, kam me të marrë mbrapa kudo të veç.
58 Edhe Iesui i tha: Dhelpënatë kanë shtrokulla, edhe shpendët’ e qiellit të ndenjuna; por i bir’ i nieriut s’ka ku me ulunë kryetë.
59 Edhe i tha nji tietrit: Merr-më mbrapa. Edhe ai i tha: Zot, lenmë përpara të shkoj me vorruem tem atë.
60 Por Iesui i tha: Leni të vdekunitë me vorruem të vdekunit’ e vet, por ti shko edhe nep za për mbëretënin’ e Perëndisë.
61 Por edhe nji tietër nieri tha: Zot, kam me ardhunë mbrapa tejet; por lenmë përpara të shkoj me u lanë shëndet atyneve qi janë ndë shtëpit t’eme.
62 Por Iesui i tha: Kush ve dorën’ e vet mbë parmende, edhe këthehet ’ e ve ore mbrapa, nuk’ asht’ i vëjefshim për mbëretënin’ e Perëndisë.