Përshëndetje
1 Unë Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, përshëndes dymbëdhjetë fiset e shpërndara nëpër botë.
Besimi e urtia
2 Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, 3 sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. 4 Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë.
5 Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t'i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim, 6 por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas. 7 Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti, 8 sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën .
Varfëria e pasuria
9 Vëllai i varfër le të krenohet, se do ta lartësojë Perëndia, 10 ndërsa vëllai i pasur se do ta përulë. I pasuri do të shkojë si lulja e barit. 11 Dielli lind dhe nxehtësia e tij e than barin. Lulja e barit vyshket dhe bukuria i zhduket. Kështu do të vyshket edhe i pasuri në gjërat që bën.
Sprova e tundime
12 Lum ai njeri që duron tundimet, sepse, pasi të ketë kaluar sprovën, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Perëndia ua premtoi atyre që e duan.
13 Askush, kur tundohet, të mos thotë: «Jam tunduar nga Perëndia». Perëndia nuk tundohet nga e keqja dhe nuk tundon askënd. 14 Secili tundohet nga lakmia e vet, që e josh dhe e mashtron. 15 Kur lakmia mbarset, pjell mëkatin, ndërsa mëkati që kryhet sjell vdekjen.
16 Vëllezërit e mi të dashur, mos u mashtroni! 17 Çdo e mirë që na është dhënë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga lart dhe zbret nga Ati i dritave qiellore. Perëndia nuk ndryshon dhe nuk lë hije ndryshimi. 18 Prej vullnetit të tij na dha jetë me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi fryti i parë i krijesave të tij.
Dëgjimi e zbatimi i fjalës
19 Vëllezërit e mi të dashur, dijeni se çdo njeri duhet të jetë i gatshëm për të dëgjuar, i ngadaltë për të folur dhe i ngadaltë në zemërim. 20 Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. 21 Prandaj hidhni tej çdo ndyrësi e çdo ligësi tjetër dhe me përulësi pranoni fjalën që Perëndia ka mbjellë ndër ju, fjalë e cila mund t'ju shpëtojë shpirtrat.
22 Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten. 23 Sepse nëse dikush është vetëm dëgjues i fjalës dhe jo zbatues i saj, ai i ngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë, 24 por pasi shihet, ikën e menjëherë harron sesi ishte. 25 Ndërsa ai që e shikon me kujdes ligjin e përsosur të lirisë dhe ngulmon në të, ai që nuk mbetet vetëm një dëgjues që harron, por zbatues i tij, do të jetë i lum në gjithçka që bën.
26 Kush mendon se është fetar dhe nuk i vë fre gjuhës, mashtron veten dhe feja e tij është e kotë. 27 Feja e pastër dhe e panjollë para Perëndisë dhe Atit është kjo: përkujdesja për jetimët e vejushat që janë në vështirësi dhe ruajtja e vetes të pastër nga bota.
KAPTINA I.
1 Iakobi, shërbëtori i Perëndisë edhe i Zotit Iesu Krisht, mbë të dy-mbë-dhetë farat qi janë shpërdamë, falemi me shëndet .
2 Kujtonia për qish-do gëzim, o vëllazën, kur të bini mbë qish-do farë ngasëjesh,
3 tue ditunë se provimi i besësë tuei punon durim,
4 edhe durimi le të ketë punë të kullutë, qi të jeni të kullutë edhe të tanë, pa qenunë të mangutë as mbë ndonji gja.
5 Edhe ndë i mengoftë dituni ndonjianit prei jush, le të lypi prei Perëndisë qi u ep të gjithëve pa kursim, e nukë qarton; edhe ka me iu dhanë.
6 Por le të lypi me besë, pa qenunë me dy mendie, sepse ai qi ashtë me dy mendie i përgjan valësë detit qi tundetë prei erës’ edhe përpiqetë.
7 Sepse ai nieri le të mos kuitojë se ka me marrë gja prei Zotit.
8 Nieriu me dy mendie asht’ i paqindrueshim mbë gjith’ udhët e veta.
9 Le të mburretë pra vëllai i përungjëtë ndë të naltët të vet,
10 e i pasuni ndë të përungjët të vet, sepse ka me shkuem porsi luleja e barit.
11 Sepse leu dielli bashkë me vapënë, edhe thau barinë, edhe luleja e ati ra, edhe bukuria e faqes’ ati hupi; kështu edhe i pasuni ka me u vyshkunë nd’udhët të veta.
12 Lum ai nieri qi duron ngasëje, se si të provohetë ka me marrë kunorën’ e jetësë, qi ua ka zotuem Zoti atyneve qi duen’ ate.
13 Kur të ngitetë kushi, le të mos thotë, se ngitetë prei Perëndiet; sepse Perëndia s’ngitetë prei së këqish, edhe ai s’nget kend.
14 Por gjithë-se-cilli ngitetë tue u tërhiekun’ e tue u gënjyem prei dëshërimit,
15 mbasandai dëshërimi mbarset’ e piell fajinë, edhe faji si të bahetë, piell vdekënë.
16 Mos gënjehi, o vëllazënit’ e mi të dashunë.
17 Qish-do e dhan’ e mirë, edhe qish-do dhunëti e kullutë ashtë prei së nalti, edhe sdrip prei Atit dritavet, qi mb’ate s’ka të ndërrueme, a të këthyeme hieje.
18 Prei dashunimit vet na puell me fjalën’ e së vërtetësë, qi të jemi nji pem’ e parë e krietyravet ati.
19 Përandai, o vëllazënit’ e mi të dashunë, qish-do nieri le të jet’ i shpeitë mbë të ndëgjuemit, i vonë mbë të folunit, i vonë mbë zemërim,
20 sepse zemërimi i nieriut s’punon dreitënin’ e Perëndisë.
21 Përandai si të hethni tej qish-do palavi e të tepruemit’ e së keqesë, pritni me butësinë fjalënë qi ka bimë ndër ju, qi ajo mundetë me shpëtuem shpirtënatë tuei.
22 Edhe bahi asish qi e bajënë fjalënë, e jo vetëm’ asish qi e ndëgjojënë, tue gënjyem vetëhenë tuei.
23 Sepse ndë ndëgjoftë kushi fjalënë, e të mos e bajë, kyi i përgjan nji nieriu qi shikon faqen’ e vetiut ndë pasqyrët,
24 sepse e shikoi vetëhenë, edhe iku, edhe përnjiherë e harroi se si ishte.
25 Por ai qi ulet’ e shikon ndë të kullutënë ligjën’ e së lirësë, edhe qindron mb’ate , kyi si të bahetë jo asi qi ndëgjon e harron, por asi qi ban punënë, kyi ka me qenun’ i lumunë ndë punët të vet.
26 Ndë duketë kush ndër ju se asht’ i feshim, edhe s’i ve fre gjuhësë vet, por gënjen zemërën’ e vet, feja e këti asht’ e kotë.
27 Feja e këthiellët’ edhe e papugame për-anë Perëndisë edhe Atit ashtë këjo: Me vum’ ore të vorfën e gra të veja ndë shtrëngimt t’atyne, me rueitunë vetëhenë të pa-shgryem prei botet.