Përshëndetje
1 Unë, plaku, po i shkruaj zonjës së zgjedhur e bijve të saj, që i dua me të vërtetë e jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë njohur të vërtetën. 2 Ju duam për hir të së vërtetës që qëndron në ne e që do të jetë me ne në amshim.
3 Hiri, mëshira e paqja, që vijnë prej Perëndisë Atë e prej Jezu Krishtit, Birit të tij, qofshin me ne, në të vërtetë e në dashuri.
E vërteta dhe dashuria
4 U gëzova pa masë që gjeta disa nga bijtë e tu duke jetuar në të vërtetën sipas urdhërimit që morëm nga Ati. 5 Dhe tani të lutem ty, o zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por urdhërimin që kishim që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin. 6 Kjo është dashuria: të jetojmë sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e keni dëgjuar që nga fillimi, urdhërimi është ky: jetoni në dashuri.
7 Në botë kanë dalë shumë mashtrues, që nuk rrëfejnë se Jezu Krishti erdhi me trup njerëzor . Kush thotë kështu, është mashtruesi dhe antikrishti. 8 Kini kujdes veten tuaj, që të mos humbisni frytin e punës sonë, por të merrni shpërblimin e plotë. 9 Kush del nga mësimi i Krishtit e nuk qëndron në të, nuk ka Perëndi. Ai që qëndron në mësimin e Krishtit, ka edhe Atin, edhe Birin. 10 Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni në shtëpi e mos e përshëndetni. 11 Kush e përshëndet atë, bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga.
Përshëndetjet e fundit
12 Megjithëse kisha shumë gjëra për t'ju shkruar, nuk doja ta bëja me letër e bojë, por shpresoj të vij te ju e t'ju flas gojarisht, në mënyrë që gëzimi ynë të jetë i plotë.
13 Të përshëndesin bijtë e motrës sate të zgjedhur.
1 Plaku mbë Zonjën’ e sgjedhëme, edhe mbë dielmt e asai, qi un’ i due ndë të vërtetët, edhe jo unë vetëmë, por edhe gjith’ ata qi kanë ngjofunë të vërtetënë,
2 për ate të vërtetënë qi mbet ndër ne, edhe ka me qenunë bashkë me ne për gjithë jetënë,
3 qoftë bashkë me ju hir, ndëjesë, paqtim prei Perëndisë Atit, edhe prei Zotit Iesu Krisht të Birit Atit, ndë të vërtetë e ndë dashuni.
4 U gëzueshë shumë, se gjeta disa prei dielmvet tu tue ecunë, ndë të vërtetënë, sikurse muerëm porosi prei Atit.
5 Edhe tashi të lutem, o Zonjë, jo sikur tue shkruem te ti nji porosi të re, por ate qi kishim çë përpara herësë, të duemë njani tietërinë.
6 Edhe këjo ashtë dashunia, të ecimë mbas porosivet ati. Këjo ashtë porosia, sikurse e ndëgjuetë çë përpara herësë, të ecëni mb’ate.
7 Sepse shumë gënjeshtarë hynë ndë botët, ata qi nukë rrëfejënë me gojë se Iesu Krishti erdhi ndë mish; kyi ashtë gënjeshtari edhe antikrishti.
8 Këqyrni vetëhenë tuei, qi të mos vdierrim’ ato qi punuem, por të marrinë pagë të plotë.
9 Gjithë kush kapërcen porosinë, edhe nukë mbet ndë mësimt të Krishtit, ai s’ka Perëndi; ai qi mbet ndë mësimt të Krishtit, kyi ka edhe Atën’ edhe Birinë.
10 Nd’arthtë kushi te ju, e nukë bije këte mësim, mos e merrni ndë shtëpi, edhe mos e përshëndetni,
11 sepse ai qi e përshëndet, bahetë piesëtar mbë vepërat t’ati të këqiatë.
12 Ndonëse pata shumë për me u shkruem juve, nukë desha me letër’ e me mellan, por shpërej me ardhunë te ju, edhe me folunë gojë me gojë, qi të jetë plot gëzimi ynë.
13 Të falenë me shëndet dielmt’ e motërësë s’ate të sgjedhëmesë. Amen.