Pali në Maqedoni e Greqi
1 Pasi mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni. 2 Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi. 3 Atje qëndroi tre muaj.
Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia. 4 Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga Azia . 5 Ata shkuan përpara dhe na pritën në Troadë, 6 ndërsa ne, pas ditëve të festës së Bukëve të ndorme, lundruam nga Filipia dhe për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.
Pali për herë të fundit në Troadë
7 Të dielën , ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalën deri në mesnatë. 8 Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar. 9 Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. 10 Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë e tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur». 11 Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis. 12 Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë.
Udhëtimi nga Troada në Milet
13 Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë. 14 Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë. 15 Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet. 16 Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.
Pali u flet pleqve të kishës së Efesit
17 Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. 18 Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, 19 duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. 20 Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. 21 Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. 22 Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. 23 Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. 24 Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. 25 Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. 26 Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, 27 sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. 28 Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës , që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet.
29 E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. 30 Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t'ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t'i tërhequr dishepujt pas vetes. 31 Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet.
32 E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t'ju rrisë në besim e t'ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. 33 Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. 34 Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. 35 Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”».
36 Pasi tha këto fjalë, ai ra në gjunjë bashkë me të gjithë ata dhe u lut. 37 Të gjithë shpërthyen në lot. Ata e përqafuan Palin dhe e puthën, 38 duke ndier dhimbje, sidomos për atë që kishte thënë se nuk do ta shihnin më.
Pastaj e përcollën deri tek anija.
KAPTINA XX.
1 Edhe mbassi pushoi trubullimi, Pauli thërriti dishepujtë, e u la shëndet, edhe duel me votunë ndë Makedoni.
2 Edhe si shkoi ndëpër ato anë, e i ngushulloi me shumë fjalë, erdhi ndë Greqi.
3 Edhe atie bani tre muej. Edhe Iudeitë si banë këshille të keqe kundrë ati, kur kishte për me lundruem për Syri, ai e vuni ndër mend me u këthyem ndëpër Makedoni.
4 Edhe e muer mbrapa deri në Asi Sopatri Bereasi; edhe prei Thessallonikanëvet Aristarhu edhe Sekundi, edhe Gaiu prei Derbet, edhe Timotheu; edhe prei Asianëvet Tyhiku edhe Trofemi.
5 Këta votnë përpara, edhe na prisinë ndë Troadë.
6 Edhe na lundruem prei Filippesë mbas ditvet të pabrumëvet, edhe për pesë ditt erdhëm tek ata ndë Troadë, edhe ndenjëm atie shtatë ditt.
7 Edhe të parënë ditën’ e javësë, kur ishinë mbëledhunë dishepujtë me thyem bukënë, Pauli lëgjironte me ata, sepse kishte për me ikunë ndë nesëret; edhe e sgjati fjalënë deri ndë mies-natë.
8 Edhe ndë dhomë të sipërme atie ku ishinë mbëledhunë, ishinë mëjaft qiri të ndezunë .
9 Edhe nji dialosh, qi quhei Eutyh, tue ndenjunë mbi parathyrë, e muer nji gjum’ i randë, kur po lëgjironte Pauli ma tepërë; edhe ai, kur e pat zanë gjumi, ra poshtë prei së tretësë patë, edhe e ngritnë të vdekunë.
10 Edhe Pauli si sdrypi, ra mbi ate, edhe e muer n’grykë, e tha: Mos trubullohi; sepse shpirti i ati ashtë nd’ate.
11 Edhe si hypi, e theu bukë, e hangër, e foli mëjaft deri mbë të sbardhëmen’ e dritësë, mbasandai duel jashtë.
12 Edhe dialin’ e prunë të gjallë, edhe u ngushulluenë fort tepërë.
13 Edhe na votëm përpara ndë lundrë, edhe lundruem për Assë, edhe prei andej dojim me marrë Paulinë, sepse kështu kishte porositunë, sepse ai vetë donte me votunë mbë kambë.
14 Edhe si hasi me ne ndë Assë, e muerëm, e erdhëm ndë Mitylenë.
15 Edhe prei andyj lundruem, edhe ditën’ e nesërme erdhëm kundruell Hiosë; edhe tietrënë ditë e mbërrim ndë Samë; edhe si mbetëm ndë Trogylli, ndë nesëret erdhëm ndë Miletë.
16 Sepse Pauli e pa me udhë me lundruem ndëpër anë të Efesësë, sepse nukë donte me hupunë kohë ndë Asi, sepse nxitonte, ndë ka se si, ditën’ e Pendikostësë të gjindei ndë Ierusalem.
17 Edhe dërgoi prei Miletësë ndë Efesë, e thirri pleqt’ e kishësë.
18 Edhe kur erthnë tek ai, u tha atyne: Ju e dini çë ditën’ e parë qi dola ndë Asi, se si e shkova gjithë kohënë bashkë me ju,
19 tue i shërbyem Zotit me gjithë zemërën’ e përvutë, e me shumë lot e ngasëje, qi më koditnë për këshillet e këqia të Iudevet qi banë kundrë meje ;
20 edhe se si nukë mpëshefa gja prei asosh qi ishinë për të mirënë tuei, por ua diftova juve, e u mësova juve ndër sy të botës’ e ndëpër shtëpiat,
21 tue dhanë deshmi mbë Iude e mbë Grekë për pendesënë mbë Perëndinë, edhe për besënë mbë Zotinë t’ynë Iesu-Krishtinë.
22 Edhe tashti qe unë te po vete ndë Ierusalem lidhunë ndë shpirt, pa mos ditunë qish punë kanë me koditun’ atie,
23 për veç kësai , se Shpirti Shenjt ban deshmi mbë çdo qytet, tue thanë, se: Po më presinë të lidhuna e shtrëngime.
24 Por s’kam kujdes as për ndonji prei kësosh , as jetënë t’eme s’e çimoj mbë vetëhenë t’eme kaqi shumë , sa ma tepërë due të mbaroj udhënë t’eme me gëzim, edhe ate punënë qi mora prei Zotit Iesu, të ap deshmi për ungjillin’ e hirit Perëndisë.
25 Edhe tashti qe unë tek e dij, se ju të gjithë s’keni për me pamë ma faqenë t’eme ndërmiet atyneve qi shkova tue predikuem mbëretënin’ e Perëndisë.
26 Përandai ap deshmi mbë ju sot mbë këte ditë, se unë jam i këthiellëtë prei gjakut të gjithëve.
27 Sepse unë nuk’ u shtëmanga mos me u diftuem juve gjith’ andën’ e Perëndisë.
28 Kini kuides pra për vetëhenë tuei, edhe për gjithë tufënë, qi Shpirti Shenjt u vuni juve episkopë përmbi ate, për me kullotunë kishën’ e Perëndisë, të cillën’ ai e fitoi me gjakun’ e vet.
29 Sepse un’ e dij këte, se mbas të ikunit t’em kanë me hymë ndër ju ujq të këqi, pa mos kursyem tufënë.
30 Edhe prei jush vetë kanë me u ngritunë nierës, tue folunë punë të shtrembëta, qi të tërheqinë dishepujtë mbas vetëhes’ atyne.
31 Përandai rrini qutë, e kujtohi se tre viet nukë pushova nat’ e ditë tue mësuem me lot gjithë-se-cillinë.
32 Edhe tashti, o vëllazën, u la juve te Perëndia, edhe mbë fjalën’ e hirit ati, i cilli mundetë me u ndërtuem e me u dhanë juve trashigim ndërmiet gjith’ atyne qi janë të shenjtënuem.
33 Nukë dëshërova prei askuit argjand e ar e petka.
34 Edhe ju vetë e dini, se këto duert’ e mia kanë punuem për nevojat e mia, edhe për ata qi ishinë bashkë me mue.
35 Gjithë punët’ ua diftova juve, se kështu tue u munduem duhetë t’u ndihmoni atyneve qi janë pa fuqi, edhe të kujtoni fjalët’ e Zotit Iesu, se ai vetë tha: “Ma mirë ashtë me dhanë, se me marrë”.
36 Edhe si tha këto , u ul mbë gjunjë, e u fal bashkë me ata të gjithë.
37 Edhe ata të gjithë qjanë mëjaft, edhe ranë mbë qafë të Paulit, edhe e puthinë,
38 edhe helmoheshinë fort shumë për ate fjalënë qi u pat than’ atyne, se s’kanë për me pamë ma faqen’ e ati. Edhe e përcillinë deri ndë lundrë.