Vazhdo veprat e mira
1 Kujtoju besimtarëve t'u nënshtrohen parive e pushtetarëve, të jenë të bindur, të gatshëm për çdo vepër të mirë, 2 të mos fyejnë askënd, të jenë të paqtë, të durueshëm dhe të tregojnë butësi me të gjithë njerëzit. 3 Dikur edhe ne ishim të marrë, të pabindur, të mashtruar, skllevër të dëshirave e të epsheve të ndryshme. Ne jetonim në ligësi e në smirë, të urryer e duke urryer njëri-tjetrin.
4 Por kur u shfaq për njerëzit
mirësia dhe dashuria e Perëndisë,
shpëtimtarit tonë,
5 ai na shpëtoi,
jo për shkak të ndonjë vepre drejtësie
që bëmë ne,
por për shkak të mëshirës së tij,
përmes larjes së rilindjes e përtëritjes
që Shpirti i shenjtë kryen në ne.
6 Këtë Shpirt të Shenjtë
ai e dikoi mbi ne
pa u kursyer,
përmes Jezu Krishtit,
shpëtimtarit tonë,
7 që ne, duke u bërë të drejtë
prej hirit të tij,
të bëhemi trashëgimtarë të jetës së amshuar
që është shpresa jonë.
8 Kjo fjalë është e besueshme.
Unë dua që këto gjëra t'i pohosh me siguri, me qëllim që ata që i kanë besuar Perëndisë të përkushtohen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit. 9 Por ti shmangu nga bisedat e marra, gjenealogjitë, grindjet e zënkat për ligjin, pasi ato janë të padobishme dhe të kota. 10 Shmangu edhe nga përçarësit, pasi t'i kesh qortuar një ose dy herë. 11 Ti e di se njerëz të tillë janë çoroditur dhe mëkatojnë duke dënuar veten.
Porosi dhe përshëndetje vetjake
12 Kur të dërgoj te ti Artemain ose Tikikun, nxito të vish tek unë në Nikopojë, se kam vendosur ta kaloj dimrin aty.
13 Kujdesu për udhëtimin e Zenës, juristit, dhe të Apolonit, që të mos u mungojë asgjë.
14 Edhe tanët le të mësojnë t'u kushtohen veprave të mira, që të mund të përballojnë nevojat e ngutshme e që jeta e tyre të jetë e frytshme.
15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim.
Hiri qoftë me ju të gjithë!
KAPTINA III.
1 Ua bier ndër mend atyneve të ulinë kryetë ndën’ urdhënat e ndënë pushtetet, t’u ndëgjojënë të parëvet, të jenë gati për qish do farë vepëre të mirë.
2 Të mos nemin’ askend, të mos qartohenë, të jenë të hieshim, të diftojënë qish do butësinë mbë gjithë nierëzit.
3 Sepse edhe na ishim njiherë të marrë, të pabindunë, të gënjyem, shërbëtorë ndë qish do farë dëshërimesh e kënaqiesh, e shkoishim jetënë ndë të keqe e ndë zmir, mëni-marrës, të pasunë mëni niani tietërinë.
4 Por kur u duk e mira edhe mik-nierëzia e Perëndisë Shëlbyesit t’ynë, jo prei punësh dreitënisë qi punuem na, por mbas përdëllimit vet
5 na shpëtoi, prei së lamesë të së lemesë për-së-ri, edhe prei së përtërimesë Shpirtit Shenjt,
6 qi derdhi mbë ne me dorë të hapëtë me anë të Iesu Krishtit Shëlbyesit t’ynë,
7 qi të dalimë të dreitë me hirin’ e ati, e të bahemi trashigimtarë mbas shpëresësë jetësë pasosëme.
8 Për të zanë besë ashtë fjala, edhe due të vërtetojsh këto, qi të kenë kujdes ata qi i kanë besuem Perëndisë të jenë gati për vepëra të mira. Këto janë të mirat’ edhe të vëjefshimetë për nierëzit.
9 Edhe kërkime të marra, e të ngjefuna brezash, e të ngrana me fjalë, edhe luftëna ligje t’i lashë mbë-nj-anë, sepse janë të pavëjefshime edhe të kota.
10 Nierinë heretik si ta mësojsh nji herë, e dy herë,
11 hiq dorë prei asai, sepse e di se kyi ka dalunë jashtë prei udhësë, edhe fëjen, sepse ashtë gjukuem prei vetëvetëhesë.
12 Kur të dërgoj Artemanë a Tyhikunë te ti, nxito me ardhunë tek unë ndë Nikopolë, sepse atie e gjukova për me shkuem dimëninë.
13 Dërgo përpara me nxitim Zenanë edhe Apollonë, qi të mos u mengojë gja.
14 Le të xan edhe të tonëtë të jenë gati për vepëra të mira për nevojat e lypsëshime, qi të mos jenë të papemë.
15 Të falenë me shëndet gjith’ ata qi janë bashkë me mue; faliu me shëndet atyneve qi na duenë mbë besët. Hiri qoftë bashkë me gjithë ju. Amen.
(Letëra) mbë Titonë qi qe urdhënuem episkop i parë i kishësë Kretësavet, u shkrue kah Nikopola e Makedonisë .