Udha, e vërteta dhe jeta
1 «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t'ju thosha se po shkoj t'ju bëj gati vendin. 3 Kur të shkoj e t'ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri e do t'ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë. 4 Ju e dini udhën për ku po shkoj unë».
5 Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?». 6 Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje. 7 Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë».
8 Filipi i tha: «Zot, na trego Atin e kjo na mjafton». 9 Jezui i tha: «Ka kaq kohë që jam me ju e nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin?”. 10 Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra. 11 Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave. 12 Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do t'i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14 Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj».
Premtimi i Shpirtit të shenjtë
15 «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. 16 Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, 17 Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t'ju lë jetimë. Do të vij te ju. 19 Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni, sepse jetoj unë. 20 Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju.
21 Kush i ka urdhërimet e mia e i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua e do t'i shfaqem». 22 Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» 23 Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë e do të banojmë tek ai. 24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi.
25 Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. 26 Ngushëlluesi, Shpirti i shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë gjithçka e do t'ju kujtojë gjithçka që ju thashë.
27 Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet!
28 Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj e do të vij përsëri te ju”. Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. 29 Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. 30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. 31 Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin e bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj.
Ngrihuni të ikim prej këtej!».
KAPTINA XIV.
1 Le të mos përzihetë zemra juei: besoni Perëndisë, besoni edhe mue.
2 Ndë shtëpit të t’im et janë shumë të ndenjunë; edhe ndë mos ishinë , kishiem me u thanë juve: Vete me u bamë juve gati vend.
3 Edhe si të vete e t’u baj juve gati vend, vij për-së-ri, edhe kam me u marrë juve për-anë vetëvetëhesë, qi të jeni edhe ju atie ku jam unë.
4 Edhe atie ku vete unë e dini, edhe udhën’ e dini.
5 Thomai i thotë: Zot, nukë dimë se ku vete; edhe si mundemi me ditun’ udhënë?
6 Iesui u thotë: Unë jam udha, edhe e vërteta, edhe jeta; askushi s’vien tek Ati, veç prei anësë s’eme.
7 Ndë kishitë ngjofunë mue, do të kishitë ngjofun’ edhe t’em-Atë; edhe çë tashti e ngjifni, edhe e keni pamë.
8 Filippi i thotë: Zot, diftona Atinë, edhe na mbaston.
9 Iesui i thotë: Kaqi kohë jam bashkë me ju, edhe s’më ke ngjofunë, Filipp? Ai qi ka pamë mue, ka pamë Atinë; e qysh thue ti - Diftona Atinë?
10 Nukë beson se unë jam tek Ati, edhe Ati ashtë tek unë? Fjalatë qi u flas unë juve, nuk’ i flas prei vetiut, por Ati qi mbet tek unë, ai ban punëtë.
11 Më besoni se unë jam tek Ati, edhe Ati ashtë tek unë, por ndë mos, më besoni për ato punët.
12 Për të vërtet, për të vërtet po u thom juve: Ai qi beson mue, ka me bam edhe ai ato punëtë qi baj unë; edhe ka me bamë ma të mëdha se këto; sepse unë vete tek Ati.
13 Edhe qish të lypni mb’emënit t’em, kam me e bamë, për me u lavduem Ati te Biri.
14 Ndë lypshi gja mb’emënit t’em, unë kam me e bamë.
15 Ndë më doni, rueni porosiat’ e mia.
16 Edhe unë kam me iu lutun’ Atit, edhe ka me u dhanë juve nji tietër Ngushullimtar, qi të mbesi bashkë me ju për gjithë jetënë,
17 Shpirtin’ e së vërtetësë, të cillinë bota s’mundetë me e marrë, sepse nuk’ e shef, as nuk’ e ngjef, por ju e ngjifni; sepse mbet për-anë jush, edhe ka me qenunë ndër ju.
18 S’kam me u lanë juve të vorfënë: vij te ju.
19 Edhe nji pikë herë , edhe bota nukë me shef ma; por ju më shifni, sepse unë rroj, edhe ju keni me rruem.
20 Nd’atë ditë ju keni me e ngjofunë, se unë jam tek em-Atë, edhe ju tek unë, edhe unë te ju.
21 Ai qi ka porosiat’ e mia, edhe i ruen, kyi asht’ ai qi më do; edhe ai qi më do, ka me u dashunë prei t’im et, edhe unë kam me e dashunë, edhe kam me diftuem vetëvetëhenë tek ai.
22 Iuda i thotë (jo Iskarioti): Zot, qish u ba qi ke me diftuem vetëvetëhenë te na, edhe jo te bota?
23 Iesui u përgjeq e i tha: Ndë më dashtë kushi, ka me rueitunë fjalënë t’eme, edhe em Atë ka me e dashunë, edhe kemi me ardhunë tek ai, edhe kemi me bamë të ndenjunë tek ai.
24 Ai qi nukë më do, nukë ruen fjalët’ e mia; edhe ajo fjala qi ndëgjoni, nuk’ asht’ emeja, por e Atit qi më dërgoi.
25 Këto u fola juve, sa gjindem bashkë me ju.
26 Por Ngushullimtari, Shpirti Shenjt, të cillinë ka me e dërguem Ati mb’emënit t’em, ai ka me e mësuem juve të gjitha, edhe ka me u prumë juve ndër mend gjithë sa u kam thanë juve.
27 Po u la juve paqtim, po u ap juve paqtiminë t’em, jo sikurse e nep bota, ua nap unë juve. Zemëra juei le të mos përzihetë, as mos frikohetë.
28 Ndëgjuetë se un’ u thashë juve: Vete, edhe vij te ju; ndë më dojshitë, kishitë me u gëzuem se u thashtë juve: Vete tek Ati, sepse em At’ ashtë ma i math se unë.
29 Edhe u thashë juve tashti, para se të bahetë, qi të besoni kur të bahetë.
30 Nukë do të flas ma shumë bashkë me ju, sepse po vien urdhënari i kësai bote, edhe s’ka me bamë asgja me mue.
31 Por qi ta ngjofi bota, se due Atinë, edhe sikurse më porositi Ati, kështu baj. Çohi, le të vemi prei këndyi.