Ligji apo besimi
1 O galatas të marrë, kush jua mori mendtë si me magji juve, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? 2 Vetëm këtë dua të marr vesh prej jush, a e morët Shpirtin falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? 3 Kaq të marrë qenkeni? Pasi filluat të jetonit në Shpirtin, tani po përfundoni në një jetë sipas trupit njerëzor? 4 Më kot i përjetuat gjithë këto gjëra? A thua vërtet më kot? 5 Ai, pra, që ju jep Shpirtin e vepron me fuqi ndër ju, a mos i bën këto falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit?
6 Kështu Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.
7 Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bij të Abrahamit. 8 Prandaj Shkrimi, duke paraparë se Perëndia do t'i bënte të drejta kombet përmes besimit, ia dha Abrahamit që më parë lajmin e mirë: gjithë kombet do të bekohen në ty. 9 Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besëtarin Abraham.
10 Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. 11 Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit.
12 Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. 13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. 14 Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit.
Ligji dhe premtimi
15 Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. 16 Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi nuk thotë: «Edhe pasardhësve » si për shumë të tillë, por për një të vetëm: «Dhe pasardhësit tënd » që është Krishti. 17 Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. 18 Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, 20 por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm.
Skllevërit dhe bijtë
21 A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. 22 Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin.
23 Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. 24 Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. 25 Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin.
26 Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. 27 Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. 28 Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. 29 Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.
KAPTINA III.
1 O të marrë Galatianë, kush u muer mbë sy, për mos me u bintunë mbë të vërtetënë, qi përpara sysh tuei Iesu Krishti qe shkruem ndër ju i kryqëzuem?
2 Veçe këte due me marrë vesht prei jush: Prei punës ligjës’ e muertë Shpirtinë, a prei së ndëgjuemesë besësë?
3 Kaqi të marrë jeni? E filluetë me shpirt, tashti e mbaroni me mish?
4 Kot pësuetë kaqi punë, ndë qoftë se vetëmë kot.
5 Ai pra qi u ep juve Shpirtinë, edhe vepëron fuqia ndër ju, prei punës ligjës’ i ban këto , a prei së ndëgjuemesë besësë?
6 Sikurse “Abrahami i besoi Perëndisë, edhe iu numërue për dreitëni”.
7 Dinia pra, se ata qi janë prei besësë, këta janë të bijt’ e Abrahamit.
8 Edhe shkronja tue pamë çë përpara, se Perëndia nxier kombetë të dreitë prei besësë, i dha za Abrahamit çë përpara: “Se gjithë kombetë kanë me u bekuem mbë tyi”.
9 Përandai ata qi janë prei besësë kanë me u bekuem bashkë me besëtarin’ Abraham.
10 Sepse ata qi janë prei punës ligjësë, janë ndënë mallëkim, sepse ashtë shkruem: “I mallëkuem ashtë cilli-do qi s’qindron mbë gjith’ ato qi janë shkruem ndë libër të ligjësë, për me i bam’ ato”.
11 Edhe se askushi s’del i dreitë me anë të ligjësë përpara Perëndisë, ashtë shpërfaqunë, sepse i dreiti ka me rruem prei besësë;
12 edhe ligja s’ashtë prei besësë, por “ai nieri qi ban ato, ka me rruem prei atyneve”.
13 Krishti na shpërbleu prei mallëkimit ligjësë, mbassi u ba mallëkim për ne. (Sepse ashtë shkruem: “I mallëkuem ashtë cilli-do qi viretë mbi drut”.)
14 Qi të vijë bekimi Abrahamit ndër kombet me anë të Iesu Krishtit, qi të marrinë të zotuemen’ e Shpirtit me anë të besësë.
15 O vëllazën, si nieri flas, por edhe dhiatën’ e nieriut qi ashtë lidhunë, askushi s’e heth poshtë, a shton gja mb’ate.
16 Edhe të zotuemet iu folnë Abrahamit edhe farës’ ati; nukë thotë: Edhe faravet, si për shumë, por si për nji, “Edhe farësë s’ate” qi ashtë Krishti.
17 Edhe këte e thom, se dhiatënë qi qe lidhunë çë përpara prei Perëndisë mbë Krishtinë, ligja qi qe mbas katër qind e tri-dhetë vieç nuk’ e hedh poshtë, për me prishunë të zotuemenë.
18 Sepse ndë qoftë trashigimi prei ligjësë, nuk’ashtë ma prei së zotuemesë, por Perëndia ia fali këte Abrahamit me anë të zotuemesë.
19 Përse u dha pra ligja? U vu për punë të kapërcyemesë porosivet, deri sa të vinte ajo fara qi i qe zotuem, qi qe urdhënuem prei engjujsh n’dorë laimësi.
20 Edhe laimësi s’asht i njianit vetëmë, por Perëndia ashtë nji.
21 Ligja pra qenëka kundrë të zotuemevet Perëndisë? Qoftë lark! Sepse ndë ishte dhanë ligjë qi mundei me dhanë jetë, atëherë dreitënia kishte me qenunë për të vërtetë prei ligjësë,
22 por shkronja i mbylli bashkë të gjitha ndënë fajinë, qi t’u epetë të zotuemitë prei besësë Iesu Krishtit atyneve qi besojnë.
23 Edhe para se të vinte besa, ruheshim ndënë ligjë, mbyllunë mbrenda nd’ate besë qi kishte për me u sbuluem.
24 Përandai ligja qe mieshtri ynë mbë Krishtinë, qi të dilim të dreitë prei besësë,
25 por si erdhi besa, s’jemi ma ndënë mieshtër.
26 Sepse të gjithë jeni të bijt’ e Perëndisë me anë të besësë qi ashtë mbë Iesu Krishtinë,
27 sepse sa jeni pagëzuem mbë Krishtinë, keni veshunë Krishtinë.
28 Nuk’ ashtë ma Iude, as Grek; nuk’ ashtë ma shërbëtuer, as i lirë; nuk’ ashtë ma mashkull’ e femënë, sepse ju të gjithë jeni nji mbë Iesu Krishtinë.
29 Edhe ndë qofshi ju të Krishtit, vallë jeni fara e Abrahamit, edhe trashigimtarë mbas të zotuemesë.