1 Jezui shkoi në malin e Ullinjve. 2 Në të gdhirë, u kthye përsëri në tempull dhe i gjithë populli shkonte pranë tij. Ai u ul e mësonte njerëzit.
3 Atëherë shkruesit dhe farisenjtë i çuan një grua që ishte kapur duke bërë tradhti bashkëshortore dhe, pasi e vunë në mes, 4 i thanë: «Mësues, kjo grua u kap duke bërë tradhti bashkëshortore. 5 Në ligj Moisiu na ka urdhëruar t'i vrasim me gurë gra të tilla. Po ti, ç'thua?». 6 Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul e filloi të shkruante me gisht në tokë. 7 Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!». 8 Pastaj u ul përsëri e shkruante në tokë.
9 Kur e dëgjuan këtë, ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes. 10 Jezui u ngrit e i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?». 11 Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më që tani e tutje!».
Drita e botës
12 Atëherë Jezui foli përsëri me ta e u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». 13 Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». 14 Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj. 15 Ju gjykoni sipas dobësisë njerëzore, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. 16 Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. 17 Në ligj shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. 18 Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». 19 Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim».
20 Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.
Udha e Jezuit drejt lartësimit
21 Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj e ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë». 22 Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini ku po shkoj unë”?». 23 Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë. 24 Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja». 25 Ata i thanë: «Kush je ti?». Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam. 26 Kam shumë për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë i them botës ato që dëgjova prej tij». 27 Ata nuk e kuptuan se po u fliste për Atin.
28 Atëherë Jezui u tha: «Kur ta keni lartësuar Birin e njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nuk bëj asgjë nga vetja, por flas si më mësoi Ati. 29 Ai që më dërgoi është me mua e nuk më ka lënë vetëm, sepse unë bëj gjithnjë çfarë i pëlqen atij».
30 Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu.
E vërteta të bën të lirë
31 Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi, 32 do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë». 33 Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?». 34 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit. 35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë. 36 Nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.
37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. 38 Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj».
Bij të Abrahamit apo të djallit?
39 Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami». Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij. 40 Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë. 41 Ju bëni veprat e atit tuaj».
Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë». 42 Jezui u tha: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi. 43 Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time. 44 Ati juaj është djalli e ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi e nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. 45 Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni.
46 Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni? 47 Kush është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë».
Jezui dhe Abrahami
48 Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan e ke djallin?». 49 Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni. 50 Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon e se kush gjykon. 51 Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë».
52 Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu edhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”. 53 A mos je ti më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?». 54 Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon. 55 Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. 56 Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua». 57 Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?». 58 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam». 59 Ata morën gurë për t'i gjuajtur, por Jezui u fsheh e doli nga tempulli .
KAPTINA VIII.
1 Edhe Iesui vote ndë Malt të Ullivet.
2 Edhe heret me natie erdhi për-së-ri ndë tempull, edhe gjithë populli erthnë tek ai, edhe ai ndejti e i mësonte.
3 Edhe Shkruisit’ e Fariseit’ i bijënë nji grue zanë ndë kurvëni; edhe si e vunë ndë miedis,
4 i thonë: Mieshtër, këjo grue ashtë zanë mbi punët tue kurvënuem.
5 Edhe Moiseu na ka porositunë ndë ligjët, të cillatë me u rrafunë me gurë, qish thue ti pra?
6 Edhe thoshinë këte, tue ngam’ ate, qi të kenë fjalë me e përfolunë. Por Iesui u ul poshtë, e shkrunte me gisht mbi dhet.
7 Edhe mbassi qindrojshinë tue pyetun’ ate, u ngrit, e u tha atyne: Cilli prei jush të jetë pa faj, ai ma përpara le të hedhi gurinë mbi ate.
8 Edhe për-së-ri u ul poshtë, e shkrunte mbi dhet.
9 Edhe ata kur ndëgjuenë këte , shaheshinë prei ndërgjegjiesë, edhe dilshinë jashtë nji ka nji, zanë fillë çë prei pleqsh qysh mbë të mbrapmit; edhe Iesui mbeti vetëmë, edhe grueja tue ndenjunë ndë miedis.
10 Edhe Iesui si u ngrit, edhe nukë pa askend, veç gruenë, i tha: Grue, ku jan’ ata qi të përflishinë? Askushi nukë të mundoi?
11 Edhe ajo tha: Askushi, Zot. Edhe Iesui i tha: As unë nukë të mundoj; shko, edhe mos ban faj ma.
12 Iesui pra për-së-ri u foli atyne, tue thanë: Unë jam drita e botësë; ai qi vien mbrapa mejet, s’ka me ecunë nd’errësinët, por ka me pasunë dritën’ e jetësë.
13 Fariseitë pra i thanë: Ti deshmon për vetëvetëhenë; deshmia jote nuk’ asht’ e vërtetë.
14 Iesui u përgjeq e u tha atyne: Edhe unë ndë deshmofsha për vetëvetëhenë, deshmia eme asht’ e vërtetë, sepse e dij prei kah erdha, e ku vete; por ju s’dini prei kah erdha, e ku vete.
15 Ju gjukoni mbas mishit, unë nukë gjukoj askend.
16 Por edhe ndë gjukofsha unë, gjyqi em asht’ i vërtetë, sepse nukë jam vetëmë, por un’ edhe Ati qi më dërgoi.
17 Edhe ashtë shkruem ndë ligjët tuei, se deshmia prei dy nierëzish asht’ e vërtetë.
18 Unë jam ai qi deshmoj për vetëvetëhenë, edhe Ati qi më dërgoi deshmon për mue.
19 I thoshinë pra: Ku asht’ yt-Atë? Iesui u përgjeq: As mue s’më dini, as t’em Atë; ndë më dishitë mue, kishinë me ditun’ edhe t’em Atë.
20 Këto fjalë foli Iesui ndë vend të thesorit, tue mësuem ndë tempull; edhe askushi nuk’ e zuni; sepse edhe s’kishte ardhun’ ora.
21 Iesui pra u tha për-së-ri atyne: Unë po vete, edhe keni me më kërkuem, edhe keni me vdekunë ndë fajt tuei; atie ku vete unë, ju s’mundeni me ardhunë.
22 Iudeitë thoshinë pra: Mos ka me vramë vetëvetëhenë? Përandai thotë: Atie ku vete unë, ju s’mundeni me ardhunë.
23 Edhe ai u tha atyne: Ju jeni prei së poshtash; unë jam prei së naltash; ju jeni prei kësai bote; unë s’jam prei kësai bote.
24 U thashë juve pra, se keni me vdekunë ndë fajet tueja, sepse ndë mos besofshi se unë jam, keni me vdekunë ndë fajet tueja.
25 I thoshinë pra: Cilli je ti? Edhe Iesui u tha atyne: Ate qi u thashë juve çë përpara herësë.
26 Shumë kam për me than’ e për me gjukuem për ju, por ai qi më dërgoi asht’ i vërtetë: edhe unë sa ndëgjova prei ati, këto i thom botësë.
27 - Nukë merrshinë vesht se u thoshte atyne për Atinë.
28 Iesui pra u tha atyne: Kur të ngreni të birin’ e nieriut, atëherë keni me u ngjofunë se unë jam, edhe nukë baj asgja prei vetëhesë s’eme; por sikurse më mësoi em Atë, këto flas.
29 Edhe ai qi më dërgoi ashtë bashkë me mue, Ati nukë më ka lanë vetëmë, sepse unë baj përherë ato qi i pëlqejnë.
30 Ai tue folunë këto, shumë vetë i besuenë.
31 Iesui u thoshte pra atyne Iudevet qi i kishinë besuem: Ndë mbetshi ju ndë fjalët t’eme, jeni për të vërtet dishepujt’ e mi;
32 edhe keni me ngjofunë të vërtetënë, edhe e vërteta ka me u dëlirë juve.
33 Iu përgjeqnë: Jemi fara e Abrahamit, edhe nuk’ u kemi bamë kurrë shërbëtorë askuit; si thue ti, se: - Keni me u bamë të dëlirë?
34 Iesui u përgjq atyne: Me të vërtet, me të vërtet po u thom juve, se kushdo qi ban fajinë, ashtë shërbëtor i fajit.
35 Edhe shërbëtori nukë mbet ndë shtëpi për gjithë monë; por biri mbet për gjithë monë.
36 Ndë u dëlirtë juve pra Biri, për të vërtet keni me qenunë të dëlirë.
37 E dij se jeni fara e Abrahamit; por kërkoni me më vramë, sepse fjala eme nukë ze vend ndër ju.
38 Unë flas qish kam pamë për-anë t’im et; edhe ju kështu bani qish keni pamë prei atit tuei.
39 U përgjeqnë e i thanë: Ati yn’ asht’ Abrahami. Iesui u thot’ atyne: Ndë qofshi dielmt’ e Abrahamit, kishitë me bamë punët’ e Abrahamit.
40 Por tashti kërkoni me më vramë, nieri qi u fola juve të vërtetënë qi ndëgjova prei Perëndisë; Abrahami nukë bani këte.
41 Ju bani punët’ e atit tuei. I thanë pra: Na s’kemi lemë prei kurvënie, kemi nji Atë, Perëndinë.
42 Iesui u tha atyne pra: Perëndia ndë ishte ati juei, do të më doishitë, sepse unë dola prei Perëndisë, edhe vij prei ati , sepse nuk’ erdha prei vetëhesë s’eme, por ai më dërgoi.
43 Përse nukë ngjifni të folunitë t’em? Sepse s’mundeni me ndëgjuem fjalënë t’eme.
44 Ju jeni prei atit diallit, edhe doni me bamë dëshërimet’ e atit tuei. Ai ishte çë përpara herësë nieri-vrasës, edhe nukë mbet ndë të vërtetënë, sepse e vërteta nuk’ ashtë nd’ate. Kur flet rrenënë, flet prei së vetash, sepse ashtë rrenës, edhe ati i asai rrenësë .
45 Por unë sepse thom të vërtetënë, nukë më besoni.
46 Cilli prei jush më qirton për faje? Por ndë thom të vërtetënë, përse s’më besoni ju?
47 Ai qi ashtë prei Perëndisë, ndëgjon fjalët’ e Perëndisë; përandai ju nukë ndëgjoni, sepse nukë jeni prei Perëndisë.
48 Iudeitë pra u përgjeqnë e i thanë: Nukë jemi mirë na, se ti je Samaritan, edhe ke diallinë?
49 Iesui u përgjeq: Unë nukë kam diallinë, por nderoj t’em Atë, edhe ju më shpërnderoni.
50 Edhe unë s’kërkoj laftinë t’em; asht’ ai qi kërkon, edhe qi gjukon.
51 Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve: - Ndë rueitë kushi fjalënë t’eme, s’ka me pamë vdekë për gjithë jetënë.
52 Iudeitë pra i thanë: Tashti e muerëm vesht se ke diallinë. Abrahami vdiq, edhe profetënitë, edhe ti thue: - Ndë rueitë kushi fjalënë t’eme, s’ka me ngranë vdekë për gjithë jetënë.
53 Mos je ti ma i math se ati ynë Abrahami, i cilli vdiq? Edhe profetënitë vdiqnë; cillin’ e ban vetëhenë ti?
54 Iesui u përgjeq: Unë ndë lavdofsha vetëvetëhenë, lafti em nuk’ ashtë Perëndia juei;
55 edhe s’e keni ngjoftunë; por un’ e ngjof; edhe ndë thansha, se nuk’ e ngjof, kam me qenunë porsi ju, rrenës, por e ngjof, edhe ruej fjalën’ e ati.
56 Abrahami ati juei gëzohei me pamë ditënë t’eme, edhe e pa, edhe u gëzue.
57 Iudeitë pra i thanë: Pesë-dhetë viet edhe s’i ke, edhe ke pamë Abrahaminë?
58 Iesui u tha atyne: Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve - Unë jam para se të lejë Abrahami.
59 Ngritnë pra gurë për me siellë mbi ate, por Iesui u mpshef, edhe duel prei tempullit, e shkoi për miedis t’atyneve, edhe kështu iku.