Mbjellësi
(Mt 13.1-9Lk 8.4-8)1 Jezui filloi përsëri t'i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe, ja, një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit. 2 Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha: 3 «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë 4 e ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. 5 Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, 6 por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa fara të tjera ranë ndër ferra e ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt. 8 Fara të tjera ranë në tokë të mirë e ndërsa rriteshin e zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish».
9 Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13.10-17Lk 8.9-10)10 Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. 11 Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, 12 që,
megjithëse kanë sy për të parë,
të mos shohin,
megjithëse kanë veshë për të dëgjuar,
të mos marrin vesh,
përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia
dhe ai do t'i falte ».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mt 13.18-23Lk 8.11-15)13 Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? 14 Mbjellësi mbjell fjalën. 15 Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta . 16 Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, 17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. 18 Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, 19 por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. 20 Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish».
Drita nën magje
(Lk 8.16-18)21 Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? 22 Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. 23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë».
24 Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju , madje edhe më shumë. 25 Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka».
Fara që rritet
26 Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. 27 Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. 28 Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. 29 Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave».
Fara e sinapit
(Mt 13.31-32Lk 13.18-19)30 Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? 31 Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, 32 por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj».
Dobia e shëmbëlltyrave
(Mt 13.34-35)33 Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. 34 Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet.
Fashitja e stuhisë
(Mt 8.23-27Lk 8.22-25)35 Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». 36 Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. 37 Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. 38 Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». 39 Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. 40 Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». 41 Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».
KAPTINA IV.
1 Mbasandai filloi për-së-ri me mësumë ndaj detinë; ende shumë gjindëje u mbëlothnë ke ai, kaqi sa ai hyni ndë lundrët, ende rrinte ndë det; ende gjithë gjindëja ishte mbë tokë, për-anë detit.
2 Ende mësonte ata me shumë parabulla, ende u thoshte atyne ndë mësimt të vet:
3 Ndëgjoni. Ngje ke dul mbiellësi me mbiellë;
4 ende mbë të mbiellët, njiana ra mb’udhë, ende shpendët’ e qillit erthnë ende e hangrën.
5 Ende tietra ra mbë vend gurishtë, ku s’kishte dhe shumë, ende bini përnjiherë, sepse s’kishte dhe të thellë,
6 por kur leu dilli u doq; ende sepse s’kishte rrajë, u tha.
7 Ende tietra ra ndë drizat, ende drizatë hypnë, ende e mbytnë, ende nukë dha pemë.
8 Ende tietra ra ndë dhe të mirë, ende epte pemë, tue hypun’ e tue u shtumë; ende pruni pemë për nji tri-dhitë, ende për nji gjashtë-dhitë, ende për nji nji qind.
9 Mbasandai u thoshte atyne: Ai qi ka veshë me ndëgjumë, le të ndëgjojë.
10 Ende kur mbeti vetëmë, ata qi ishinë rreth ati bashkë me të dy-mbë-dhitët e pyetnë për parabullënë.
11 Ende ai u tha atyne: Mbë ju ashtë dhanë me ngjofunë mpshefsinën’ e mbëretënisë Perëndisë, po mb’ata qi janë jashtë, të gjitha bahenë me parabulla,
12 qi tue pamë të ven’ore, ende të mos shofinë; ende tue ndëgjumë të ndëgjojnë, ende të mos marrinë vesht; qi të mos këthehenë ndonjiherë, e t’u falenë fajetë.
13 Mbasandai u thot’ atyne: Nuk’ e dini këte parabullë? Ende si keni me marrë vesht gjithë parabullatë?
14 Mbiellësi asht’ ai qi mbill fjalënë.
15 Ende këta për-an’ udhësë jan’ ata qi mbilletë fjala mb’ata; po kur ndëgjojnë vien Satanai përnjiherë, e u merr fjalënë qi ashtë mbiellë ndë zemërat t’atyneve.
16 Ende këta kështu, jan’ ata qi janë mbiellë ndë vende gurishta, të cillëtë kur ndëgjojnë fjalënë, përnjiherë e marrinë me gëzim;
17 po s’kanë rrajë ndë vetëvetëhet, po janë për pak kohë; mbasandai kur bahetë shtrëngim, a të ndiekunë për fjalënë përnjiherë shkandalizohenë.
18 Ende këta qi janë mbiellë ndër drizat, jan’ ata qi ndëgjojnë fjalënë;
19 po gailet’ e kësai jete, ende gënjim’ i gjasë, ende dëshërimetë për të tierat punë , hyjn’ e mbushinë fjalënë, ende bahetë pa-pemë.
20 Po këta, jan’ ata qi u mbollnë ndë dhe të mirë, të cillëtë ndëgjojnë fjalën’, ende e presin’, ende bijënë pemë, për nji tri-dhitë, ende për nji gjashtë-dhitë, ende për nji nji qind.
21 Ende u thoshte atyne: Mos vien kandili për me u vumë ndënë hu të drithit , a ndënë shtrat? E jo për me u vumë mbi kandilier?
22 Sepse s’ashtë gja e mpshefët, qi të mos shpërfaqetë; as s’ashtë bamë ndonji gja e mpshefët, qi të mos dali për faqe.
23 Ndë pastë kush veshë me ndëgjumë, le të ndëgjojë.
24 Ende u thoshtë atyne: Veni ore qish ndëgjoni - me çfarë matësi matni, kanë me u matunë juve, ende ka me u shtumë mbë ju qi ndëgjoni.
25 Sepse ati qi ka, do t’i epet’ ende tietër ; ende ati qi s’ka, ende qish të ketë, do të mirretë prei ati.
26 Ende thoshte: Kështu ashtë mbëretënia e Perëndisë, posi nji nieri qi hedh farë mbë dhet,
27 ende fle, e çohetë nat’ e ditë, ende fara bin, ende rritetë, kështu qi ai s’e di se si .
28 Sepse dheu bije pemë prei vetëvetëhesë; përpara bar, mbasandai plot me grun ndë kall.
29 Ende pema kur piqetë përnjiherë dërgon drapëninë, sepse e mbërrini të korrëtë.
30 Ende thoshte: Me se të përgjajmë mbëretënin’ e Perëndisë? A me çfarë parabulle ta vemë ngjat?
31 Ashtë posi nji koqe senapi, e cilla kur mbilletë mbë dhet, ashtë ma e vogëlë se gjithë faratë qi janë mbë dhet,
32 po si mbilletë, rritet’ e bahetë ma e madhe se gjithë barishtatë, ende ban dega të mëdha; kaqi sa shpendët’ e qillit mundenë me ndenjunë ndënë hijet t’asai.
33 Ende me shumë këso parabullash u fliste fjalën’ atyne, sikurse mundeshinë me ndëgjumë.
34 Ende pa parabullë nuk’ u fliste atyne, po dishepujvet vet ua sgjidhte të gjitha veç-anë.
35 Ende mb’ate ditë, si u ngrys, u thot’atyne: Le të kapërcejmë përtej.
36 Ende dishepujtë si lanë gjindëjenë, e murnë mbas vetëhesë, sikundrë ishte ndë lundrët;
37 ende ishinë bashkë me ate ende të tiera lundrëza. Ende bahetë nji thëllim ere i math, ende valëtë bijënë mbrenda ndë lundrët, kaqi sa ajo ndashti po mbushei.
38 Ende ai ishte ndë bisht të lundrëzë tue fjetunë mbi krenarenë; ende ata e çojn’, e i thonë: Mieshtër, a s’ke gaile, se po humbimë?
39 Ende ai u çu, e qirtoi erën’, ende i tha detit: Pusho, mos pëzai! Ende pushoi era, ende u ba bunac’ e madhe.
40 Mbasandai u tha atyne: Ç’frikësa jeni kështu? Si s’keni besë?
41 Ende ata u frikunë me frikë të madhe, ende i thoshinë njiani tietrit: Vallë kush ashtë kyi, qi i ndëgjojnë ende era, ende deti?