Shërimi i të verbrit
1 Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. 2 Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». 3 Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. 4 Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. 5 Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës».
6 Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë e ia leu sytë me baltë të verbrit. 7 Pastaj i tha: «Shko e lahu te hurdha e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte.
8 Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur e lypte?». 9 Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». 10 Atëherë ata e pyetën: «Si t'u hapën sytë?». 11 Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m'i leu sytë e më tha: “Shko te hurdha e Siloamit e lahu!”. Unë shkova, u lava e pashë». 12 Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di».
Farisenjtë hetojnë shërimin
13 Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë. 14 Dita që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbrit, kishte qenë e shtunë. 15 Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava e tani shoh».
16 Disa nga farisenjtë thoshin: «Ai njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e respekton të shtunën». Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë shenja të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre.
17 Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Ti çfarë thua për atë që t'i hapi sytë?». Ai u tha: «Është profet».
18 Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. 19 Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». 20 Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, 21 por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». 22 Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. 23 Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!».
24 Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». 25 Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». 26 Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». 27 Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». 28 Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. 29 Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». 30 Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. 31 E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. 32 Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. 33 Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë».
34 Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë.
Verbëria shpirtërore
35 Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». 36 Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». 37 Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». 38 «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij.
39 Pastaj Jezui tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin e të verbohen ata që shohin». 40 Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi edhe ne të verbër?». 41 Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet».
KAPTINA IX.
1 Edhe tue shkuem, pa nji nieri të verbëtë çë prei së lemesë.
2 Edhe dishepujt’ e ati e pyetnë, tue thanë: Rabbi, cilli fëjeu kyi, apor përint’ e ati, qi të lejë i vërbëtë?
3 Iesui u përgjeq: As kyi s’fëjeu, as përint’ e ati, por qi të diftohenë punët’ e Perëndisë tek ai.
4 Unë duhetë me punuem punët’ e ati qi më dërgoi, qysh sa të jetë ditë; vien nata, atëherë s’mundetë me punuem askushi.
5 Sa të jemi ndë botët, jam drit’ e botësë.
6 Mbassi tha këto, pështyni për dhe, edhe bani baltë prei pështymësë, edhe leu syt’ e të verbëtit me baltënë,
7 edhe i tha: Shko, e lahu ndë banjë të Siloamit (qi ajo këtheym, do me thanë: Dërguem). Vote pra, e u la, edhe erdhi tue pamë.
8 Fëqijtë pra, edhe ata qi e shifinë përpara se ishte i verbëtë, thoshinë: Nuk’ ashtë kyi ai qi rrinte e lypte?
9 Të tierë thoshinë, se kyi ashtë; edhe të tierë, se i shëmbëllen, por ai thoshte, se - Unë jam.
10 I thoshinë pra: Si t’u çelnë sytë?
11 Ai u përgjeq e tha: Nji nieri qi thohetë Iesu bani baltë, edhe më leu sytë, edhe më tha - Shko ndë banjë të Siloamit, edhe lahu. Edhe si voita e u lashë, çela sytë.
12 I thanë pra: Ku asht’ ai? Thotë: Nukë dij.
13 Bijenë te Fariseit’ ate qi ishte njiherë i verbëtë.
14 Edhe ishte e shëtunë kur bani baltënë Iesui, edhe i çeli sytë.
15 Për-së-ri pra e pyetnë edhe Fariseitë, si çeli sytë. Edhe ai u tha atyne: Vuni baltë mbi syt’ e mi, edhe u lashë, edhe shof.
16 Disa prei Fariseish thoshinë pra: Kyi nieri nuk’ ashtë prei Perëndisë, sepse nukë ruen të shëtunënë. Të tierë thoshinë: Si mundetë me bamë këso mërekulliash nji nieri fajtuer? Edhe ishte të shqierrë ndërmiet atyneve.
17 I thonë prap të verbëtit: Qish thue ti për ate, sepse të çeli sytë? Edhe ai tha, se ashtë profet.
18 Iudeitë pra nuk’ i zunë besë, se ishte i verbëtë, edhe çeli sytë, qysh sa thërritnë përint’ e ati qi iu çelnë sytë.
19 Edhe i pyetnë, tue thanë: Kyi ashtë biri juei, qi ju thoni se ai ka lem’ i verbëtë? Si shef pra tashti?
20 Përint’ e ati u përgjeqnë atyne e thanë: E dimë se kyi ashtë biri ynë, edhe se ka lem’ i verbëtë, por si shef tashti, nukë dimë;
21 a cilli i çeli sytë, na nukë dimë; ai ka moshë; pyetni ate, ai ka me folunë për vetëvetëhenë.
22 Këto thanë përint’ e ati, sepse drojshinë prei Iudeish, se Iudeit’ ishinë bamë tashti me nji fjalë, se ai qi ta rrëfejë për Krisht, të jetë jashtë synagogësë.
23 Përandai përint’ e ati thanë, se ka moshë; pyetni ate.
24 Thirrnë pra për së dyti ate nierinë qi qe i verbëtë, edhe i thanë: Ep-i laft Perëndisë; na e dimë se kyi nieri ashtë fajtuer.
25 Ai u përgjeq pra, e tha: Ndë qoftë fajtuer, nukë dij, por nji punë dij, se qesh i verbët’, edhe tashti shof.
26 Edhe i thanë prap: Qish të bani? Si të çeli sytë?
27 U përgjeq atyne: Tashti u thashë juve, edhe nukë ndëgjuetë; ç’doni me ndëgjuem prap? Mos doni me u bam’ edhe ju dishepujt’ e ati?
28 E përqeshnë pra, edhe thanë: Ti je dishepull’ i ati; por na jemi dishepujt’ e Moiseut.
29 Na e dimë se Perëndia foli me Moisenë, por këte nuk’ e dimë prei kah ashtë.
30 Nieriu u përgjeq, e u tha atyne: Këjo ashtë pun’ e mërekullueshime, se ju s’e dini prei kah ashtë, edhe ai më çeli sytë.
31 Edhe e dimë se Perëndia nuk’ u ndëgjon fajtorëvet, por ndë qoftë kushi me pasunë frikë Perëndinë, edhe me bamë dashunimin’ e ati, këti i ndëgjon.
32 Qysh mbë këte jetë nuk’ ashtë ndëgjuem, se çeli kushi syt’ e ati qi ka lem’ i vërbëtë.
33 Ndë mos ishte kyi prei Perëndisë, nukë mundei me bamë asgja.
34 U përgjeqnë e i thanë: Ti ke lemë gjithë ndër faje, edhe ti na mëson? Edhe e nxuernë jashtë.
35 Iesui ndëgjoi se e nxuernë jashtë; edhe si e gjeti, i tha: I beson ti të Birit Perëndisë?
36 Ai u përgjeq e tha: Cilli asht’ ai , Zot, qi t’i besoj.
37 Edhe Iesui i tha: Edhe e ke pamë, edhe asht’ ai qi flet bashkë me tyi.
38 Edhe ai tha: Besoj, o Zot; edhe e adhuroi.
39 Mbasandai Iesui tha: Unë kam ardhunë ndë këte botë për gjyq, qi të shofin’ ata qi nukë shofinë, edhe të bahenë të verbët’ ata qi shofinë.
40 Edhe sa ishinë prei Fariseish bashkë me ate ndëgjuenë këto, edhe i thanë: Mos jemi edhe na të verbëtë?
41 Iesui u tha atyne: Ndë ishitë të verbëtë, s’do të kishitë faj, por tashti thoni, se - Shofimë; faji juei pra mbet.