Mos e gjyko tjetrin
1 Pranojeni atë që është i dobët në besim dhe mos e gjykoni për mendimet e tij. 2 Dikush beson se mund të hajë çdo gjë, ndërsa një tjetër, që është i dobët, ha vetëm perime. 3 Ai që ha çdo gjë, të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha çdo gjë, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar edhe atë. 4 Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Vetëm i zoti mund të gjykojë nëse shërbëtori i tij qëndron i fortë në detyrë ose jo. Por ai do të qëndrojë i fortë, sepse Zoti ka pushtetin ta bëjë këtë.
5 Dikush e vlerëson një ditë më shumë se një ditë tjetër, ndërsa dikush tjetër i vlerëson të gjitha ditët njëlloj. Secili të jetë plotësisht i bindur për atë që bën. 6 Ai që e vlerëson një ditë si të veçantë, e vlerëson për Zotin . Ai që ha nga çdo gjë, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë. Po ashtu, edhe ai që nuk ha çdo gjë, nuk ha për Zotin dhe falënderon Perëndinë.
7 Asnjëri nga ne nuk jeton për vete dhe nuk vdes për vete. 8 Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, ne i përkasim Zotit. 9 Për këtë arsye Krishti vdiq e u ngjall, për të qenë Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve. 10 Pse e gjykon vëllanë tënd? Pse e përbuz vëllanë tënd? Ne të gjithë do të qëndrojmë para gjyqit të Perëndisë. 11 Është shkruar:
pasha jetën time, thotë Zoti,
çdo gju
do të përkulet para meje
dhe çdo gjuhë
do të përlëvdojë Perëndinë.
12 Kështu pra, çdonjëri prej nesh do të përgjigjet para Perëndisë për veten e vet.
Mos u bëj pengesë për vëllanë
13 Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait as lak, as pengesë. 14 Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të.
15 Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti. 16 Mos bëni që të shahet çka është e mirë për ju. 17 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët e të pirët, por drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin e shenjtë. 18 Kush i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Perëndisë dhe miratohet prej njerëzve. 19 Prandaj, të kërkojmë gjërat që sjellin paqen dhe rritjen shpirtërore të të gjithëve.
20 Mos e shkatërro veprën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, me ushqimin e tij, bëhet gur pengese për tjetrin. 21 Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë e as të mos bësh ndonjë gjë tjetër që do të bëhej gur pengese për vëllanë tënd . 22 Besimin që ke, mbaje për vete para Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon ndërgjegjja për ushqimet që zgjedh të hajë. 23 Por kush është me dy mendje për sa i përket ushqimit, e megjithatë ha, ai është i dënuar, se nuk vepron sipas asaj që beson. Gjithçka që nuk vjen prej besimit, është mëkat.
KAPTINA XIV.
1 Edhe ate qi asht’ i sëmunë ndë besët pritnia mbas vetiut, jo tue bamë gjyq’ me dy mendesh.
2 Sepse nji beson se mundetë me ngranë prei së gjithash, por ai qi asht’ i sëmunë ha barishta.
3 Ai qi ha le të mos bajë për asgja ate qi s’ha; edhe ai qi s’ha le të mos gjukojë atë qi ha, sepse Perëndia e ka pritunë mbas vetiut.
4 Cilli je ti qi gjukon shërbëtorin’ e huej? Mbë të zotin’ e vet ai qindron a bije, por ka me qindruem, sepse Perëndia mundetë me e qindruem dreitë .
5 Sepse nji shqyen nji ditë prei nji tietëre dite, e nji tietër qish do ditë e numëron nji. Gjithë-se-cilli le të mendohetë mbas mendiesë vet qi iu ka mbushunë.
6 Ai qi shqyen ditënë, për Zotin’ e shqyen, edhe ai qi nukë shqyen ditënë, për Zotinë nuk’ e shqyen. Ai qi ha, për Zotinë ha, sepse i faletë nders Perëndisë; edhe ai qi nukë ha, për Zotinë nukë ha, edhe i faletë nder Perëndisë.
7 Sepse as ndonji prei nesh s’rron për vetëvetëhenë, edhe as ndonji s’vdes për vetëvetëhenë.
8 Sepse edhe ndë rrofshim, për Zotinë rroimë; edhe ndë vdekshim, për Zotinë vdesimë. Ndë rrofshim pra, për Zotinë rroimë, edhe ndë vdekshim, të Zotit jemi.
9 Sepse për këte punë Krishti edhe vdiq, edhe u ngjall, edhe rroi për-së-ri, për me zotënuem mbi të vdekunit, e mbi të gjallët.
10 Por ti, përse gjukon vëllandë tand? A edhe ti përse ban për asgja vëllanë tand? Sepse na të gjithë kemi me dalunë përpara gjukatësë Krishtit.
11 Sepse ashtë shkruem: “Rroj unë”, thotë Zoti, “se mbë mue ka me u ulunë qish do gjunjë, edhe qish do gjuhë ka me lavduem Perëndinë”.
12 Gjithë-se-cilli pra prei nesh ka me i dhanë fjalë Perëndisë për vetëvetëhenë.
13 Le të mos gjukojmë pra njiani tietërinë, por për këte punë ma tepërë gjukoni, qi të mos i veni shqitë vëllait, a shkandulë.
14 E dij, edhe m’u ka mbushunë mendia mbë Zotinë Iesu, se s’ashtë ndonji gja e ndytë prei vetiut, veç për ate qi kuiton për ndonji gja se asht’ e ndytë, për ate asht’ e ndytë.
15 Por ndë u idhënoft’ yt vëlla për të ngranë, ti nuk’ ecën ma mbas dashunisë. Mos e ban ate të hupi për të ngranët tat, qi për ate vdiq Krishti.
16 Le të mos nemetë pra e mira juei.
17 Sepse mbëretënia e Perëndisë nuk’ ashtë të ngran’ e të pimë, por dreitëni, e paqtim, e gëzim mbë Shpirtinë Shenjt,
18 sepse ai qi i shërben Krishtit me këto, asht’ i pëlqyeshim te Perëndia, edhe i sgjedhunë te nierëzit.
19 Le të ndiekimë pra ato punët’ e paqtimit, edhe ato qi vëjeinë për me ndrequnë njiani tietërinë.
20 Mos e prish punën’ e Perëndisë për të ngranë. Sepse të gjitha janë të qiruta, por e keqe ashtë për ate nieri qi ha me shkandullë.
21 Mirë ashtë mos me ngranë mish, as mos me pimë venë, as mos me bamë gja qi për ate rrëshqet, a shkandalizohetë, a asht’ i dobë yt vëlla.
22 Ke besë ti? Kije me vetëvetëhenë përpara Perëndisë; lum ai qi nukë gjukon për të keq vetëvetëhenë për ate punë qi kërkon me bamë.
23 Por ai qi ashtë me dy mendesh, ndë hangrëtë, iu ka gjukuem për të keq, sepse nukë hangër me besë; edhe gjithë qish nukë bahetë me besë, ashtë faj.