Lutuni për ne
1 Së fundi, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet e të përlëvdohet ashtu siç ndodhi edhe mes jush. 2 Lutuni edhe që të shpëtojmë nga njerëzit e mbrapshtë e të ligj, sepse jo të gjithë besojnë në Perëndinë. 3 Por Zoti është besnik dhe do t'ju forcojë e do t'ju ruajë nga i ligu. 4 Zoti na bën të kemi besim se ju po i bëni dhe do të vazhdoni t'i bëni gjërat për të cilat ju kemi porositur. 5 Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Perëndisë e në durimin e Krishtit.
Paralajmërim kundër përtacisë
6 Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largoheni nga çdo vëlla që jeton në përtaci e jo sipas traditës që morët prej nesh. 7 Dhe ju e dini sesi duhet të na shkërbeni ne, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush 8 e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt.
9 Ne e kemi pushtetin për ta bërë këtë, por vepruam kështu që të na shkërbeni ne. 10 Edhe kur ishim me ju, ju porositëm se ai që nuk dëshiron të punojë, as të mos hajë. 11 Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merren me gjëra të kota. 12 Këta i porosisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t'i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës. 13 Ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.
14 Nëqoftëse ndokush nuk i bindet fjalëve që po ju shkruajmë në këtë letër, shënojeni këtë njeri e mos u shoqëroni me të në mënyrë që ai të turpërohet. 15 Megjithatë, mos e shihni si armik, por qortojeni si vëlla.
Bekimi
16 Vetë Zoti i paqes ju dhëntë paqen gjithnjë e në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë!
17 Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali. Kjo është shenja ime në çdo letër. Kështu shkruaj unë.
18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë!
KAPTINA III.
1 Së mbrapëni, o vëllazën, fali për ne, qi të eci fjala e Zotit, edhe të lavdohetë, sikurse edhe te ju,
2 edhe qi të shpëtoimë prei nierëzëvet kotë e të këqi, sepse nukë janë të gjithë besëtarë,
3 por besëtar ashtë Zoti, qi ka me u forcuem juve, e ka me u rueitunë prei së keqit.
4 Edhe kemi shpëresë mbë ju me anë të Zotit, se ato qi u porositëm juve, edhe i bani, edhe keni me i bamë.
5 Edhe Zoti dreitoftë zemëratë tueja ndë dashuni, edhe ndë durim të Krishtit.
6 Edhe u porosisimë juve, o vëllazën, mb’emënë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit, të mërgohi prei qish do vëllai qi ecën pa udhë, edhe jo mbas asai porosisë qi muer prei nesh.
7 Sepse ju e dini, se si duhetë me na marrë mbrapa, sepse nuk’ u prum pa udhë ndër ju,
8 as bukë nukë hangrëm dhunëti prei kuit, por me mundim e me fëdigë, tue punuem nat’ e ditë, qi të mos i bahemi barrë ndonjianit prei jush.
9 Jo se s’kemi pushtet, por qi t’apimë vetëhenë t’onë shëmbëllëtyrë për me na marrë mbrapa.
10 Sepse edhe kur ishim te ju, këte u porositëm juve, se ndë mos dashtë kushi me punuem, as le të mos hajë.
11 Sepse ndëgjoimë disa vetë ndër ju tue ecunë pa udhë, edhe nukë punojnë kreit, por sillenë rrotullë me vum’ ore punë të kota.
12 Edhe të tillëtë nierës i porosisim’ e i mësoimë për Zotinë t’anë Iesu Krishtinë, të hanë bukën’ e vet tue punuem me urti.
13 Por ju, o vëllazën, mos lodhi tue bamë mirë.
14 Edhe ndë mos i ndëgjoftë kushi fjalësë t’onë shkruem me anë të kësai letërësë, shënonia ate, edhe mos bashkohi me atë, qi t’i vijë turp,
15 por mos e vini ore ate si anëmik, por mësonia si vëlla.
16 Edhe vetë Zoti i paqtimit u dhashtë juve paqtiminë kurdo me qish do mëndyrë. Zoti qoftë bashkë me ju të gjithë.
17 Të falunitë me shëndet u shkrue me dorënë t’eme të Paulit, qi ashtë shenjë mbë qish do letërë, kështu shkruej.
18 - Hiri i Zotit t’ynë Iesu Krishtit qoftë bashkë me ju të gjithë. Amen.
E dyta (letërë) mbë Thessalonikanët u shkrue prei Athine .