Veprimtaria e Palit
1 Ju e dini, o vëllezër, se ne nuk erdhëm kot te ju. 2 Siç e dini, përpara se të vinim te ju, na keqtrajtuan dhe na poshtëruan në Filipi, por Perëndia na dha guximin për t'ju predikuar ungjillin e tij mes shumë përpjekjesh të mundimshme. 3 Sepse predikimi ynë nuk mbështetej në mashtrime, në ndyrësi e në dredhi, 4 por e predikojmë ungjillin ashtu siç na e besoi Perëndia, pasi dolëm të sprovuar prej tij. Ne nuk predikojmë që t'u pëlqejmë njerëzve, por që t'i pëlqejmë Perëndisë, i cili njeh zemrat tona.
5 Sikurse e dini, ne kurrë nuk kemi përdorur fjalë lajkatuese e as nuk kemi pasur qëllimin për të përfituar, dhe dëshmitar kemi Perëndinë. 6 Ne nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush e as prej të tjerëve. 7 Si apostuj të Krishtit mund t'ju bëheshim barrë, por, përkundrazi, ne u treguam të dhembshur me ju si nëna që kujdeset me ngrohtësi për fëmijët e vet. 8 Ne kishim një dashuri kaq të madhe për ju, saqë ishim të gatshëm jo vetëm t'ju predikonim ungjillin e Perëndisë, por të jepnim edhe jetën për ju. Kaq shumë ju kishim për zemër!
9 Ju e mbani mend, o vëllezër, sesa shumë u munduam e u lodhëm duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush ndërsa ju predikonim ungjillin e Perëndisë. 10 Ju dhe Perëndia jeni dëshmitarë se sjellja jonë kundrejt jush, besimtarëve, ishte e shenjtë, e drejtë dhe e paqortueshme. 11 Ju e dini se jemi sjellë me çdonjërin prej jush si ati me bijtë e vet. 12 Ju kemi këshilluar, ju kemi dhënë zemër dhe ju jemi përgjëruar që të bëni një jetë të denjë për Perëndinë, i cili ju thirri në mbretërinë dhe lavdinë e vet.
13 Prandaj, edhe ne e falënderojmë Perëndinë pa pushim, se kur e dëgjuat prej nesh fjalën e Perëndisë, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është në të vërtetë, fjalë Perëndie, që vepron në ju që besoni. 14 Ju, vëllezër, u bëtë shkërbim i kishave të Perëndisë që janë në Jude e që besojnë në Krishtin Jezu, sepse edhe ju keni vuajtur të njëjtat gjëra nga bashkëkombësit tuaj, sikurse vuajtën edhe ata nga judenjtë, 15 të cilët vranë Zotin Jezu e profetët dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk e kanë pëlqimin e Perëndisë dhe janë kundër të gjithë njerëzve, 16 duke na penguar t'u predikojmë kombeve, që këto të shpëtohen. Kështu ata e mbushin vazhdimisht kupën e mëkateve të tyre, por më në fund erdhi mbi ta zemërimi i Perëndisë.
Malli për selanikasit
17 Por ne, vëllezër, kemi qenë larg jush për një kohë të shkurtër, larg syve, por jo larg zemrës dhe nga malli që kishim u përpoqëm edhe më shumë për t'ju parë përsëri. 18 Prandaj deshëm shumë të vinim te ju, madje unë, Pali, u përpoqa një ose dy herë, por na pengoi Satani. 19 Kush tjetër veç jush do të jetë shpresa jonë, gëzimi ynë, kurora apo krenaria jonë para Zotit Jezu Krisht kur ai të vijë? 20 Po, ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi ynë.
KAPTINA II.
1 Sepse vetë ju e dini, o vëllazën, të hymitë t’anë te ju, se nuk’ u ba kot,
2 por si hoqëm keq përpara edhe u sham, sikurse e dini, ndë Filippe, muerëm zemërë te Perëndia unë me folunë te ju ungjillin’ e Perëndisë me shumë të përpiekunë.
3 Sepse mësimi ynë nukë qe prei gënjeshtrësë, as prei ndynësinësë, as prei gënjimit,
4 por sikurse u provuem prei Perëndisë qi t’i zamë besë ungjillit, kështu flasimë, jo sikur t’u pëlqeimë nierëzëvet, por Perëndisë qi provon zemëratë t’ona.
5 Sepse as fjalë me laika nukë folëm ndonjiherë, sikurse e dini, as shtim shkak lakëmimi, Perëndia ashtë deshmitar;
6 as kërkuem laft prei nierëzish, as prei jush, as prei të tierësh, ndonëse mundeshim të baheshim barrë, si apostujt’ e Krishtit,
7 por qem të butë ndërmiet jush, porsi mëndesa qi ngrof ndë gji dielmt e vet;
8 kështu dëshëroheshim për ju, e na kishte anda me u dhanë juve jo vetëm’ ungjillin’ e Perëndisë, por edhe shpirtënatë t’anë, sepse qetë të dashunë te na.
9 Sepse e mbani mend, o vëllazën, mundiminë t’anë, edhe fëdigënë, sepse dit’ e natë tue punuem, qi të mos i vem barrë ndonjianit prei jush, predikuem ungjillin’ e Perëndisë te ju.
10 Ju jeni deshmitarë edhe Perëndia, sa me dreitëni e me udhë e me pa palavi jemi prumë mbë ju qi besoni;
11 sikurse e dini, se gjithë-se-cillinë prei jush e porositshim edhe e ngushulloishim, porsi ati dielmt’ e vet,
12 edhe epshim deshmi, sikurse vëjen te Perëndia, qi u thirri juve ndë mbëretënit të vet edhe ndë laft.
13 Përandai edhe na i falemi ndersë Perëndisë pa pushim, se mbassi muertë fjalën’ e Perëndisë qi ndëgjuetë prei nesh, e pritët jo si fjalë nierëzish, por (sikurse ashtë me të vërtetë) fjalë Perëndie, e cilla fjalë vepërohetë ndër ju qi besoni.
14 Sepse ju, o vëllazën, batë sikurse banë kishat’ e Perëndisë qi janë ndë Iude mbë Iesu Krishtinë, sepse edhe ju pësuetë, por ato punë prei atyneve qi janë prei nji kombi me ju, sikurse edhe ata prei Iudejvet,
15 të cillëtë vran’ edhe Zotinë Iesu, edhe profetënit’ e vet, edhe neve na përzunë, edhe Perëndisë s’i pelqejnë, edhe janë kundra gjithë nierëzëvet,
16 të cillëtë na ndalinë me folunë te kombet qi të shpëtohenë, për me mbushunë fajet’ e veta përherë; edhe së mbrapëni e mbërrini zemërimi mbi ata.
17 Por na, o vëllazën, sepse u vorfënuem prei jush për pak kohë, me faqe, jo me zemërë, nxituem ma tepërë me shumë dëshërim me pamë faqenë tuei.
18 Përandai deshëm me ardhunë te ju (ma fort unë Pauli) edhe nji herë edhe dy herë, por na ndali Satanai.
19 Sepse cilla ashtë shpëresa jonë, a gëzimi, a kunora e të mburrunit? Apor nukë jeni ju përpara Zotit t’ynë Iesu Krishtit mbë të ardhëmen’ e ati?
20 Sepse ju jeni lafti ynë edhe gëzimi.