Hananiahu e Sapfira
1 Një burrë që quhej Hananiah, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë. 2 Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve. 3 Atëherë Pjetri i tha: «Hananiah, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës? 4 Sa ishte pa shitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje ç'të doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë». 5 Kur dëgjoi këto fjalë, Hananiahu u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe. 6 Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën.
7 Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananiahut, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur. 8 Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?». Ajo i tha: «Po, për kaq». 9 Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej». 10 Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt.
Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet. 11 Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.
Apostujt shërojnë shumë veta
12 Në popull bëheshin shumë shenja e mrekulli përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit. 13 Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.
14 Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë. 15 Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre. 16 Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.
Apostujt përndiqen
17 Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë 18 dhe i kapën apostujt e i futën në burg . 19 Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha: 20 «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re ». 21 Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.
Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu. 22 Por kur rojat arritën te burgu, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen e njoftuan: 23 «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar më këmbë te dyert. Por kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda». 24 Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.
25 Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin». 26 Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. 27 Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: 28 «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». 29 Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. 30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. 31 Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. 32 Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».
33 Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t'i vrisnin. 34 Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t'i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. 35 Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. 36 Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. 37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. 38 Prandaj, tani, po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve e t'i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. 39 Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë».
Ata e dëgjuan Gamalielin 40 dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë.
41 Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. 42 Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.
KAPTINA V.
1 Edhe nji burr qi e kishte emënin’ Anani, bashkë me Sapfirënë gruen’ e vet, shiti nji copë dhe,
2 edhe mpëshefi prei të çimuemit, tue ditun’ edhe grueja e vet, edhe pruni nji piesë prei astrëvet , edhe e vuni për-anë kambëvet apostujvet.
3 Edhe Pietri tha: O Anani, përse mbushi zemrënë tande Satanai me gënjyem Shpirtinë Shenjt, edhe me mpëshefunë prei të çimuemit arësë?
4 Ndë qoftë se e mbaje, a s’ishte joteja? Edhe si e shite, a s’ishte ndënë pushtet tand? Qish pate qi vune ndër mend këte punë? Nukë rreite nierëzitë, por Perëndinë.
5 Edhe Anania tue ndëgjuem këto fjalë, ra për dhe , edhe dha shpirtinë; edhe u hyni frikë e madhe gjith’ atyneve qi ndëgjuenë këto.
6 Edhe si u ngritnë të rijtë, e mpështuellnë, edhe e prunë jashtë, edhe e shtinë ndë dhet.
7 Edhe mbassi kishinë shkuem tri ora, hyni edhe grueja e ati, pa ditunë se qish ishte bamë.
8 Edhe Pietri iu përgjeq asai: Më thuei, ndë qoftë se e shitët arënë për kaqi? Edhe ajo tha: Po, për kaqi.
9 Atëherë Pietri i tha asai: Përse u batë me nji fjalë me ngamë Shpirtin’ e Zotit? Qe ku janë te dera kambët’ e atyneve qi shtinë ndë dhet burrinë tand, edhe kanë me të nxierrë jashtë edhe tyi.
10 Edhe ajo ra përnjiherë për-anë kambëvet ati, edhe dha shpirtinë; edhe mbassi hynë dialoshëtë, e gjetnë të vdekunë, edhe si e nxuernë jashtë, e shtinë ndë dhet ngjat burrit asai.
11 Edhe i hyni frikë e madhe gjithë kishësë, edhe gjith’ atyneve qi ndëgjuenë këto.
12 Edhe baheshinë shumë shenje e mërekullia ndë popull prei duersh apostujvet; (edhe ishinë të gjithë me nji zemërë ndë kamarë të Solomonit.
13 Edhe askushi prei të tierëvet nukë kuxonte me u ngjitunë tek ata; por populli i madhënonte.
14 Edhe shtoheshinë ma shumë tue i besuem Zotit, shumica burrash e grash.)
15 Kaqi sa nxirinë jashtë ndëpër rrugat të sëmunëtë, e i vejinë mbi shtresa e mbi shtratëna, për me zanë hieja e Pietrit pak së paku ndonji prei atyneve, kur të shkojë.
16 E mbëlidhei edhe shumica ndë Ierusalem qi ishinë prei qytetesh rreth, e bijinë të sëmunëtë, edhe ata qi ngjiteshinë prei frymash ndyta, të cillëtë shëndosheshinë të gjithë.
17 Atëherë u ngrit Krye-prifti edhe gjith’ ata qi ishinë bashkë me ate (të cillit’ ishin’ eresi e Saddukevet), edhe u mbushnë me zmir,
18 edhe vunë duert’ e veta mbi apostujt, edhe i vunë ndë burk të popullit.
19 Por engjull’ i Zotit çeli dyert’ e burgut natënë, edhe si i nxuer, u tha atyne :
20 Shkoni, edhe rrini e flitni ndë tempull te populli gjithë fjalët’ e kësai jete.
21 Edhe si ndëgjuenë, hynë ndë tempull mbë të sbardhëmen’ e dritësë, edhe mësojinë. Por kur erdhi Krye-prifti edhe ata qi ishinë bashkë me ate, thërritnë bashkë-ndejtien’ edhe gjithë pleqësinë e të bijvet Israelit, edhe dërguenë ndë burk për me prum’ ata.
22 Edhe shërbëtorëtë kur votnë, nuk’ i gjetnë ndë burk, edhe u këthyenë, e u dhanë za atyne,
23 tue thanë, se: Burgun’ e gjetëm ndryem me shumë siguri, edhe rueitësitë tue ndenjunë jashtë përpara dyervet, por kur çelëm, nukë gjetëm mbrenda askend.
24 Edhe kur ndëgjuenë këto fjalë prifti edhe i pari i tempullit edhe Krye-priftënitë, vrisinë mendienë për ata, se si ka me u bamë këjo punë .
25 Atëherë erdhi nji nieri , e u dha za atyne, tue thanë, se: Qe ata nierëzitë qi patët vumë ndë burk, te janë tue ndenjunë ndë tempull, e po mësojnë popullinë.
26 Atëherë vote kapitani bashkë me shërbëtorët, e i prun’ ata, jo me përdhunë, sepse drojinë popullinë, mos i rrafinë me gurë.
27 Edhe si i prunë, i nxuernë përpara bashkë-ndejtiesë; edhe Krye-prifti i pyeti,
28 tue thanë: Nuk’ u porositëm juve shtrëngutë mos me mësuem mb’emënit të këti? Edhe ju qe te mbushtë Ierusaleminë me mësiminë tuei, edhe doni me prumë mbi ne gjakun’ e këti nieriu.
29 Atëherë Pietri edhe apostujt’ e tierë u përgjeqnë e thanë: Duhetë me i ndëgjuem Perëndisë ma tepërë se nierëzëvet.
30 Perëndia i atënavet t’anë ngjalli Iesunë, të cillinë ju e vratë edhe e vartë mbi drut.
31 Këte Perëndia e naltoi me anë të diathtësë vet, edhe e bani të parë edhe shëlbues, për me i dhanë pendesë Israelit, edhe ndëjesë fajesh.
32 Edhe na jemi deshmitarët’ e ati për këto fjalë, edhe Shpirti Shenjt, qi u dha Perëndia atyne qi i ndëgjojn’ ati.
33 Edhe ata kur ndëgjuenë, ngërcëllojinë dhambëtë, edhe bajinë këshille me i vramë.
34 Atëherë u ngrit ndë bashkë-ndejtiet nji Farise, qi quhei Gamaliel, mieshtër i ligjësë, edhe i nderëshim ndër gjithë popullinë, edhe urdhënoi me nxierrë jashtë apostujtë nji grimë herë;
35 edhe u tha atyne: O burra Israelitë, shikoni qish keni me u bamë këtyne nierëzëve.
36 Sepse para këtyne ditve u ngrit Theuda, tue thanë për vetëvetëhenë se di qish ashtë; edhe i votnë mbrapa afër katër qind vetë; ai u vra; edhe gjith’ ata qi i ndëgjojin’ ati u shpërkoqnë, edhe u banë për asgja.
37 Mbas këti u ngrit Iudë Galileasi nd’ato ditt qi shkruheshin’ emënatë, edhe tërhoq mbas vetiut miaft popull; edhe ai hupi, edhe gjith’ata qi i ndëgjojin’ ati u shpërdanë.
38 Edhe tashti po u thom juve: Mërgohi prei këtyne nierëzëve, edhe i lini, sepse ndë qoftë prei nierëzish këjo këshille a këjo punë, ka me u vdierrë,
39 por ndë qoftë prei Perëndiet, nukë mundeni me e vdierrë; edhe veni ore mos ndothni me bamë luftë edhe me Perëndinë.
40 Edhe ata i ndëgjuenë; edhe mbassi thërritnë apostujt’ e i rrafnë, i porositnë mos me folunë mb’emënit të Iesuit, edhe i lishuenë.
41 Ata pra iknë prei faqesë bashkë-ndejtiesë tue u gëzuem, se u banë të zotënitë me u shpërnderuem për emënin’ e ati.
42 Edhe përditë ndë tempull e ndëpër shtëpia nukë pushojinë tue mësuem e tue dhanë zanin’ e mirë për Iesu-Krishtinë.