Rënia e Babilonisë
1 Pastaj pashë një engjëll tjetër që po zbriste nga qielli. Ai kishte pushtet të madh dhe toka u ndriçua nga lavdia e tij. 2 Atëherë engjëlli thirri me zë të lartë:
«Ra, ra
Babilonia e madhe!
Ra e u bë banesë djajsh,
strofull e çdo shpirti të ndyrë,
shpendi të papastër
e bishe të fëlliqur e të urryer.
3 Me verën e zemërimit të kurvërisë së saj
u dehën gjithë kombet.
Mbretërit e tokës bënë kurvëri me të,
ndërsa tregtarët e tokës u pasuruan
me kamjen e saj të shfrenuar».
4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli që tha:
«Populli im, dilni prej saj,
që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj
e të mos merrni plagë
nga plagët e saj.
5 Se, mëkatet e saj arritën deri në qiell
dhe Perëndia i kujtoi padrejtësitë e saj.
6 Silluni me të siç u soll ajo me ju,
shpërblejani dyfish veprat,
ndërsa kupën që ju dha të pini,
mbushjani dy herë më shumë.
7 Jepini asaj po aq mundim e vajtim,
sa i dha lavdi e kamje vetes,
ajo që vazhdon të thotë në zemrën e vet:
“Unë rri ulur si mbretëreshë,
nuk jam vejushë,
nuk do të shoh kurrë vajtim me sy”.
8 Prandaj në një ditë të vetme do të mblidhen plagët e saj:
vdekja, vajtimi e zia e bukës.
Ajo do të digjet e tëra në zjarr,
se Zoti Perëndi që e gjykon është i fuqishëm.
9 Mbretërit e tokës, që bënë kurvëri me të dhe dëfryen me kamjen e saj, do ta qajnë e do të vajtojnë kur të shohin tymin e flakëve të saj. 10 Ata do t'i qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj e do të thonë:
“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,
o qytet i fortë, Babiloni,
se brenda një ore të erdhi ndëshkimi!”.
11 Tregtarët e tokës do të qajnë e do të vajtojnë për të, sepse askush nuk ua blen më mallin, 12 mall prej ari e argjendi, gurë të çmuar e margaritarë, pëlhura liri e purpuri, mëndafshi e të kuqe, si dhe gjithfarë drurësh erëmirë e gjithfarë sendesh fildishi e druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri e mermeri, 13 kanellë e parfume, temjane, mirrë e livandë, verë e vaj, majë mielli e grurë, gjedhë e dhen, kuaj e qerre, trupa e shpirtra njerëzish. 14 Ata do t'i thonë:
“Gjithë të mirat që dëshironte shpirti yt
ikën,
gjithë pasuritë e madhështitë
morën fund
e nuk do t'i gjesh më”.
15 Tregtarët që u pasuruan prej saj do të qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj, do të qajnë e do të vajtojnë 16 duke thënë:
“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,
veshur me li të purpurt e të kuq,
zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë,
17 se gjithë kjo pasuri u shkretua për një orë!”.
Të gjithë kapitenët e anijeve dhe udhëtarët, detarët dhe ata që punonin në lundrim qëndronin larg 18 e thërrisnin duke parë tymin e flakëve të saj: “Cili qytet ngjan me qytetin e madh?”. 19 Hidhnin dhe mbi kokë e thërrisnin, duke qarë e duke vajtuar:
“Mjerë!
Mjerë qyteti i madh,
me pasurinë e të cilit
të gjithë ata që kishin anije në det!
u pasuruan.
Mjerë, se u shkretua për një orë”.
20 Gëzohu për shkatërrimin e saj, o qiell!
Gëzohuni edhe ju të shenjtë,
apostuj e profetë,
se Perëndia e gjykoi
për të keqen që ju bëri».
21 Pastaj një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh sa një gur mulliri, e hodhi në det e tha:
«Po kaq furishëm
do të hidhet tej
edhe Babilonia, qyteti i madh,
e nuk do të gjendet kurrë më.
22 Tingulli i harpave e i muzikantëve,
fyelltarëve e trumbetarëve,
nuk do të dëgjohet më te ti.
Asnjë mjeshtër,
i çfarëdo mjeshtërie,
nuk do të gjendet më aty
edhe zhurma e mullirit
nuk do të dëgjohet më kurrë.
23 Drita e pishtarit
nuk do të ndriçojë më
e nuk do të dëgjohet më
as zë dhëndri e as zë nuseje.
Tregtarët e tu
të mëdhenjtë e tokës ishin,
me magjinë tënde
u mashtruan të gjitha kombet.
24 Në ty u gjet gjak profetësh e të shenjtësh,
gjaku i të gjithë atyre që u vranë mbi tokë».
KAPTINA XVIII.
1 Edhe mbaskëndai pashë nji engjullë tue sdripunë prei qielli, qi kishte pushtet të math; edhe dheu u ndriçue prei lavdis’ ati.
2 Edhe thërriti fort me za të math, e tha: “Ra, ra Babylona” e madhe, edhe u ba të ndenjunit’ e diajvet, edhe burgu i qish-do farë shpirti të ndytë, edhe burgu i qish-do farë shpende të ndytë, e të marrëme mëni,
3 sepse gjithë kombetë pinë prei venësë zemërimit kurvënis’ asai, edhe rigat’ e dheut kurvënuenë bashkë me ate, edhe tregjetarët’ e dheut u banë të pasunë prei fuqisë dëshërimit asai.
4 Edhe ndëgjova nji tietër za prei qielli qi thoshte: Delni prei asai, populli em, qi të mos keni piesë ndër fajet t’asai, edhe qi të mos merrni prei plagëvet asai,
5 sepse fajet’ e asai e mbërrinë qysh mbë qiell, edhe Hyji kujtoi të paudhat’ e asai.
6 Paguenia asai sikurse edhe ajo ua pagoi juve, edhe paguenia asai dy fijsh mbas punëvet asai; me ate potirinë qi qiti, qitnia dy fijsh.
7 Sa lavdoi vetëvetëhenë edhe nxuer dëshëriminë, kaqi mundim e vajë epni asai, sepse thotë me zemërën’ e vet: Po rrij regjëneshë, edhe nukë jam e ve, edhe s’kam me bamë vajë.
8 - Përandai nji ditë kanë për me i ardhunë plagët’ e asai, vdekë edhe vajë edhe zi buke ; edhe ka me u diegunë ndë ziarrm, sepse Zoti Hyj qi gjukon ate asht’ i fortë.
9 Edhe kanë me qjamë për ate, e kanë me u ndukunë për ate rigat’ e dheut, ata qi kurvënuen’ edhe nxuernë dëshëriminë bashkë me ate, kur të shofinë tymin’ e të diegunit asai,
10 ndenjun’ ata prei së largu prei frikësë mundimit asai, tue thanë: Mier, mier qytet’ i math, Babylona, qytet’ i fortë, se gjyqi yt erdhi për nji orë.
11 Edhe tregjetarët’ e dheut qjajën’ e bajënë vajë, se askushi s’u blen ma barrët’ e atyne:
12 barrë ari e argjandi, e gurë të nderëshimish, e margaritarësh, e pëlhure të hollë, e porfyre, e mëndafshi, e të kuqeje, edhe qish-do dru thjine, e qish-do enë elefandinë, e qish-do enë prei druje të nderëshime, e rami, e hekuri, e mermeri,
13 edhe kanellë, e qemna, e voj ere, e livan, e venë, e voj, e semidhallë, e grunë, edhe gja të gjalla, e dhen, e kual, e qerre, e shërbëtorë, e shpirtëna njerëzish.
14 Edhe pemët’ e dëshërimit shpirtit t’yt iknë prei teje, edhe gjithë të majëmet’ e të shkëlqyeshimet’ iknë prei teje, edhe s’ke për me i gjetunë ma.
15 Tregjetarët’ e këtyneve qi u banë të pasunë prei asai, kanë me ndenjunë prei së largu prei frikësë mundimit asai, tue qjam’ e tue bamë vajë,
16 e tue thanë: Mier, mier qytet’ i math, qi ishte veshunë me vishnje e me porfyrë e me të kuq, edhe përaruem me ar e me gurë të nderëshim e me margaritarë, sepse për nji orë u shkretue kaqi gja.
17 Edhe qish-do guvernor barke, edhe qish-do shumicë qi ashtë mbi barkët, e detarë, edhe gjithë sa punojënë detinë ndenjunë për së largu,
18 edhe thërritshinë, kur shifshinë tymin’ e së diegëmes’ asai, tue thanë: Cilli qe porsi kyi qytet i math?
19 Edhe hothnë pluhunë mbi krenët të vet, edhe thërritshinë tue qjam’ e tue bamë vajë, e thoshinë: Mier, mier qytet’ i math, qi nd’ate u banë të pasunë prei nderit asai gjith’ ata qi kishinë barka ndë det; për nji orë u shkretue.
20 Gëzohu për ate, o qiell, edhe shenjtënit’ apostuj edhe profetënitë, sepse Hyji gjukoi gjyqinë tuei kundrë asai.
21 Edhe nji engjull’ i fortë ngriti nji gur, porsa nji gur mullinë të math, edhe e hodhi në det, tue thanë: Kështu do të hidhetë me hof Babylona qytet’ i math, edhe s’ka me u gjetunë ma.
22 Edhe za qitharorësh e musikorësh e fyllorësh e trumbetë-ranësish s’kanë me u ndëgjuem ma te ti; edhe qish-do mieshtër prei qish-do farë mieshtrie s’ka me u gjetunë ma te ti; edhe za mullini s’ka me u ndëgjuem ma te ti;
23 edhe dritë kandili s’ka me ndritunë ma te ti; edhe za dhandërri e nuseje s’ka me u ndëgjuem ma te ti, sepse tregjetarët’ e tu ishinë të mëdhejt’ e dheut, sepse gjithë kombet’ u gënjyenë prei magjisë s’ate.
24 Edhe nd’ate u gjet gjak profetënash, edhe shenjtënash, edhe gjith’ atyneve qi janë therunë mbë dhet.