Përshëndetje
1 Unë, Pali, i thirrur për të qenë apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë dhe vëlla Sosteni, 2 po i shkruajmë kishës së Perëndisë, që është në Korint, të shenjtëruarve përmes Jezu Krishtit, të thirrurve për të qenë të shenjtë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend thërrasin emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të tyre dhe Zotit tonë: 3 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht!
4 E falënderoj Perëndinë tim gjithnjë për ju, që ju dha hirin e tij me anë të Jezu Krishtit. 5 Ai ju pasuroi në gjithçka, në çdo fjalë e në çdo dije. 6 Kështu, dëshmia për Krishtin u përforcua aq shumë ndër ju, 7 saqë nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërkohë që prisni ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. 8 Ai do t'ju mbajë të fortë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në Ditën e Zotit tonë Jezu Krisht. 9 Perëndia, që ju thirri në bashkësi me Birin e tij Jezu Krishtin, Zotin tonë, është besnik.
Përçarje në kishë
10 Vëllezër, ju lutem në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të jeni të gjithë në një mendje për atë që thoni dhe të mos keni përçarje mes jush, por të jeni të bashkuar në mendime e arsyetime. 11 Sepse, vëllezërit e mi, disa nga njerëzit e Kloesë më njoftuan se mes jush ka grindje. 12 Këtë e them, sepse një prej jush thotë: «Unë jam i Palit», ndërsa tjetri thotë: «Unë jam i Apolit», ose: «Unë jam i Kefës», ose: «Unë jam i Krishtit».
13 Pse, i ndarë qenka Krishti? A mos u kryqëzua Pali për ju, apo mos u pagëzuat në emër të Palit? 14 Falënderoj Perëndinë, që, përveç Krispit dhe Gajit, nuk kam pagëzuar asnjë prej jush, 15 që të mos thotë askush se u pagëzua në emrin tim. 16 Po, kam pagëzuar edhe ata të shtëpisë së Stefanait, por nuk di të kem pagëzuar edhe ndonjë tjetër. 17 Krishti nuk më ka dërguar të pagëzoj, por të shpall ungjillin, dhe jo me dituri fjalësh, që të mos humbasë fuqia e kryqit të tij.
Predikimi i kryqit
18 Predikimi i kryqit është marrëzi për ata që shkojnë në humbje, por për ne të shpëtuarit është fuqia e Perëndisë. 19 Sepse është shkruar:
urtinë e të urtëve
do ta shkatërroj,
ndërsa mençurinë e të mençurve
do ta hedh tej.
20 Ku është, pra, i urti? Ku është shkruesi? Ku është hulumtuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri Perëndia marrëzi urtinë e kësaj bote? 21 Meqenëse njerëzit nuk e njohën Perëndinë nëpërmjet urtisë, atëherë Perëndia, me urtinë e tij, parapëlqeu t'i shpëtojë ata që besojnë, nëpërmjet marrëzisë së predikimit. 22 Judenjtë kërkojnë shenjë dhe helenët kërkojnë urti, 23 ndërsa ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar që u bëhet pengesë judenjve dhe marrëzi kombeve. 24 Por për ata që janë thirrur nga Perëndia, judenj apo helenë, Krishti është fuqia e Perëndisë dhe urtia e tij. 25 Marrëzia e Perëndisë është më e urtë se njerëzit dhe dobësia e tij është më e fortë se ata.
26 Vëllezër, shikoni kush jeni ju që u thirrët nga Perëndia! Ndër ju, nga ana njerëzore, nuk ka shumë të urtë, as shumë të fortë e as shumë fisnikë. 27 Por Perëndia zgjodhi të marrët sipas botës për të turpëruar të urtët, zgjodhi të dobëtit sipas botës për të turpëruar të fortët.
28 Ai zgjodhi gjërat jo të fisme e të përbuzura të botës, ato që nuk janë asgjë në sytë e saj, për të shkatërruar ato që sipas botës janë të rëndësishme. 29 Kështu, askush nuk mund të mburret para Perëndisë. 30 Por, ai bëri që ju të jeni të bashkuar me Jezu Krishtin, që u bë për ne urtia e Perëndisë. Krishti na bëri të drejtë, na shenjtëroi e na shpengoi, 31 ashtu siç është shkruar: kush krenohet, të krenohet në Zotin.
KAPTINA I.
1 Pauli thërritun’ apostull i Iesu Krishtit, me anë të dashunimit Perëndisë, edhe Sostheni vëllai,
2 mbë kishën’ e Perëndisë qi ashtë ndë Korinthë, të shenjtënueshimitë mbë Iesu Krishtinë, thërritunë shenjtëna, bashkë me gjith’ ata qi thërrasinë mbë qish do vend emënin’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit, t’atyne edhe t’ynit.
3 Hir qoftë mbë ju edhe paqtim prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.
4 I falem nders përherë Perëndisë t’em për ju, për ate hirin’ e Perëndisë qi u dha mbë ju me anë të Iesu Krishtit,
5 se u batë të pasunë prei ati mbë qish do fjalë, e mbë qish do mend,
6 sikurse deshmia e Krishtit u vërtetue mbë ju,
7 kaqi sa s’u mengon juve as ndonji dhunëti tue pritunë të sbuluemen’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit,
8 i cilli ka me u vërtetuem juve të dilni faqe-bardhë deri së mbrapëni, ndë ditë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit.
9 Perëndia ashtë besëtar, prei të cillit u thërritët ndë shoqëni të Birit ati Iesu Krishtit Zotit t’ynë.
10 Edhe u lutem juve, o vëllazën, për emënë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit, qi të thoni të gjithë njifjalë , edhe të mos jenë shqerra ndër ju, por të jeni piekunë me nji shpirt e me nji mend.
11 Sepse më diftuenë për ju, o vëllazën, ata qi janë prei shtëpisë Kloesë, se janë qarta ndër ju.
12 Edhe këte e thom, se gjithë-se-cilli prei jush thotë: Unë jam i Paulit, e un’ i Apolloit, e un’ i Kifait, e un’ i Krishtit. Damë ashtë Krishti?
13 Mos u kryqëzue Pauli për ju? Apor u pagëzuetë mb’emënë të Paulit?
14 Falemi nders Perëndisë, se nukë pagëzova ndonji prei jush, veçse Krispin’ edhe Gainë,
15 qi të mos thotë kushi, se pagëzova mb’emënë t’em.
16 Pagëzova edhe shtëpin’ e Stefanait, veç këtyneve nukë dij ndë pagëzova tietër kend.
17 Sepse Krishti nukë më dërgoi me pagëzuem, por me ungjillëzuem; jo me dituni fjale, për mos me dalun’ i kotë kryqi i Krishtit.
18 Sepse fjala e kryqit ashtë marri mb’ata qi janë të vdierrë, por mbë ne qi jemi të shpëtuem ashtë fuqi Perëndie.
19 Sepse ashtë shkruem: “Kam me vdierrë ditunin’ e të ditshimvet, edhe kam me hedhunë poshtë mendien’ e të mentshimvet”.
20 Ku asht’ i ditshimi? Ku ashtë shkruisi? Ku ashtë kërkimtari i kësai jete? Nukë marroi Perëndia ditunin’ e kësai jete?
21 Sepse bota si nukë ngjofi Perëndinë me ditunin’ e Perëndisë, i pëlqeu Perëndisë me marrin’ e predikimit me shpëtuem ata qi besojnë.
22 Sepse edhe Iudeitë kërkojnë shenjë, edhe Grekëtë kërkojnë dituni.
23 Por na predikojmë Krishtin’ e kryqëzuem, qi ashtë shkandulë mbë Iudeit, e marri mbë Grekët,
24 por mb’ata qi janë të thërritunë, Iude e Grekë, Krishti ashtë fuqi Perëndie, edhe dituni Perëndie.
25 Sepse marria e Perëndisë ashtë ma e ditshime se e nierëzëvet, edhe dobësina e Perëndisë ashtë ma e fortë se e nierëzëvet.
26 Sepse e shifni të thirrëtë tuei, o vëllazën, se nukë jeni shumë të ditshim prei mishit, jo shumë të fuqishim, jo shumë të fisshim.
27 Por Perëndia sgjodhi punët’ e marra të botësë për me turpënuem të ditshimitë, edhe Perëndia sgjodhi të dobat’ e botësë, për me turpënuem të fortatë.
28 Edhe Perëndia sgjodhi të pafisshimet’ e botësë, edhe ato qi shahenë, edhe ato qi nukë janë, për me prishun’ ato qi janë,
29 qi të mos mburretë ndonji mish përpara ati.
30 Edhe ju jeni prei ati mbë Iesu Krishtinë, i cilli u ba mbë ne dituni prei Perëndisë, dreitëni, e shenjtënim, e shpërblim,
31 qi sikurse ashtë shkruem: “Ai qi mburretë, le të mburretë mbë Zotinë”.